Dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë me çdo kusht

26 nëntor 2018 | 14:37

Politologu Adri Nurellari ka bërë me dije se, pavarësisht prej përplasjeve me Serbinë, Kosova duhet ta vazhdojë për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nëse Kosova do të dilte si penguese e këtij procesi do ta humbte shumë reputacionin në arenën ndërkombëtare. Nurellari ka treguar se nëpërmjet dialogut Kosova nuk negocion vetëm me Beogradin, por edhe me partnerët perëndimorë. Sipas tij, Kosova nuk duhet ta humbë rastin historik për të bërë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila do të sillte njohje të ndërsjellë. Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian ka shumë gjasa ta transformojnë radikalisht BE-në dhe ta bëjnë më indiferente ndaj Ballkanit.

“Epoka e re”: Z. Nurellari, presidenti i vendit po vazhdon fazën finale të dialogut me homologun serb në Bruksel, ani pse pozita dhe opozita ende nuk kanë arritur një pajtueshmëri për këtë çështje. Si duhet të veprohet tani?
Nurellari: Ajo që është e rëndësishme është ta kemi nivelin më të lartë të mundshëm të vetëdijesimit të elitës politike, por edhe të mbarë elitës së shoqërisë për rëndësinë që ka ky dialog për Kosovën si dhe për momentin e rëndësishëm historik i cili nuk duhet humbur. Historia bashkëkohore është e mbushur me raste ku janë humbur momente historike në negociata për paqe e ato rrethana të favorshme nuk janë përsëritur për një kohë të gjatë. Kështu, për shembull plani i Koffi Annanit i vitit 2004 ishte një mundësi e shkëlqyer për të pasur një paqe në Qipron e ndarë, mirëpo mospërqafimi i asaj mundësie ishte një humbje e jashtëzakonshme, sepse rrethanat e favorshme të asaj kohe nuk janë ripërsëritur ende tani që kanë kaluar 14 vjet prej dështimit të asaj marrëveshjeje. Një alamet mundësie e humbur për tragjedinë siriane ishte edhe ujdia që u sugjerua prej rusëve në vitin 2012 në negociatat e drejtuara nga Annan në Gjenevë, por që u refuzua prej Perëndimit. Tanimë pozita e Asadit, falë ndërhyrjes ruse, veç është konsoliduar edhe më shumë e opozita siriane pothuaj është shfarosur dhe, dashur e pa dashur, ato terma që u propozuan atëherë janë imponuar sot në terren në teatrin e luftës. Ndërkaq, qindra mijëra civilë janë vrarë e miliona të tjerë janë shpërngulur, duke shkaktuar një ndër krizat më të mëdha bashkëkohore humanitare të refugjatëve. Pra, ne duhet të vëmë mësim nga pësimet e vendeve të tjera dhe ta shikojmë me më shumë seriozitet e angazhim mundësinë e tanishme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Epoka e re”: Në këtë jave kanë ndodhur zhvillime dramatike në raportet në mes të dy vendeve. Kemi parë ofensivën diplomatike serbe në Dubai, e cila ia pamundësoi Kosovës anëtarësimin në Interpol. Përgjigjja e institucioneve tona ishte ngritja e taksës për mallrat serbe nga 10 në 100 për qind. A mund të vazhdohet dialogu në këtë situatë?
Nurellari: Dialogu apo komunikimi mes palëve kundërshtare vazhdon edhe në mesin e luftës. Madje zanafilla e të drejtës ndërkombëtare dhe organizatave multilaterale ndërshtetërore është pikërisht komunikimi mes palëve për t’u kujdesur për të vrarët e të plagosurit e fushëbetejës, çka solli edhe krijimin e kryqit të kuq dhe konventës së Gjenevës një shekull e gjysmë më parë. Po ashtu, Kissinger ka pasur një duzinë raunde negociatash me vietkongët mu në mes të nxehtësisë së luftës në Vietnam derisa u arritën Akordet e Paqes së Parisit më 1973. Edhe negociatat e sipërpërmendura të Gjenevës bëheshin ndërkohë që palët ndërluftuese i shkaktonin qindra të vrarë njëra-tjetrës në Siri. I jap këta shembuj për të treguar që edhe në mes të luftës së ashpër zhvillohen bisedime e jo më në rrethanat e një konflikti të ngrirë siç e kemi ne. Prandaj, pavarësisht prej fërkimeve e përplasjeve, të cilat shpesh janë edhe mesazhe apo forma të komunikimit ndërmjet palëve në kuadër të negociatave, dialogu duhet të vazhdojë me çdo kusht. Alternativa e dialogut është vetëm lufta.

“Epoka e re”: Një pjesë e kritikëve të dialogut mendojnë se nuk duhet të vazhdohet ky proces për sa kohë Serbia nuk dëshmon me veprime vullnetin e mirë për marrëveshje. Cili është reagimi juaj ndaj këtij opinioni?
Nurellari: Unë e kuptoj këtë frustrim dhe maraz që është akumuluar, mirëpo një çështje delikate si dialogu, dhe në përgjithësi marrëdhëniet me jashtë të një shteti, kërkojnë mendje të ftohta e të kthjellëta e jo reagime impulsive, emocionale dhe rrethanore. Nëse Serbia nuk dëshmon vullnet të mirë, atëherë nuk do të thotë që edhe ne të biem në të njëjtin nivel, por duhet të tregojmë epërsi morale e vullnet të mirë pavarësisht prej Serbisë. Shoqëria jonë duhet të kuptojë diçka tjetër gjithashtu. Ne nëpërmjet dialogut nuk negociojmë vetëm me Beogradin, por edhe me partnerët tanë perëndimorë. Në një farë mënyre ne nuk duam thjesht ta transformojmë marrëdhënien tonë me Beogradin, por edhe të japim mesazhe në Bruksel, DC e në mbarë arenën ndërkombëtare që shteti ynë i ri është paqedashës dhe synon t’i zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut e mirëkuptimit. Nëse do të dilnim ne si pengues të dialogut e paqes, do të humbnim shumë reputacion në arenën ndërkombëtare. Duhet, po ashtu, të kuptohet se hapësira e manovrimit të Kosovës në politikën e jashtme është goxha e kufizuar, sepse kushtëzohet nga brishtësia jonë si shtet dhe nga rrethana të tjera të pafavorshme ndërkombëtare që janë aty jo për faj të Kosovës. Për Kosovën është shumë e rëndësishme ta çimentojë miqësinë dhe partneritetin me ShBA-në dhe partnerët e tjerë perëndimorë të cilët janë vendimtarë në hapat tanë të mëtejshëm. Mjafton të shikojmë çfarë ka ndodhur vitin e kaluar me disa popuj të tjerë në përpjekjet e tyre për pavarësi për të kuptuar se sa të bekuar kemi qenë prej këtij partneriteti. Katalunjasit në Spanjë, që janë pothuaj 6 milionë e, po ashtu, 6 milionë kurdë të Irakut, bënë referendume e shpallën pavarësinë vitin e kaluar, e pa përkrahje ndërkombëtare të dy këto nisma dështuan plotësisht.

“Epoka e re”: Disa prej kritikëve të Thaçit thonë se ai po e shtyn përpara këtë proces prej frikës nga Gjykata Speciale. Qëndron kjo, meqenëse ju keni qenë edhe këshilltar i presidentit?
Nurellari: Kjo është një ndër gjërat më të ulëta që thuhen në Kosovë dhe dëshmon për një degradim të thellë moral të një segmenti të shoqërisë sonë. Të thuash këtë gjë do të thotë se besohet se pretendimet absurde të Dik Martit janë të vërteta. Pra, të besohet se ka bërë luftë të pistë UÇK-ja e cila me luftën e saj të pastër e dinjitoze fitoi simpatinë dhe mbështetjen e vendeve kryesore të botës demokratike. Po ashtu, do të thotë që të mos besohet në proceset e njëpasnjëshme të Gjykatës së Hagës, të UNMIK-ut e të EULEX-it që kanë vërtetuar pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së dhe kanë hedhur poshtë prej kohësh akuzat për të cilat është ndërtuar Gjykata Speciale. Përpos kësaj, këta zëra në njëfarë mënyre nxjerrin në pah edhe natyrën frikacake të personave që i artikulojnë këto pretendime të cilët mendojnë se, meqenëse ata kanë frikë nga hija e vet kur ecin në mbrëmje, edhe ish-komandantët janë të kushtëzuar nga frika në veprimet e tyre politike. Është qesharake të thuhet se themeluesit e UÇK-së dhe aktivistët e hershëm të ilegales, të cilët kanë vepruar me kurajë në robëri e në luftë të pabarabartë, të kenë frikë sot në liri e demokraci.

“Epoka e re”: Ideja e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë nuk ka marrë përkrahjen e spektrit politik të brendshëm. Po ashtu, kjo ide ka nxitur reagime të shumta e të ndryshme ndërkombëtare për shkak të frikës së krijimit të një precedenti të ri në rajon?
Nurellari: Ideja nuk ka marrë përkrahjen e një pjese të spektrit politik të brendshëm, që ka dëshmuar se anti-thaçizmin e ka të vetmin kalë beteje dhe motiv politik. Këtë gjë e pamë me krijimin e koalicionit VLAN në vitin 2014, ku parti që kishin sulmuar e akuzuar për kohë të gjatë njëra-tjetrën, u bënë bashkë për pushtet dhe me një emërues të përbashkët, anti-thaçizmin. Pra, mund të them se një pjesë e mirë e zërave kundërshtues e bëjnë këtë gjë ose si pasojë e hatërmbetjeve apo inateve të kultivuara prej kohësh ndaj Thaçit, ose sepse e shikojnë si mundësi për të fituar më shumë pikë në kuadër të përpjekjeve për pushtet. Për sa iu përket zërave ndërkombëtarë, unë mendoj se ngelet ende për t’u parë cili ka për të qenë pozicioni i tyre kur të ketë një bocë apo draft marrëveshje konkrete, sepse sot ende jemi në fazën e deklaratave dhe spekulimeve mediatike. Kuptohet që BE-ja nuk është thjesht vëzhguese, por palë në këto negociata, sepse jo vetëm i lehtëson ato, por edhe do të dalë garant për zbatimin e marrëveshjes që do të dalë prej tyre. Prandaj nuk mendoj se do të ketë një marrëveshje finale që nuk do të jetë filtruar e miratuar njëherë paraprakisht nga Brukseli e Uashingtoni. Nëse do të kemi një marrëveshje finale, ajo me siguri do ta ketë marrë paraprakisht miratimin te partnerët ndërkombëtarë përpara se të nënshkruhet e të shkojë drejt ratifikimit.

“Epoka e re”: Në bazë të zhvillimeve aktuale, si njohës i mirë marrëdhënieve ndërkombëtare, sa janë gjasat që vitin tjetër të kemi një marrëveshje përfundimtare në mes të Serbisë dhe Kosovës?
Nurellari: Unë nuk jam në brendësi të procesit, por mund të hamendësoj se gjasat më të mëdha janë që nëse ka mirëkuptim mes palëve, marrëveshja përfundimtare të realizohet në fillim të vitit të ardhshëm, pasi që kjo marrëveshje të finalizohet, aprovohet paraprakisht nga faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nënshkruhet nga Kosova e Serbia, mandej promovohet e ratifikohet. Është e domosdoshme që të kemi një Bashkim Evropian funksional i cili luan një rol kyç në të gjitha këta hapa. Viti që vjen është një vit elektoral sepse më 23-26 maj do të mbahen zgjedhjet e Parlamentit Evropian nga i cili do të derivojnë edhe drejtuesit e rinj të institucioneve evropiane. Fushata ka për të nisur formalisht në mars 2019, ndërsa sesioni i fundit parlamentar ka për të qenë në 18 prill. Pra, duke nisur nga marsi, institucionet e BE-së kanë për të qenë disfunksionale derisa të zgjidhen drejtuesit e rinj. Një ndër arsyet pse kam thënë më herët që ky është moment historik, është fakti se zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian kanë shumë probabilitet që ta transformojnë radikalisht BE-në që njohim ne sot nëpërmjet triumfit të partive populiste. Këto parti jokonvencionale ekstremiste populiste, të së majtës e të djathtës, tashmë kanë korrur sukses dhe eklipsuar në zgjedhjet parlamentare apo presidenciale të vendeve kryesore të BE-së dhe me gjasa i njëjti sukses do të përsëritet edhe në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Nëse kjo gjë do të ndodhë atëherë ne do të kemi një BE shumë më indiferente ndaj Ballkanit dhe që do të përqendrohet te problemet e brendshme e do të dominohet nga retorika kundër zgjerimit, kundër emigrantëve, islamofobe apo karakteristika të tjera të valës së populizmit që po dominon në Evropë.

“Epoka e re”: A duhet Kosova ta synojë arritjen e një marrëveshje me Serbinë, pavarësisht prej kostos?
Nurellari: Kurrsesi jo. Nuk duhet të ketë marrëveshje me çdo kusht. Kosova tashmë e ka shpallur pavarësinë e saj 10 vjet më parë dhe ka derdhur boll gjak që ekzistenca saj të mos vendoset më në Beograd. Këtu bëhet fjalë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, me kushte të pranueshme nga të dy palët, që do ta garantojë njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve të pavarura si dhe një paqe afatgjatë. Pra, duhet të shmangen qëndrimet ekstreme emocionale. Nuk duhet as të mos biem në kryeneçësi duke thënë që s’kemi nevojë fare për marrëveshje me Serbinë pa na përmbushur ata neve paraprakisht një sërë kushtesh e as në disfatizëm e inferioritet duke thënë se na duhet një paqe medoemos duke gëlltitur çfarëdo kostoje që vjen me të. Këtu kërkohet një pozicion i ekuilibruar, realist, largpamës, me këmbë në tokë, që duhet të vijë pas një informimi të mirë jo vetëm me rrethanat tona, por edhe me praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Çfarë ndodh nëse nuk nënshkruajmë një marrëveshje. A ka Kosova kosto apo pasoja nga mosnënshkrimi?
Nurellari: Në çdo rast, kuptohet se varet nga marrëveshja për të cilën bëhet fjalë. Vetëm njohja me termat e plotë e marrëveshjes së propozuar mund t’i japë mundësi dikujt që të gjykojë nëse ka kosto më të madhe me lëshimet e bëra në këtë marrëveshje apo me mosnënshkrimin e saj. Megjithatë, në parim mund të thuhet, pa asnjë mëdyshje, se çdo ditë që kalon në kushtet e konfliktit të ngrirë me Serbinë, përbën një barrë të drejtpërdrejtë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kostot janë të shumta, u përkasin shumë sferave të jetës dhe janë të përmasave të mëdha. Mungesa e një zgjidhje për konfliktin cenon imazhin tonë dhe mban larg investitorë potencialë. E kemi të vështirë të përfitojmë siç duhet nga globalizimi i sotëm për sa kohë e kemi njohjen ndërkombëtare të kufizuar dhe nuk mund të kemi qasje të plotë në qarkullimin ndërkombëtar të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e njerëzve. Mosqenia në OKB e shumë organizata ndërkombëtare na jep kosto oportune për të përfituar nga veprimtaritë apo mundësitë që ofrohen nga këto organizata. Mjafton t’i kujtojmë kostot e bizneseve duke mos pasur mundësinë e standardit ISO apo koston e qytetarëve me kartonin e gjelbër sa për të krijuar një ide. Ngelja peng e së kaluarës së konfliktit të ngrirë ka edhe kosto për politikën e brendshme, sepse e pengon edhe evoluimin e diskursit politik të brendshëm dhe ripërtëritjen e elitave politike me gjak të ri. Pra, janë të panumërta arsyet apo përfitimet që do të kishte Kosova nga një marrëveshje finale e pranueshme.

Muhmet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talenti shqiptar nga Kosova, Arton Zekaj i lindur dhe rritur…