Dialogu, shefja e BE-së në Kosovë pret qasje konstruktive nga Prishtina dhe Beogradi

07 korrik 2020 | 13:13

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike nuk kontribuon në përmirësimin e jetës së njerëzve në vendin tonë.

Ajo ka thënë se ekonomia, krijimi i vendeve të punës, arsimi, mjedisi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë në qendër të çdo politikani dhe vendimmarrësi në Kosovë.

Kur është pyetur nëse është e mundur një zgjidhje kompromisi, dhe se Prishtina dhe Beogradi fitojnë dhe humbasin në mënyrë të barabartë, Apstolova për gazetën “Jedinstvo” ka përsëritur se “status quoja” aktuale është e paqëndrueshme, dhe se BE-ja mbetet e përkushtuar të punojë së bashku me të dyja palët.

Apostolova ka thënë se pret një qasje konstruktive nga qeveria e Kosovës kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Beogradin dhe vazhdimin e dialogut që synon të punojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve, si dhe “për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura, një herë e përgjithmonë”.

Më tutje, Apostolova ka thënë se nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane, përfshirë Beogradin dhe Prishtinën.

Ajo ka paralajmëruar se nuk ka mundësi që një e ardhme evropiane të anashkalojë dialogun e ndihmuar nga BE-ja, të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë i BE-s, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Apostolova ka theksuar se Bashkimi Evropian monitoron punën dhe inkurajon organet përkatëse të marrin masa dhe të sigurojnë kushte më të mira në mënyrë që të krijojnë një mjedis më të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 11 milionë e 600 mijë janë personat e prekur…