Dialogun Kosovë – Serbi nuk mund ta ndalë askush

05 janar 2019 | 09:20

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se procesi i dialogut të Brukselit për Kosovën është i paalternativë. 

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se këtë proces nuk mund ta ndalë askush. Sipas Pacollit, Kosova e dëshiron kontratën e paqes me fqinjën veriore, me të cilën Serbia obligohet ta njohë Kosovën shtet i pavarur dhe sovran. 

“Republika e Kosovës e dëshiron dialogun dhe dëshiron kontratën e madhe të paqes. Me këtë kontratë, Serbia obligohet ta njohë Republikën e Kosovës menjëherë dhe mos ta pengojë më Kosovën në integrimet e saj euroatlantike. Besoj shumë se ky dialog do të ndodhë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë proces, sepse dialogu është një evolucion i kohës moderne”, ka thënë Pacolli.

Shefi i diplomacisë i ka ftuar partitë politike për unitet në dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se, nëse nuk do të ketë unitet të plotë, Kosova mund të çalojë në këtë proces.

“Unë kërkoj vetëm unitet politik. Nëse nuk ka unitet politik ne do të çalojmë në këtë proces. Sot ekipi negociator për dialog duhet të punojë në harmoni me presidentin e vendit. Presidenti deri sot ka qenë autori i dialogut dhe unë jam i bindur se presidenti ka vullnet të bisedoj dhe të bashkëpunojë me delegacionin shtetëror të dialogut”, ka thënë Pacolli.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i kosovarëve që po presin viza pune nga shteti…