Dimensionet e sigurisë 2018

29 dhjetor 09:17

Shkruan: Tahir Ahmeti

Institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta kenë të qartë se rruga për ta zhvilluar Kosovën as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë e lehtë. Kosova ka mjaftueshëm armiq të jashtëm që në agjendat zyrtare kanë objektiv parësor shuarjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës

Në vitin 2018 investimi kryesor duhet të orientohet në siguri dhe stabilitet. Në nivel të njëjtë duhet fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ky nuk do të jetë vit i lehtë. Por, assesi nuk është dhe nuk do të jetë viti i fundit i sfidave të Kosovës. Prandaj, edhe mund të shërbejë për t’i avancuar dimensionet themelore të shtetit: sigurinë dhe zhvillimin.

Institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta kenë të qartë se rruga për ta zhvilluar Kosovën as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë e lehtë. Kosova ka mjaftueshëm armiq të jashtëm që ne agjendat zyrtare të tyre kanë objektiv parësor shuarjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Serbia me agjendën territoriale vazhdon synimet e kamotshme për kontrollimin e Kosovës si gjoja pjesë integrale të saj, sigurisht me metodat të tjera, porse qëllimi mbetet i njëjtë: Kosova nën autoritetin politik serb. Kjo logjikë është dëmtuese jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin. Ballkani, i lodhur nga plagët e luftës, assesi nuk ka gjetur rrugën drejt pajtimit, stabilizimit dhe integrimit. Edhe këtu Serbia mbetet faktore ndarëse dhe e pandëshkuar.

Dialogu në Bruksel është keqpërdorur në mënyrë të vrazhdë dhe si i tillë duhet riformatizuar, sepse efektet që ka pritur Kosova as për së afërmi nuk janë realizuar. Përkundrazi, hapja e kapitujve të rëndësishëm për Serbinë në negociatat me BE-në tregon për një lloj përfitimi krejtësisht të hapur të Serbisë nga ky proces.

Më tutje, krizat e vazhdueshme në Kosovë i konvenojnë dhe, madje, edhe mund të nxiten në një masë nga Federata Ruse. Një politikë e ashpër e Rusisë ndaj vendeve të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, tashmë është një prej çështjeve gjerësisht të konstatuara nga nivelet e sigurisë dhe institucioneve të tjera. Edhe brenda Kosovës, por edhe në raport me Kosovën, Rusia duket qartë se ka marrë pozicion dëmtues, shtrembërues dhe kaosnxitës. Kjo nuk është lehtësisht e tejkalueshme, duke pasur parasysh edhe faktin se institucionet publike të Kosovës ballafaqohen me sfida të ndryshme qoftë në aspekt të kapaciteteve, qoftë të besimit publik në to.
Dimensionet e tjera të sigurisë për vitin 2018 përfshijnë edhe aspektet e të ashtuquajturave “temat e mëdha”.

Kosova edhe më tutje nuk ka zgjidhur problemin e demarkacionit me Malin e Zi, një problem ky i nisur qartësisht si pasojë e një gabimi institucional para nënshkrimit të asaj marrëveshje, në gusht të vitit 2015. Të gjithëve na kujtohet se një Rezolutë e Kuvendit të Kosovës kishte obliguar Qeverinë e atëhershme të mos nënshkruajë marrëveshjen para se kjo të diskutohej në Kuvend. Sidoqoftë, mosrespektimi i asaj Rezolute doli të jetë një prej temave më të mëdha që i kanë ndodhur Kosovës gjatë këtyre viteve.

Një temë tjetër, gjithsesi e madhe, është Gjykata Speciale. Kjo është temë e madhe, pavarësisht se sa do të mund të jetë numri i të akuzuarve apo niveli i tyre. Veç fakti që ekziston një gjykatë e tillë mono-etnike është një temë jo lehtësisht e kapërcyeshme.
Dimensioni i përhapjes së ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm është, po ashtu, një çështje e hapur dhe e vazhdueshme. Sidomos, me faktin e pritur që në Kosovë të kthehen edhe disa dhjetëra kosovarë që tashmë gjenden në zonat e konfliktit.

Marrë në përgjithësi, mund të vlerësohet se viti 2018 do të jetë vit me plot sfida. I tillë viti 2018 duhet të orientohet edhe kah përmirësimi i jetës së qytetarëve. Zakonisht, vendet që kalojnë nëpër sfida të mëdha, mund të përfitojnë edhe mundësi të mëdha.
Për një jetë më të mirë, më të begatë për qytetarët.

Autori është njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati,…