Diplomacia është paraqitur keq

24 korrik 2021 | 11:26

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka kritikuar diplomacinë e Kosovës. Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia e Kosovës gjatë 4-5 vjetëve të fundit nuk ka treguar performancë të mirë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Gashi ka thënë se kjo traditë nuk ka ndryshuar as në qeverinë Kurti 2.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia e Kosovës ka një kohë relativisht të gjatë (4-5 vjetët e fundit) që nuk është duke treguar paraqitje të mirë. Qeveria Kurti 2, si duket, nuk e ka prioritet rregullimin e kësaj ministrie. Edhe ministrja aktuale, pavarësisht prej respektit për ‘bacgroundin’ e saj familjar, ka pasur paraqitje të dobët”, ka thënë Gashi.

Ai ka deklaruar se ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ia ka huq keq në disa raste. Sipas tij, kryediplomatja e vendit disa herë ka mbajtur qëndrime personale dhe partiake karshi interesave të vendit.

“Sa iu përket deklaratave të saj, ministrja Gërvalla jo rrallëherë ia ka huq keq, duke mbajtur qëndrime personale dhe partiake karshi çështjeve që mund të cilësohen të interesit nacional, të cilat ajo do të duhej t’i mbronte. Ka mbajtur qëndrim të butë, me tone pajtuese me homologun serb në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Madje duke mos i njohur faktet historike, e ka paraqitur edhe palën serbe viktimë të gjenocidit. Kjo është e patolerueshme”, ka thënë Gashi, duke shtuar se edhe kualifikimet e saj për realitetin në Kosovë të mbajtur para institucioneve të BE-së nuk kanë qenë në përputhje me vlerësimet dhe raportet ndërkombëtare për Kosovën.

Ai ka shtuar se MPJ-ja duhet të jetë lokomotiva që çon përpara afirmimin e Kosovës si shtet. “Diplomaci konvencionale shumë aktive, diplomaci publike dhe lobing të fuqishëm për të arritur njohje të reja dhe anëtarësime të reja. Promovim të aseteve ekonomike të Kosovës tek investitorët e huaj. MPJD-ja duhet të jetë edhe një lloj rregullatori për punën e ministrive të tjera, për ta rritur efiçencën e punës së tyre, në çështjet që kanë të bëjnë me krijimin e një mjedisi miqësor për investitorët dhe firmat e huaja që duan të investojnë në Kosovë”, ka thënë Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, qeveria Kurti ka mbushur 100 ditë të punës. Cili është vlerësimi juaj për politikën e jashtme të Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore?
Gashi: Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia e Kosovës ka një kohë relativisht të gjatë (4-5 vjetët e fundit) që nuk është duke treguar performancë të mirë. Qeveria Kurti 2, si duket, nuk e ka prioritet rregullimin e kësaj ministrie. Edhe ministrja aktuale, pavarësisht prej respektit për ‘bacgroundin’ e saj familjar, ka pasur performancë të dobët. Ajo fillimisht, pas marrjes së detyrës, kishte një intervistë mjaft të ekuilibruar dhe të arsyeshme, duke deklaruar se do të kërkojë kohën e duhur për të studiuar se çfarë duhet ndryshuar në MPJ dhe në shërbimin diplomatik dhe konsullor. Unë kisha një fije optimizmi se ajo do të merrej me riparimin e veprimeve jo të duhura të kryera nga pararendësit e saj. Rezultoi se ajo bëri gabime të njëjta, duke bërë shkarkime pa asnjë analizë, as raport paraprak të performancës së diplomatëve, madje duke i falënderuar ata për punën e tyre vendosi t’i shkarkonte një numër të madh të ambasadorëve politikë, ani pse shumica e tyre ishin brenda mandatit të rregullt të tyre. Kjo përpos që la shije të keqe te vendet pritëse, krijoi edhe një presedan të keq, madje edhe mund të cilësohet më vonë si shkelje ligjore.

“Epoka e re”: Gjatë kësaj kohe jo rrallë është kritikuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, për qëndrimet që ka mbajtur. A besoni se ka qenë në nivelin e punës së saj kryediplomatja e Kosovës?
Gashi: Sa iu përket deklaratave të saj, ministrja Gërvalla jo rrallëherë ia ka huq keq, duke mbajtur qëndrime personale dhe partiake karshi çështjeve që mund të cilësohen të interesit nacional, të cilat ajo do të duhej t’i mbronte. Ka mbajtur qëndrim të butë, me tone pajtuese me homologun serb në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Madje duke mos i njohur faktet historike e ka paraqitur edhe palën serbe viktimë të gjenocidit. Kjo është e patolerueshme. Më pastaj edhe qëndrimet dhe kualifikimet e saj për realitetin në Kosovë të mbajtur para institucioneve të BE-së shpeshherë nuk janë në përputhje me vlerësimet dhe raportet ndërkombëtare për Kosovën.

“Epoka e re”: Në rrethanat aktuale, cili duhet të jetë roli i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës?
Gashi: Padyshim MPJD-ja duhet të jetë lokomotiva që çon përpara afirmimin e Kosovës si shtet. Diplomaci konvencionale shumë aktive, diplomaci publike dhe lobing të fuqishëm për të arritur njohje të reja dhe anëtarësime të reja. Promovim të aseteve ekonomike të Kosovës tek investitorët e huaj. MPJD-ja duhet të jetë edhe një lloj rregullatori për punën e ministrive të tjera për ta rritur efiçencën e punës së tyre, në çështjet që kanë të bëjnë me krijimin e një mjedisi miqësor për investitorët dhe firmat e huaja që duan të investojnë në Kosovë.

“Epoka e re”: Deri më tani kanë ndodhur dy takime në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si i keni parë këto takime?
Gashi: Nuk do të doja t’i komentoja shumë sepse ende s’ka asnjë përparim që mund të komentohet. Si duket z. Kurti po e sheh shumë të ndërlikuar këtë proces dhe po heziton të futet në të. Ai po mban qëndrime të forta. Nëse ky është qëllimi për ta bërë Kosovën palë plotësisht të barabartë dhe për ta marrë maksimumin (le të themi njohjen e shpejtë nga Serbia), atëherë kjo gjë është mirë, por nëse qëllimi është që duke mbajtur qëndrime të forta të bllokojë procesin, kjo edhe mund të ketë kosto për ne. Ende është herët të themi diçka më shumë.

“Epoka e re”: Në të dyja takimet kryeministri Kurti ka bërë propozime konkrete. A kanë qenë të duhura këto propozime?
Gashi: Propozimet duhen parë, siç thashë, të mira nëse pranohen nga ndërmjetësit, ani pse mund t`i kundërshtojë pala serbe, por nëse këto propozime nuk pranohen as nga ndërmjetësit (BE-ja dhe ShBA-ja), atëherë do të thotë se ato kërkesa, sado përmbajtjesore që mund të jenë, do të shihen si frenuese të procesit të dialogut. Sipas mendimit tim, pala e Kosovës nuk duhet të shpallet frenuese e procesit nga ana e ndërmjetësve ndërkombëtarë, sepse kjo mund të ketë pasoja për ne, siç i kemi parë në një të kaluar jo të largët kur ne u akuzuam se do ta bllokojmë dialogun për demarkacionin dhe për taksën. Nuk jam në mesin e atyre që mendojnë se dialogu ka alternativë dhe se shtetet mike duhet të mos përzihen në punët tona. Të dyja këto qëndrime i konsideroj gabime kardinale.

“Epoka e re”: Nga këto takime palët nuk janë pajtuar për asgjë rreth dialogut. Në vazhdim të procesit pritni që palët t`i ndryshojnë qëndrimet, apo do të vazhdohet në këtë mënyrë duke mos u pajtuar për asgjë?
Gashi: Nuk e di sa mund të vazhdojmë kështu, duke ditur se shtetet mike të Kosovës po kërkojnë me ngulm lëvizje në procesin e dialogut. Është herët të prognozojmë çfarë mund të jenë pasojat e këtij pozicionimi intarsigjent të palëve.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në “Tokio…