PREKAZI KRYEQYTET SHPIRTËROR I SHQIPTARISË E SIMBOL I PAVDEKËSISË KOMBËTARE

15 maj 2026 | 14:25


Ismet Sylejmani

Prekazi nuk është vetëm një fshat i Drenicës!

Prekazi është zemra e qëndresës shqiptare, është altar i lirisë, është vendi ku historia shqiptare mori trajtën më të lartë të sakrificës dhe të pavdekësisë kombëtare!

Në tokën e larë me gjak të Prekazit u shkrua epopeja më e madhe e kohës moderne shqiptare!

Në Prekaz pushka e lirisë u bë betim për kombin dhe ku gjaku i derdhur u shndërrua në flamur të pavdekshëm të shqiptarisë!

Prekazi është kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, sepse aty nuk u mbrojt vetëm një familje, por u mbrojt nderi, historia dhe e ardhmja e Kombit shqiptar!

NënPrekaz u dëshmua se shqiptari mund të vritet, por nuk mund të nënshtrohet!

Në Prekaz u ngritën në këmbë shekujt e robërisë dhe aty shpërtheu fuqia e një populli që kishte vendosur të jetonte i lirë ose të vdiste me armë në dorë!

Kur përmendet Prekazi, nuk mund të mos përmendet emri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Komandantit heroik që u bë simbol i luftës për liri dhe i pavdekësisë shqiptare!

Ai bashkë me familjen Jashari, nuk zgjodhi jetën në nënshtrim, por lavdinë në sakrificë!

Bashkë me familjen e Tij heroike, Ai i tregoi tërë botës se shqiptari nuk e dorëzon as pragun e shtëpisë dhe as flamurin kombëtar!

Qëndresa titanike e familjes heroike Jashari në marsin heroik të vitit 1998 u bë kushtrim për mbarë Kombin shqiptar dhe frymëzim për qindra e mijëra luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Por para Komandantit Legjendartë UÇK-së Adem Jashari, Drenica e kuqe kishte lindur edhe një tjetër lis të madh të qëndresës titanike shqiptare, Heroin Kombëtar të pathyeshëm Tahir Meha!

Heroi i Kombit Tahir Meha ishte paralajmërimi i madh i shpërthimit të revoltës shqiptare kundër pushtimit titist jugosllav!

Në Kullën e Tij, Ai ngriti flamurin e rezistencës kombëtare shqiptare dhe i tregoi regjimit serbo-jugosllav, se shqiptari nuk i nënshtrohet dhunës dhe terrorit!

Lufta mbinjerëzore e Tahir Mehës dhe e babait të tij Nebih Mehës kundër forcave të shumta të armikut serb dhe tradhëtarëve, mbeti një nga aktet më të mëdha të krenarisë kombëtare shqiptare dhe një nga faqet më të lavdishmet të historisë së popullit shqiptar!

Nga Tahir Meha te Adem Jashari, Prekazi u bë universitet i lirisë shqiptare!

Aty brezat nuk trashëguan vetëm emra, por amanetin për liri, për dinjitet dhe për bashkim kombëtar!

Prekazi nuk lindi rastësisht Heronj!

Toka e Tij, që nga epoka e Heroit të Kombit Ahmet Delia ishte mbjellë me dhimbje, sakrificë dhe qëndresë shekullore kundër pushtuesve të ndryshëm!

Në Prekaz, kullat nuk ishin vetëm shtëpi!

Ato ishin kala të shqiptarizmës!

Në oda e Prekazit u edukuan breza me frymën e atdhedashurisë, me besën shqiptare dhe me urrejtjen ndaj robërisë shekullore!

Çdo gur i Prekazit flet shqip, çdo lis i tij ruan kujtimin e Dëshmorëve e Heronjëve dhe çdo pëllëmbë toke është e larë me gjakun e trimave që nuk pranuan të jetonin të përkulur e nëpërkëbur!

Prekazi është simbol i pavdekësisë kombëtare, sepse aty vdekja u shndërrua në jetë për Kombin!

Pas Prekazit, Kosova nuk mund të ndalej më!

Zëri i pushkëve të Prekazit jehoi në të gjitha trojet shqiptare dhe zgjoj ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodheshin!

Sot, Prekazi është vend pelegrinazhi kombëtar!

Shqiptarët shkojnë atje jo vetëm për të bërë homazhe, por për të marrë forcë shpirtërore dhe për të kujtuar se liria nuk erdhi dhuratë!

Ajo u fitua me gjak, me sakrificë dhe me qëndresë të pashembullt mbinjerëzore!

Prekazi do të mbetet përjetësisht simbol i krenarisë shqiptare!

Emrat e Tahir Mehës e Mehajve dhe Adem Jasharit e Jasharajve, janë të skalitur në historinë e kombit si dy shtylla të pavdekshme të rezistencës shqiptare!

Ata nuk jetuan për veten e tyre, por për lirinë e popullit dhe për dinjitetin e shqiptaruse!

Lavdi e përjetshme Brumit të lirisë, Heroit të Kombit Tahir Meha!

Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar të UÇK-së, Heroit të Kombit Adem Jashari!

Lavdi Prekazit Legjendar, kryeqytetit shpirtëror të shqiptarëve!

Prishtinë,13 Maj 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi…