Diplomacisë shqiptare për bisedimet me Greqinë: ‘Mos mbaj gjithë vezët në një shportë’!

19 tetor 2018 | 15:43

Prof. Lisen Bashkurti

Deklarata e bërë kohë më parë nga Qeveria Shqiptare se do të kemi “zero probleme me fqinjët” po rezulton e nxituar. Ndonëse shprehte në vetvete një dëshirë dhe vullnet të mirë për marrëdhëniet me fqinjët, këto janë të pamjaftueshme, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo po vihet re në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet me Greqinë. Pas shumë retorike politike dhe ecejakesh diplomatike situata aktuale duket të jetë e ngrirë dhe në mjaft aspekte e paqartë. Dorëheqja e ish ministrit të jashtëm grek, Kotzias këto ditë e ka mjegulluar akoma më keq perspektivën. 

Mjerisht nuk mund të futemi në detajet e ecurisë së bisedimeve shqiptaro-greke të kohëve të fundit, të cilat do të kërkonin mirinformim nga diplomacia publike shqiptare, gjë që dukshëm mungon. Mungesa e transparencës ka krijuar një mjegullnajë informative, që na bën të konsiderojmë si burim analize vetëm deklaratat politike e burimet mediatike në dy anët e kufirit Shqipëri-Greqi.

Bazuar në deklaratat politike dhe burimet mediatike shqiptare dhe greke arrijmë në disa konkluzione, të cilat ndonëse nuk mbështeten në burime të mjaftueshme informacioni sërish tërheqin vëmendjen për mënyrën sesi të dy palët i janë qasur agjendës bilaterale. Të dy palët kanë vënë në tryezën e bisedimeve një agjendë të shtrirë në një hark kohor gati një qindvjeçar dhe me afro dhjetë problematika themelore. E gjithë kjo agjendë njëqindvjeçare me dhjetë probleme në qendër, thuhet se do formalizohet me një sërë marrëveshjes në kuadër të një traktati të vetëm dy palësh.

Nga retorika politike e propagandistike kjo tërësi marrëveshjes në kuadër të këtij traktati të pritshëm serviret si zgjidhje e artë e gjithë problemeve të trashëgimisë historike, të tranzicionit dhe të atyre aktuale midis dy vendeve. Kemi të bëjmë me probleme të kohës së Luftës së Dytë Botërore, me Ligjin e Luftës, me eshtrat e ushtarëve grek, me demarkimin e kufirit tokësor, me delimitimin e kufirit detar, me aspekte të dokumenteve të emigrantëve shqiptar, me çështjen e njohjes së patentave të makinave, me adresimin e problemit të toponimeve e ca probleme të tjera.

Nga kjo agjendë e shtrirë një shekullore dhe e stërmadhe në problematika tërheqin vëmendjen dy aspekte: së pari, fshirja nga agjenda e çështjes Çame, dhe së dyti, përzierja prioriteteve madhore strategjike si delimitimi i kufirit detar Shqipëri-Greqi me prioritete të dorës së dytë e tretë pa rëndësi strategjike si fjala bie eshtrat e ushtarëve grekë apo patentat e shoferëve shqiptarë. E gjithë kjo ”lëndë” po përfshihet brenda një procesi tej mase të shkurtër kohor. Thuhet, gjithashtu, se ky proces do hapë një faqe të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.  

Diplomacia shqiptare tanimë duket se ka rënë në një kurth taktik diplomatik të rëndë që mund të ketë pasoja të pariparueshme ose vështirësisht të riparueshme. Në negociatat me Greqinë diplomacia shqiptare ka futur “gjithë vezët në një shportë”, pra ka luajtur me skenarin me rrezikshmërinë më të lartë.

Në këtë shportë çështje madhore janë fshirë, si çështja Çame ndërkohë që çështje strategjike, siç është delimitimi kufirit detar, janë përzierë me çështje të dorës së dytë e tretë ose të konjukturës, siç është njohja e patentave të shoferëve.

Qartazi kjo ka qenë taktikë diplomatike greke, me synimin që çështjet madhore të hiqen nga dosja diplomatike, ose çështjet strategjike të përzihen me çështje të rëndomta. Në këtë grackë duket se ka rënë diplomacia shqiptare.

Në këtë grackë ‘uji u turbullt përzihet me foshnjën’.   

Për diplomacinë greke agjenda Shqiptaro-Greke që përfshinë një hark kohor njëqindvjeçare dhe dhjetë problematika njëherësh, ose e thënë metaforikisht “gjithë vezët në një shportë” është disi më e lehtë. Në Greqi kemi të bëjmë me një diplomaci shtetërore gati dyqindvjeçare. Shkolla greke e diplomacisë është një mpleksje e ngritur mbi trashëgiminë e diplomacisë një mijëvjeçare të Bizantit, e pasuruar me vlerat e diplomacisë së familjeve aristokrate Habsburge si dhe me shkollën diplomatike Britanike. Në një farë kuptimi shkolla greke e diplomacisë është nga më të vjetrat dhe më të konsoliduarat në Ballkan. Ajo ka dije, kulturë, profesionalitet, kontinuitet dhe eksperiencë për ta përballuar shtrirjen kohore njëqindvjeçare dhe tërësinë e problematikave në “një shportë të vetme”.

Nga ana tjetër, edhe pozita ndërkombëtare e Greqisë është më e lartë dhe më e konsoliduar se e Shqipërisë. Prandaj, shkalla e rrezikut për diplomacinë Greke është më e vogël. 

Nga ana tjetër e tryezës, diplomacia shqiptare, për hir të vërtetës duhet të pranojmë se është me e re, rreth njëqindvjeçare. Nga 1912- 1928 diplomacia shqiptare ishte spontane, pa establishment, pa profesionalitet, pa përvojë dhe pa kontinuitet. Ndërkohë problematikat me fqinjët, përfshirë edhe Greqinë akumuloheshin pambarimisht. Regjimi i Mbretit Zog brenda një kohe të shkurtër hodhi bazat e diplomacisë, por me një efikasitet të brishtë. Lufta e Dytë Botërore ndërpreu Mbretërinë Shqiptare e bashkë me të edhe diplomacinë e saj. Në regjimin komunist diplomacia shqiptare ishte instrument i indoktrinuar, i ideologjizuar dhe pjesë e makinerisë propogandistike të regjimit. Diplomacia e komunizmit u bë instrument i vetizolimit. Natyrisht, brenda sistemit të Luftës së Ftohtë diplomacia shqiptare arriti që të përballonte disa problematika dhe sfida, të cilat shërbyen si përvojë për një ardhje diplomatësh që u kulturuan, u formuan dhe u aftësuan profesionalisht. Mbas viteve ’90-të gjatë transformimit të sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit, diplomacia u bë tagër i goditjeve radikale politike, gjë që solli si pasojë dëmtimin e trashëgimisë, profesionalitetit dhe kontinuitetit të saj.

Rotacionet politike të tranzicionit shqiptar goditën herë pas here establishmentin diplomatik shqiptar. Ndryshimet e motivuara politikisht varrosën një pjesë të madhe të vlerave të diplomacisë shqiptare, duke e shndërruar atë shpesh në shtojcë të strukturave partiake dhe pjesë të politikave ditore. Diplomacia në një masë të madhe humbi establishmentin, profesionalitetin, përvojën, kontinuitetin dhe strategjinë afatgjate. Sot një diplomaci e tillë e ka shumë të vështirë, në mos të pamundur që të verë në tryezë një agjendë me hark kohor njëqindvjeçar dhe me dhjetë problematika njëherësh.

Kohë më parë kemi ngritur këtë shqetësim në media. Reagimet zyrtare kanë qënë të zbehta. Tani që duket se ecuria e bisedimeve diplomatike Shqiptaro-Greke është e ngrirë dhe në mjaft aspekte e paqartë dhe kur kriza Greke pas dorëheqjes së Kotzias po prek edhe diplomacinë, po tërheqim sërish vëmendjen e diplomacisë shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë: “Mos i mbani gjithë vezët në një shportë!”

Ky gabim taktik ka dy rreziqe të mëdha. Së pari, ai mund të shndërrohet në një krizë politike serioze në marrëdhëniet midis dy vendeve. Le të kujtojmë se Marrëveshja e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë ka adresimin vetëm të një problemi dhe ka prodhuar situatë shumë serioze dhe të paparashikueshme. Ndërkohë tekst – marrëveshjet Shqipëri-Greqi që synojnë të adresojnë një shtrirje kohore një shekullore dhe shumë problematika njëherësh mund të shndërrohen nesër në një krizë politike shumë më serioze me pasoja për dy vendet dhe Rajonin si dhe me mundësi bllokuese nga Greqia të ecurisë së integrimit të Shqipërisë në BE. Nga ana tjetër, në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, kalimi në Parlament i tekstit të këtyre marrëveshjeve do ishte një veprim shumë i nxituar dhe me pasoja shumë të rënda dhe të paparashikueshme.

Në këtë situatë të komplikuar dhe tejet të paqartë vetëm Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta po mban një qëndrim kushtetues, njëkohësisht parandalues e të matur e diplomatik. Sytë e politikës, opinionit publik e mediatik janë mbërthyer tek Presidenti Meta. Vërtetë Presidenti Meta është garanti  i Kushtetutës dhe mbrojtjes i unitetit dhe interesit kombëtar. Vërtetë që presidenti Meta po luan fort edhe në diplomaci. Por, institucioni i Presidentit nuk mund të shndërrohet as në Gjykatë Kushtetuese dhe as në shërbim diplomatik. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka qartazi të përcaktuara kompetencat e presidentit, ato të Gjykatës Kushtetuese dhe të ekzekutivit ku bën pjesë diplomacia. Dhe presidenti Meta me formimin dhe përvojën e gjatë politike, administrative dhe diplomatike po vepron brenda kompetencave të tij kushtetuese. As më shumë dhe as më pak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur…