Disa të vrarë nga sulmi në një akademi ushtarake në Afganistan

11 shkurt 2020 | 13:27

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se nga shpërthimi kanë vdekur pesë persona, por zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi tha se numri viktimave është gjashtë.

Në mesin e të vrarëve janë katër pjesëtarë të ushtrisë dhe dy civilë.

Rahimi ka thënë se 12 persona të tjerë janë plagosur, përfshirë pesë civilë.

Asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin, i cili ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit sipas kohës lokale, derisa punonjësit dhe kadetët po hynin në akademi.

Akademia ka qenë cak i disa sulmeve në të kaluarën, përfshirë një sulm në maj të vitit të kaluar, përgjegjësinë e të cilit e mori grupi ekstremist Shteti Islamik (ISIS).

Sulmi i fundit vjen ndërsa negociatorët amerikanë dhe talibanët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të mundshme paqeje, për t’i dhënë fund luftës gati dy dekadëshe.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e quajti sulmin “një krim kundër njerëzimit” dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim mbarëkombëtar.

Mijëra të vdekur në përpjekjet për rindërtimin e Afganistanit

Aktivitetet e rindërtimit dhe të stabilizimit në Afganistan kanë lënë 5.135 njerëz të vrarë ose të plagosur, gjatë një periudhe prej 17 vjetësh pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.

Sipas një raporti të Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-së për Rindërtimin në Afganistan (SIGAR), 2.214 njerëz janë vrarë gjatë realizimit të projekteve kryesisht të udhëhequra nga SHBA-ja, për të rindërtuar vendin.

SIGAR, që monitoron shpenzimet prej miliarda dollarësh të cilat Uashingtoni i shpenzon në vendin e shkatërruar nga lufta, tha se vdekjet ishin rezultat i sulmeve të talibanëve dhe grupeve tjera militante nga viti 2002 deri më 2018.

Hulumtimi gjithashtu identifikon 1.182 individë që ishin rrëmbyer ose u zhdukur, gjatë kësaj periudhe.

Më shumë se 70 për qind e të vrarëve ose të plagosurve dhe rreth 86 për qind e atyre që janë rrëmbyer ishin afganë, kryesisht civilë, sipas raportit të titulluar “Kostoja njerëzore e rindërtimit”.

Vdekjet përfshijnë 284 amerikanë, civilë dhe ushtarakë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i boksit do të nisë misionin për garën kualifikuese…