DnV-ja: Dalja në votime arrin 12 për qind deri në mesditë, komunat me shumicë serbe kryesojnë me 24 për qind

07 qershor 2026 | 13:36

Dalja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës deri në orën 12:00 ka arritur në 12 për qind në nivel vendi, ndërsa komunat me shumicë serbe kanë shënuar dalje deri në 24 për qind. Kështu ka bërë me dije Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) në një konferencë për medie.

Cakolli ka thënë se rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt janë ato që kanë regjistruar daljen më të madhe të votuesve deri në mesditë.

“Deri në orën 12:00 dalja në nivel vendi është 12 për qind e votuesve, vërehet që komunat me shumicë serbe kanë dalje në votim që kanë deri në 24 për qind. Rajoni i Prishtinës dhe i Ferizajt janë rajonet që kanë regjistruar daljen më të madhe”, ka thënë ai.

Cakolli ka theksuar se krahasuar me zgjedhjet e kaluara, pjesëmarrja është më e ulët, por sipas tij deri tani nuk janë evidentuar parregullsi serioze që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Dalja e votuesve në periudhë të njëjtë kohore ishte 13.7 për qind. Është raportuar që nuk ka pasur parregullsi serioze që mund të kenë ndikim në mbarëvajtjen e procesit. Mangësitë kryesore përfshijnë problemin me praninë e votuesve në vendet e gabuara. KQZ ka njoftuar me kohë votuesit për vendvotimet”, ka thënë ai, raporton EO”.

Sipas Cakollit, është shënuar rënie e madhe e rasteve të votimit me asistencë, ndërsa janë evidentuar edhe raste të votimit me dokumente të skaduara dhe fotografim të votës.

“Kemi raportime vetëm 0.1 për qind e votuesve kanë votuar me asistencë. Kemi një rënie mbi 90 për qind të votimeve të tilla. Në 3 për qind të vendvotimeve ka pasur raste ku deri 10 raste të paevidentuara të votimit me asistencë. Votimi me dokumente të skaduara, në 14 për qind  të vendvotimeve ka pasur raste të tilla. Deri në ora 12:00 janë raportuar 12 raste të fotografimit të votës”, ka thënë Cakolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e…