Dodiku: Bosnjë-Hercegovinën nuk do ta shpëtojë as NATO-ja

23 nëntor 2023 | 08:11

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, tha dje se Bosnjë-Hercegovina nuk do të shpëtohet as nga NATO, nëse një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare vazhdon të punojë për ta shkatërruar Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës, dhe boshnjakët nuk e kuptojnë se ky akt është garanci për mbijetesën e shtetit ekzistues.

“Nëse sjellja e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare vazhdon në drejtim të rrënimit të Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës dhe myslimanët nuk e kuptojnë se Kushtetuta është garanci e mbijetesës së këtij lloji të Bosnje-Hercegovinës, NATO nuk do ta ruajë atë”, ka shkruar Dodik në X

Dodik deklaroi se në BeH “nuk ka kërcënime secesioniste, siç pretendoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg”, i cili vizitoi Sarajevën dy ditë më parë, dhe shtoi se “shkatërrimi i rendit kushtetues me qëllim të unitarizimit të detyruar” është në skenë në BeH.

“Çdo kundërshtim ndaj unitarizimit shpallet secesionizëm. Deklarata të tilla të Stoltenberg nuk janë befasuese, duke qenë se nuk ishte e mundur të dëgjohej zëri i Republikës Serbe në takimet në Sarajevë (me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s), përveç kur ishte i pranishëm (anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së, Zheljka) Cvijanoviq”, shtoi Dodik.

Ai deklaroi se është “e pakuptueshme” që Stoltenberg humbi mundësinë për të dëgjuar zërin e ministrave nga Republika Serbe në takimin e Këshillit të Ministrave të BeH, duke shtuar se “atëherë ai nuk do ta kishte lënë BeH të keqinformuar”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri hungarez Viktor Orban po kërcënon të bllokojë të gjithë…