Doli nga shtypi libri “Pikëllimi i bimëve” i Pal Ndrecajt

27 shkurt 2024 | 14:20

Ka dalë nga shtypi libri me poezi “Pikëllimi i bimëve” i poetit Pal Ndrecaj botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

Për librin nga një mendim kritik kanë shprehur Agron Tufa, Adem Gashi, Besim Muhadri, Flamur Maloku.

Libri ka një parathënie nga Agron Tufa dhe një pasthënie nga Adem Gashi.

Poezitë e vëllimit të ri poetik të poetit dhe prozatorit Pal Ndrecaj më dhanë një nga kënaqësitë e veçanta e të paharrueshme, por edhe të rralla në poezinë tonë, sa herë që ndeshim në art të bërë me dashuri e brishtësi.

Agron Tufa

Duke lexuar dorëshkrimin e Pal Ndrecajt përjetova një ngasje, nga ato të rrallat,  dhe një tundim nga më të fortit: Do t’ia dal, vallë, të them gjë për të qenë në kuptimin akseologjik për kuotën e vlerave estetike të tij?

Adem Gashi

Pal Ndrecaj që në librin e parë “Lule mbi plagë” ka zgjuar vëmendjen për një poezi që shpërfaq një autor me talent të veçantë. Ky libër mund të themi lirisht se vetëm sa i forcon mendimet e mëhershme, tani duke marrë “etiketën” e një poezie elitare.

Prof. dr. Besim Muhadri

Sa herë që Pal Ndrecaj shkruan poezi unë ndiej kënaqësi. Ai edhe reagimet, ashtu si poezitë, i ka të buta. I ka lirike. Herë ironizon, herë thumbon. E njeh mirë edhe strukturën e strofave, edhe ritmin e vargut.  Sa më shumë që po hyn në moshë, aq më i këndshëm e lirik më i mirë po bëhet.

Flamur Maloku

Shënime për autorin

Pal Ndrecaj (1960) lindi në Moglicë të Gjakovës. Ka studiuar Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar: Lule mbi plagë, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1993; Akti i krijimit, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1998; Lista e zezë, roman, Klubi Letrar Gj. N. Kazazi, Gjakovë, 2010; Lista e zezë, botimi i dytë, Om, Prishtinë, 2019; Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë, poezi, Armagedoni, Prishtinë, 2019. Ka punuar mësimdhënës dhe gazetar. Jeton në ShBA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave për të dytin…