Trumpi, i pafajshëm

05 shkurt 2020 | 22:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u lirua nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat përbëjnë bazë për shkarkim nga detyra.

Senati i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Partia Republikane e presidentit, votoi të mërkurën për shfajësimin e tij.

Votimi u zhvillua veç e veç për të dyja akuzat.

Për akuzën e parë – abuzim të pushtetit – 52 senatorë votuan për shfajësimin e presidentit, ndërsa 48 për fajësimin e tij.

Ndërkaq, për akuzën e dytë – pengim të punës së Kongresit – 53 vota ishin për shfajësim, 47 për fajësim.

“Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, nuk është gjetur fajtor”, tha pas votimit gjykatësi John Roberts, i cili kryesoi gjykimin.

Për shkarkimin e presidentit nga detyra do të duheshin dy të tretat e votave të Senatit prej 100 anëtarësh.

Nga Partia Republikane vetëm Mitt Romney votoi për fajësimin e tij për abuzim të pushtetit.

Akuzat kundër Trumpit janë ngritur në muajin dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, e udhëhequr nga demokratët.

Trump është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që është përballur me mundësinë e fajësimit nga Senati dhe rrjedhimisht shkarkimin nga detyra.

Sipas akuzave të ngritura, Trump i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për rivalin e tij politik, Joe Biden.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump është akuzuar për mbajtjen e dy gjërave pezull: të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe të një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump është akuzuar edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë zbardhur detaje nga takimi që Sekretari amerikan i Shtetit…