Donika Gërvalla nënshkruan aktin nënligjor për çmimin “Sali Çekaj”, vendim i ngjashëm ishte marrë edhe nga Hajredin Kuçi në vitin 2011

22 qershor 2026 | 12:05

Në 70-vjetorin e lindjes së Heroit Sali Çekaj, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka nënshkruar aktin nënligjor që rregullon ndarjen e çmimit “Sali Çekaj”, i dedikuar personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Gërvalla ka vlerësuar lart figurën e Sali Çekajt, duke theksuar se ai nuk mbetet vetëm një nga komandantët e shquar të UÇK-së dhe një politikan vizionar, por edhe një jurist i rrallë, i guximshëm dhe i përkushtuar ndaj drejtësisë.

“Figura e Sali Çekajt, krahas rolit të tij si komandant i UÇK-së dhe politikan vizionar, rrezaton edhe si figurë e një juristi të rrallë, të guximshëm, mendjemprehtë dhe të vendosur. Ai vazhdon të frymëzojë breza të tërë juristësh në vendin tonë. Le të jetë ky çmim një kontribut modest në lartësimin e figurës madhështore të Heroit Sali Çekaj”, ka deklaruar Gërvalla.

Megjithatë, ndarja e çmimit për drejtësi “Heroi Sali Çekaj” nuk është një praktikë e re. Një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe në vitin 2011 nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë mandatit të tij në Qeverinë Thaçi.

Më 22 korrik 2013, në një ceremoni të organizuar nën patronatin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Ministria e Drejtësisë ndau çmimin për drejtësi “Heroi Sali Çekaj”. Në këtë ngjarje morën pjesë presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, ministra, ambasadorë, përfaqësues të EULEX-it, Zyrës së Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të gjykatave, prokurorive dhe institucioneve të tjera.

Atë vit, çmimi iu nda të gjithë anëtarëve të Komisionit Kushtetues që hartoi Kushtetutën e parë të Republikës së Kosovës: Jakup Krasniqi, Eqrem Kryeziu, Arsim Bajrami, Blerim Shala, Gjyljete Mushkolaj, Mahir Yagcilar, Ramë Manaj, Kadri Kryeziu, Ilaz Ramajli, Xhevdet Neziraj, Riza Smaka, Fatmir Fehmiu, Bajram Latifi, Ramadan Kelmendi, Skender Hyseni dhe Lirije Osmani.

Ndërkaq, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, çmimi iu nda gjyqtareve të Gjykatës Supreme, Meleqe Behxheti dhe Nesrin Lushta. Po ashtu, me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, çmimi iu nda prokurorëve Besim Kelmendi dhe Idain Smajli për punën dhe kontributin e tyre profesional.

Fakti që çmimi “Heroi Sali Çekaj” është ndarë edhe më herët ngre çështjen nëse akti i ri nënligjor i nënshkruar nga Gërvalla përbën një rregullim të ri procedural apo një vazhdimësi të praktikës së vendosur nga Ministria e Drejtësisë vite më parë.

Çmimi “Heroi Sali Çekaj” është çmimi më i lartë që jepet nga Qeveria për kontribut të jashtëzakonshëm për drejtësinë në Kosovë, brenda apo jashtë vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Profesor Mentor Bajraktari Shqetësuese është ankthi dhe stresi tek…