Dorëheqja e pamenduar e Haradinajt

05 gusht 2019 | 11:04

Nga: Alfons Grishaj

Mediat dhe opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar u njohën me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj. Pothuajse në mënyrë unanime ai u përshëndet nga mediat shqiptare, prononcimet në “Facebook”, portalet private etj… duke u quajtur “një hero”, një njeri me përgjegjësi dhe vetëdije të lartë, i cili sa herë ka “nevojë” Haga për hulumtime dhe pyetje ekstra… ai jep dorëheqje.
Pikërisht këtu nis dhe zanafilla e kritikës sime…
Oh what times! Oh what customs ! (Ciceroni)
Ramush Haradinaj, një luftëtar i thekur lirie, nuk duhet të binte në grackat e antishqiptarëve dhe “eminencave gri” që falen në Serbi. Tashmë ai e kishte përvojën dhe nuhatjen e politikanit të rritur në aksione dhe diplomaci. Populli i Dardanisë dhe Kuvendi i saj i dha dhe një mandat tjetër për t’i shërbyer atdheut në mënyrë të zgjuar e rigoroze, për ta nxjerrë nga kolapsi, korrupsionin dhe pazaret e ndyra të ish-bashkëpunëtorëve të tij, të cilët bënin… dhe bëjnë akoma rolin e protagonistëve paqësorë dhe politikanëve profesionistë por që, në fakt, nuk janë asgjë tjetër veç ca servilë, dallkaukë dhe puthadorë të kambanave të vjetra antikombëtare. Haradinaj me veprimin e vet dhe, mbase, edhe këshillat e këqija, i bëri një dëm të konsiderueshëm popullit të vet duke hapur portat e kështjellës për kalin trojan.
Lidhur me akuzën, Haradinaj ia dha mundësinë disa herë Gjykatës së Hagës (për të cilën ruaj respekt por që, çuditërisht, ky Tribunal që guxon ta thërrasë Haradinaj disa herë, nuk guxon të arrestojë një ushtar të vetëm amerikan që është i akuzuar si Haradinaj!), dhe “gjuetarëve të shtrigave” për të bërë hulumtimet e nevojshme të specializuara. Gjithashtu, ua dha edhe privilegjin armiqve të tij për fabrikimin e akuzave false. Dhe pse Karla Del Ponte do ta përkufizonte si kriminel lufte dhe trysnia e mekanizmit dinak të qarqeve jomiqësore ishte e madhe, ai mori pafajësinë. Vuçiqi do ta quante lëvizjen e fundit (dorëheqjen) të Haradinajt: “Mashtrim politik!” Por prapa kuintave nuk ndajnë të njëjtin mendim udhëheqësit e qeverive evropiane, të cilët e kanë përshëndetur për sy e faqe qëndrimin e Haradinajt por që, në fakt, janë dashnorët e Vuçiqit.

Duke e njohur këtë realitet të trishtuar alternativ e subjektiv, armiku e quan “Mashtrim politik”, kurse “miqtë” që bëjnë orgji me armikun e brohorasin?! Ky është kulmi i prostitucionit politik. Litari në dy skajet e humnerës ka qenë gjithnjë ura jonë për të kaluar në Evropë. Flip-flapet e politikanëve evropianë i kanë kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Nëse këta politikanë e quajnë vendimin e Hagës të padrejtë, përse nuk dalin hapur në mbrojtje të Haradinajt? Dihet botërisht dhe nga kalamajtë se për një akuzë që merr pafajësinë dy herë nuk mund të bëhen më hulumtime të tjera, sepse tregohet mungesë profesionalizmi dhe serioziteti. Në prag të kësaj thyerje, Gjykata e Hagës do ta merrte emrin Mejhana e Krrabës. Kjo mungesë serioziteti e institucionit të Hagës duhet ta sillte, si pasojë, injorimin total të riakuzës nga Haradinaj, por ai nuk e bëri!

Mendoj se koha e eksperimenteve dhe heroizmave ka mbaruar. Mekanizmi i zhvillimit të një shteti nuk është si mulliri, që mund ta ndalësh sa herë që bluhet mielli. Po e ndale mekanizmin e shtetit, pushon zhvillimi, ndalet ora dhe mbretëron kaosi. Ky burrë duhet ta dijë mirë këtë. Nuk bëhen eksperimente në një laborator pa lëndën kryesore dhe epruveta. Çdo eksperiment i tillë sjell dështim të shkallëzuar. Si mund ta lësh vendin tënd në amulli për t’i plotësuar kapriçot e të huajve? Ç’është kjo mendjelehtësi?! Sepse kështu i bie që sa herë t’i teket b… matrapazëve të huaj, ne duhet t’i ulim pantallonat dhe t’i themi: hajdeni o burra se këtu na keni!
Detyra ndaj atdheut është gjëja më e shenjtë që për asnjë moment nuk duhet të përzihet me pasionin dhe reaksionin personal, partiak dhe pazaret e të huajve, sepse atëherë dalim të gabuar, për të mos thënë tradhtojmë vetveten dhe kauzën e shenjtë ndaj atdheut. Përgjegjësia ndaj kombit dhe popullit tënd nuk është uni naiv, por thelbi i shtyllës imperative që buron nga ndërgjegjja dhe përgjegjësia kombëtare që në asnjë rrethanë apo moment nuk mund të tjetërsohet në aksiomë politike personale. Këtë duhet ta dijë çdo njeri që hyn në politikë dhe që kërkon ta udhëheqë popullin e vet drejt lirisë dhe prosperitetit.

Haradinaj gaboi. Gabimi i tij duhet t’i vlejë çdo shqiptari si mësim… që përpara se t’i shërbejë drejtësisë së shitur dhe urisë së verbër ndërkombëtare duhet t’i shërbejë me devocion dhe besnikëri detyrës së dhënë nga populli, pastaj ta ushqejë oreksin e portave të dallaveraxhinjve që në shekuj na nënçmuan, bile na quajtën dhe “Njerëz me bisht”!
Sikur ne te ishim me të vërtetë pjesë e Evropës dhe ajo të na donte aq fort… do të na pranonte kështu siç jemi. Atëherë do të ishim të detyruar të kryenim çdo obligim ligjor dhe moral. Po Evropa kërkon të na imponojë standarde që, fatkeqësisht, edhe ajo vetë nuk i disponon realisht.
Vëzhguesit “inteligjentë” ksenomanë mund dhe të më vërsulën: “Hej lumë miku, kohët kanë ndryshuar!”. Unë u them atyre që koha është e njëjtë! Diplomacia vazhdon pikë për pikë skenarët e vjetër… dhe oreksi i qarqeve antishqiptare ka mbetur po i njëjti. Ka ndryshuar vetëm një realitet që e injorojmë ne vetë të parët: shqiptarët janë më të fortë, janë bërë mal! Një fjalë e urtë japoneze thotë: “Mali nuk lëviz!” Pas kësaj thënie të urtë japoneze i bie që, kush të jetë i interesuar për malin, mirë se të vijë tek mali, në të kundërtën… nuk flitet më për të tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) janë…