Kërkohet strategji zhvillimore për 183 802 biznese në Kosovë

05 gusht 2019 | 11:02

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) janë të regjistruara 183 802 biznese, prej tyre 5 353 janë biznese të huaja. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re” Zyra për Informim e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Për operimin e mirëfilltë ekonomik të këtyre bizneseve po kërkohet të përgatitet një strategji zhvillimore ekonomike, pastaj t’i dërgohet qeverisë së ardhshme. Po ashtu, është kërkuar edhe unifikim i odave afariste karshi politikave qeveritare.

Njohësi i çështjeve biznesore, Lulzim Syla, ka thënë se është esencial unifikimi i odave të afarizmit në Kosovë në saje të një strategjie zhvillimore ekonomike.

“Është esencial qëndrimi i odave dhe përfaqësuesve të afarizmit. Vendi ynë është i vogël dhe dihet se cilat biznese i udhëheqin odat, përkundër ndasive që mund të ketë aty-këtu te ndonjë biznes i cili nuk do për t’ia prishur rahatinë vetes shkaku i raporteve me qeverinë. 99 për qind e bizneseve të tjera janë biznese që kanë nevojë për rritje, zhvillim dhe eksport. Mospërfillja e këtyre kërkesave shpie në zhvillim jo të duhur dhe ulje të investimeve masive siç ka ndodhur deri më tani. Është koha e fundit për një mobilizim serioz dhe profesional nëpër asociacione apo oda ekonomike, por edhe nëpër grupime të tjera, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve dhe konceptit për zhvillim ekonomik”, ka thënë Syla, duke shtuar se pos segmenteve makroekonomike, duhet dëgjuar edhe zëri i biznesit.

“Pavarësisht prej segmenteve makroekonomike, siç është puna e buxhetit dhe financave apo projektet që janë të natyrës ndërkombëtare, nuk do të thotë se ne duhet të përzihemi aty, por nuk bëjnë keq ta marrin mendimin tonë edhe për çështje të emetimit të bonove të thesarit dhe çështjeve strategjike. Ne nuk kemi nevojë ta presim formimin e qeverisë pasi bizneset vazhdojnë punën dhe kurdo që kanë mundësi bizneset, qoftë Oda Ekonomike dhe ajo Amerikane, duhet të mblidhen me anëtarët e tyre dhe të diskutohet se çfarë është e nevojshme dhe të vihet deri te një dokument përmbajtjesor, i cili do të duhej të dalë në debat dhe pastaj më së largu në tetor do të duhej t’i dorëzohej qeverisë”, ka thënë ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se OEK-u është në diskutim me partnerët për identifikimin e çështjeve kyçe që pastaj do t’i dorëzohen qeverisë. “Fokusi ynë është te ekonomia joformale, tregu i punës, shkathtësitë e fuqisë punëtore, rritja e eksportit dhe tërheqja e investimeve të huaja direkte”, ka thënë Rukiqi.
Skender Krasniqi nga Oda e Afarizmit ka bërë me dije se i kanë dorëzuar qeverisjes së kaluar strategji zhvillimore por që, sipas tij, ato strategji nuk janë përfillur.

“Ne nga fillimi i kemi përcaktuar vijat në të cilat do të duhej të shkonte Qeveria e Kosovës për zhvillimin ekonomik afatgjatë. Strategjinë apo ide ia kemi dorëzuar Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe çdo institucioni gjegjës. Duke filluar nga kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe ministrat. Fatkeqësisht, Kosova nuk ka strategji reale për zhvillim ekonomik. Deri më tani asnjë qeveri nuk ka treguar strategji reale në këtë aspekt. “Urojmë që në zgjedhjet e ardhshme të kemi një qeveri që përfundimisht do të mendojë për zhvillimin ekonomik. Qeveritë e kaluara kanë folur për ekonomi, por veprat e tyre karshi veprimeve janë të vogla”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Epoka e re”.

Ndërsa pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë është e çuditshme se për dy dekada nuk është arritur të përfillet zëri biznesor, duke filluar nga problemet me energji, papunësia dhe migrimi.

“Në vazhdimësi odat e afarizmit i kanë parashtruar problemet me të cilat ballafaqohet biznesi me vite por, për çudi, të njëjtat probleme janë bartur nga një qeveri te tjetra për të arritur në atë pikë që Kosova të jetë destinacioni i fundit për investitorët. Paramendojeni kur tërë këto qeveri për dy dekada nuk kanë arritur ta zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike. Pa marrë parasysh se çka do të parashtronin odat e afarizmit, mendoj se institucionet tona nuk do të përgjigjen pasi që në praktikë është vërtetuar një gjë e tillë. Thjesht, unë dyshoj në kapacitet e institucioneve për t’u marrë seriozisht me problemet thelbësore dhe për t’u marrë me zhvillimin real ekonomik të vendit”, ka thënë Piraj për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, bazuar në problemet prej dy dekadash, ekziston dyshimi se institucionet e vendit janë të penguara nga shërbimet serbe. “Ka dyshime se institucionet tona janë duke u penguar nga shërbimi sekret serb, se ndryshe nuk ka logjikë të jenë kaq të pavëmendshme ndaj këtyre kërkesave që me mosplotësimin e tyre arriti shkalla e papunësisë në nivelin e tillë, saqë njerëzit dhe rinia migrojnë për ta siguruar ekzistencën. Shkalla e migrimit është shumë shqetësuese, ndërsa institucionet tona në mënyrë të qetë e vazhdojnë ahengun”, ka thënë ai.

Duke folur për ndikimin që mund ta kishte një strategji e përbashkët, Piraj ka thënë se ndikimi që ka qenë për 20 vjet këtu do të vazhdojë të jetë prapë derisa nuk ndryshohet qasja e përfaqësuesve të institucioneve të vendit karshi çështjes së ekonomisë, zhvillimit të këtij sektori.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
100 transferime janë realizuar nga 12 skuadrat e Superligës deri…