Dr. Besim Muhadri boton librin ‘Esenca e mendimit letrar’

05 qershor 2020 | 23:22

Në Nju Jork botohet libri me studime letrare “ESENCAT E MENDIMIT LETRAR”, i shqiptaro-amerikanit dhe profesorit universitar, Dr. Besim Muhadri, libër i cili është një kontribut i rëndësishëm i studimit të letërsisë sonë

Adnan Mehmeti, Nju Jork

Këto ditë në Nju Jork, shtëpia botuese “Adriatic Press” ka botuar librin me kumtesa dhe studime letrare “Esencat e mendimit letrar” të anëtarit të Shoqatëse së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe profesorit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof.asoc.dr. Besim Muhadri. Libri i autorit në fjalë, i cili tash e 13 vjet zhvillon jetën në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, është i shtati me radhë në fushën e studimit letrar dhe i 22-ti në tërë opusin e tij krijues.

Librit i paraprin studimi “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, për të vazhduar me studimet “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë’, ”Tipologjia e veprës “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e  Murat Isakut”, “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij”, “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, “Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare  të  Bilal Xhaferit e të Fatos Arapit”, “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gjini, tregimtar e romansier”, “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”,  “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Libri “Esencat e mendimit letrar” i Dr. Besim Muhadri është rezultat i një pune disavjeçare të tij në fushën e studimit dhe trajtimit te temave të rëndësishme letrare, por edhte  të veprave të autorëve të shquar të periudhave të ndryshme të letërsisë sonë. Prandaj, si i tillë, me plot të drejtë thotë edhe autori në parfathënien e tij, se ai mund t’u hyjë në punë jo vetëm lexuesve, por edhe studiuesve dhe studentëve të letërsisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha në një intervistë për…