Dr. Driton Komoni, kirurg i shquar e mendjendritur, gojëmbël e duarartë

07 dhjetor 2022 | 14:52

Shkruan: Fatmir Krasniqi, arsimtar i pensionuar

Po e nis këtë shkrim duke falënderuar me gjithë zemër me mirënjohjen më të thellë për profesionalizmin e etikën e lartë njerëzore e mjekësore, përkushtimin e vetëmohimin, si dhe trajtimin e përkujdesjen që tregoi për mua!

Dr. Dritoni i tillë është edhe me të gjithë pacientët.

Për shkaqe të rënda shëndetësore, brenda dy vitesh iu nënshtrova disa operacioneve të rënda urologjiko- onkologjike.

Në janar të vitit 2020, u diagnostifikova me kancer, ku iu nënshtrova operacionit në Klinikën  Urologjike, në Prishtinë nën mbikëqyrjen e përkujdesni e jashtëzakonshëm, si dhe ndërhyrjen e suksesshme urologjiko- kirurgjike nga Dr.Taner Iusuf. Ai me profesionalizmin e rrallë arriti ta kryejë këtë operacion të rëndë duke i eliminuar qelizat kancerogjene.

Por, për fatin tim jo të mirë pas një kohe m’ u përkeqësua gjendja shëndetësore në kohën kur filloi e shpërtheu murtaja e mallkuar(pandemia). Në pamundësi për ta trajtuar rastin, Dr. Taneri e personeli i Klinikës Urologjike më udhëzuan për shërim në Turqi.

Fal familjarëve e të afërmve të mi, miqve e shokëve, e në veçanti Kolektivit të shkollës” Elena Gjika”, mësimdhënësve shumë të respektuar e të nderuar, si dhe Udhëheqësisë së shkollës, Betim Sylejmanit, drejtor,  Agnesa Rashitit, zëvendësdrejtoreshë, Nazif  Biçkut, sekretarit, nxënësve të dashur e prindërve shumë të nderuar , FSSH, si dhe miqve të mi shumë të çmuar Jahja Llukës, Lirodon Dervishaj, Afërdita Ademit,  Florim Gashit, si dhe nipit Yll Karaqicës e dhëndrit Drilon Gashi nga Amerika, unë arrita të shkoj në Turqi, në Spitalin Anadolu,” Johns Hopkins”.

Atje iu nënshtrova edhe katër operacioneve të rënda brenda një viti e gjysmë.

Isha nën përkujdesjen e urolog- onkologut të shquar Dr.Xhemilit.

Për fatin tim në atë spital qëlloi ish nxënësja e shkollës sonë Nida Shahini, përkthyese e shkëlqyer, dhe që me shumë dashuri, përkushtim e pëkujdesje bëri shumë për mua

Nidën, përjetësisht e falënderoi nga thellësia e zemrës dhe i jam  shumë mirënjohës!

Në pamundësi për të vazhduar trajtimin e mëtejmë në Turqi,tani për shkak të specifikave e natyrës së sëmundjes po detyrohem një herë në muaj të shkoj në një spital në Shkup.

Ndërkohë u përballa edhe me një problem abdominal, pothuajse që dy vite e me dhimbje shumë të forta.

E pikërisht për këtë rast timin, arsimtarja e dalluar Erlindë, e cila vullnetarisht më ka zëvendësuar për një kohë, ka biseduar me Dr. Dritonin.

Dr. Dritoni pas bisedës me thërret në celular duke u prezantua  me shumë mirësjellje e duke më caktuar për të nesërmen takimin për kontrollë në Klinikën Abdominale.

Takimi me Dr. Dritonin ishte shumë mbresëlënës dhe menjëherë krijova një vetëbesim dhe bindje të thellë.

Pas kontrollës e anamnezës në Klinikë më shoqëroi deri në Ambulancën Specialistike për t’ i rregulluar e përshpejtuar disa procedura të tjera për pranim në spital.

Në mëngjesin e hershëm të 8 nëntorit, hyri në dhomë me shumë mirësjellje, buzëqeshje e përshëndetje të ngrohtë duke m’ u drejtuar:

– Arsimtari Fatmir!

Zëri i tij më tingëlloi aq ëmbël e butësisht, si zëri i Ritës,vajzës së tij e nxënëses sime shembullore, që atëherë ishte në klasën e 6- të , e tani Rita është nxënëse shembullore dhe dalluar në kl. e 9- të.

– Arsimtar, eja se po shkojmë në sallë!

Në hyrje të sallës me një kujdes e respekt shumë të veçantë me priti e më uroi sukses kryeinfermierja Edibja, shoqe e bashkëshortes sime.

 

Kirurgu Dr. Driton Komoni dhe arsimtari Fatmir Krasniqi

 

I tërë personeli i sallës u përkujdesen shumë, si dhe anesteziologia Dr. Dafina, që i falënderoi pafundësisht!

Operacioni i ndërlikuar kaloi me sukses fal profesionalizmit e duarve të arta të Dr. Dritanit, se edhe kirurgët e shquar e të talentuar bëjnë art kirurgjikal me skalper e gërshër, prerje e penj.

E penjtë kirurgjikë mungonin e po mungojnë ende në Klinikën Kirurgjike?!…Ndërsa penjtë special e pajisjet tjera m’ i solli nga Gjermania, Albulena Demaku Sopi.

Sinqerisht po e them me gjithë zemër e bindje të thellë se kemi mjekë e kirurgë shumë të njohur e të dalluar

I tillë është edhe Dr. Driton Komoni, një kirurg i dalluar, një profesionist i shquar, një njeri i mirë që rrezaton me një mirësjellje të rrallë e shumë të veçantë.

Një kirurg që u duhet shumë pacientëve, një mjek e kirurg që i duhet shumë Kosovës.

Një mjek që rrjedh nga një familje e shquar intelektuale e arsimdashëse.

Familja e ngushtë, por edhe e zgjeruar Komoni janë të veçuar e të dalluar, si një Familje e madhe mjekësh.

Në bisedë të lirë me Dr. Dritonin, ai falënderon dhe i është shumë mirënjohës Dr. Gazmend Shaqirit, kirurgut shumë të shquar e të njohur, si dhe profesorit të dalluar shumëvjeçar.

Për infrastrukturën spitalore jemi qindra vite larg me standardet që janë në BE, Turqi, SHBA.

As që guxojmë të bëjmë krahasime të tilla?!…

Mungon shumëçka në spitalet tona duke filluar nga pajisjet e aparaturat mjekë ore e bashkëkohore, pastërtia e higjiena, si dhe atyre më elementare.

Nuk kanë në dhoma sapunë e letra higjienike, e as letra tualeti.

Bie në sy edhe prania e dukuria e tepruar e shumë familjarëve në përcjellje e shoqëri të pacientëve në dhoma, e që i pengojnë shumë pacientët e sëmurë duke krijuar rrëmujë në dhoma, në korridore, e duke vështirësuar qetësinë e mirëmbajtjen!

Për këtë duhet të vetëdijesohemi si familjarë.

Dhe, krejt në fund të këtij shkrimi, po bëhen një muaj që kur jam operuar, dhe se tani kam filluar të ndihem më mirë pas këtij operacioni të gjashtë, duke shpresuar që të jetë i fundit, fal Dr. Dritonit.

Janë disa shenja paralajmëruese duke patur parasysh operacionet e rënda e të ndërlikuara që kisha, si dhe këtë të fundit, ndoshta po shkoj drejt shërimit të plotë.

Për këtë meritat e sukseset do t’ u takonin Dr. Vladimirit e Dr. Aleksandrit , në Shkup.

E, meritat më të mëdha do t’i takojnë Dr. Dritonit, dhe se me rasti tim, me përvojën e tij prej kirurgu do të lë një gjurmë të thellë në fushën e mjekësisë kirurgjikale në Kosovë e edhe më gjerë.

E, ndoshta fati im do të jetë vet mrekullia në duart magjike të Dr. Dritonit.

Faleminderit Dr. Driton!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u…