Draft-statuti i Asociacionit, Hoti ia parashtron Kurtit ka disa pyetje

12 maj 2023 | 14:25

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ia ka parashutuar kryeministrit Albin Kurti disa pyetje në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka pyetur Kurtin se pse e ka pranuar draft-staututin e Asociaiconit në tavolinën e Brukselit para se ai të dorëzohej në Qeverinë e Kosovës.

“Vetëm Kurti e di përse e lejoi ekipin menaxhues të prezantoj draftin në Bruksel pa e parë fillimisht vetë dhe pa u siguruar se në përgatitje të draftit ishte përfshirë edhe MAPL-ja, OSBE-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hotit:

Pse drafti i statutit të asociacionit, i përgatitur jashtë procedurave të dakorduara me marrëveshje të vitit 2013, është pranuar nga Kurti të diskutohet më 2 maj 2023?!

Sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, drafti i parë i Statutit të “Asociacionit të komunave me shumicë serbe” do të përpilohej nga ekipi menaxhues prej 4 serbëve së bashku me MAPL-në, OSBE-në dhe BE-në. Ndërkaq, në marrëveshjen e parimeve për Asociacionin më 2015 parashihej që drafti i statutit të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese për opinion para se të miratohej në qeveri, që përbënte një siguresë të plotë se statuti do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, kryeministri Kurti këtë detyrë të përgatitjes së draftit të parë të statutit ua la në dorë vetëm 4 serbëve, pa përfshirjen e MAPL-së, OSBE-së dhe BE-së. Ai neglizhoi këtë çështje edhe pse e kishte në dorë përmes Ministrit të Pushtetit Lokal, z.Krasniqi, i cili sipas marrëveshjes e themelon këtë ekip. Dhe, duke qenë se e themelon, mund ta shkarkojë dhe t’i kërkojë llogari për punën. Duke pasur parasysh këtë, ishte absurd deklarimi i Kurtit se draftin e ka parë për herë të parë në tavolinë të dialogut në Bruksel më 2 maj 2023. Vetëm Kurti e di përse e lejoi ekipin menaxhues të prezantoj draftin në Bruksel pa e parë fillimisht vetë dhe pa u siguruar se në përgatitje të draftit ishte përfshirë edhe MAPL-ja, OSBE-ja dhe BE-ja.

Pas prezantimit të draftit të statutit në takimin e 2 majit 2023 në Bruksel, udhëheqësja e ekipit menaxhues deklaroi se statuti i prezantuar ishte përpiluar në vitin 2018. Kjo ishte koha kur qeveria Haradinaj i kishte kërkuar këtij ekipi ta përpilonte draftin, që ishte veprim i gabuar pasi drafti do të duhet të përpilohej me përfshirjen e MAPL-së, OSBE-së dhe BE-së.

Në kohën e qeverisë Haradinaj, ekipi menaxhues e kishte dërguar draftin vetëm në Bruksel, e jo tek Qeveria e Kosovës. Sipas informatave anësore, Brukseli kishte refuzuar ta pranonte draftin pasi ky veprim ishte kryer jashtë procedurave të dakorduara dhe si i tillë ishte totalisht i papranueshëm edhe për Brukselin.

Megjithatë, i njëjti draft u dërgua drejtpërdrejt në Bruksel dhe u vendos në tavolinën e bisedimeve më 2 maj 2023.

1. Përse Kurti nuk e kundërshtoi këtë veprim?
2. Përse nuk kërkoi që drafti i statutit të përgatitej sipas procedurës së dakorduar qysh më 2013?
3. Përse Kurti nuk po e shpall të pavlefshme punën e atij ekipi menaxhues duke qenë së është punuar jashtë procedurave të parapara me marrëveshje?
4. Përse nuk e cakton ekipin e ri përmes ministrit Krasniqi dhe të sigurohet se vetë ministri Krasniqi merr pjesë në draftimin e statutit bashkë me OSBE-në dhe BE-në?

Unë nuk besoj që ai draft do të përfundonte në tavolinën e bisedimeve më 2 maj 2023 pa dakordimin e Kurtit. Për çfarë tjetër është dakorduar Kurti?!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp është i bindur se dyshimet…