Drejtësi e Njëanshme: Një Proces i Pafund Kundër Kosovës  

28 mars 2023 | 15:06

Mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë në Kosovë janë perceptuar me të drejtë—dhe siç dëshmojnë edhe të dhënat ekzistuese—si të njëanshëm, të drejtuar kryesisht kundër shqiptarëve/pjesëtarëve të UÇK-së në përpjekjet e tyre për të zgjidhur krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë. UNMIK-u dhe EULEX-i ngritën gjithsej 48 aktakuza, 16 kundër shqiptarëve, 13 kundër serbëve dhe katër aktakuza kundër malazezëve, paditën 61 shqiptarë dhe 44 serbë, ndërsa dënuan 34 shqiptarë krahas katër serbëve dhe një malazezi. E, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të fillojnë gjykimin kundër ish krerëve më të lartë të shtetit, shumica dërrmuese e vrasjeve masive—nga sa llogariten 186 vrasje masive të kryera në Kosovë—ende mbesin të pazgjidhura.

Sebahate J. Shala

Përderisa Kosova dhe Serbia bëjnë përpjekjet e fundit për të normalizuar marrëdhëniet ndër-fqinjësore, qytetarët kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për gatishmërinë që ta pranojë Propozim-Marrëveshjen e BE-së—përmes së cilës—Kosova pajtohet ta “tejkalojë trashëgiminë e së kaluarës”, duke hequr dorë nga kërkesa për ta paditur Serbinë në një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte. Nëse Serbia e pranon—dhe pajtohet—që ta zbatojë në tërësi planin evropian, ajo do të avancojë tutje drejt anëtarësimit në BE—pa i zgjidhur mijëra krime të luftës të kryera nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë (dhe në territorin e ish-Jugosllavisë), pa kërkuar falje publike dhe pa ofruar masa reparacioni dhe dëmshpërblimi për viktimat dhe të mbijetuarit/at e luftës, dhe pa e adresuar çështjen e personave të pagjetur. Deri më sot, 1,617 persona, kryesisht shqiptarë, konsiderohen të zhdukur—krahas 9,876 pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike—të zhdukur gjatë ose si pasojë e luftërave në rajon. Zgjidhja e fatit të personave të pagjetur është përcaktuese për arritjen e paqes dhe pajtimit me Serbinë, e për të cilën familjarët nuk janë të gatshëm—derisa të sigurohet e vërteta dhe drejtësia për më të dashurit e tyre. Përfundimisht.

Shumica dërrmuese e vrasjeve masive, nga ana tjetër, ende mbesin të pazgidhura. Asnjë nga vrasjet masive nga—sa llogariten—186 vrasje masive të kryera në Kosovë, përveç vrasjes masive në Krushë të Vogël dhe Reçak, nuk janë hetuar apo gjykuar nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë në Kosovë, UNMIK (Misioni i OKB-së në Kosovë) dhe EULEX (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit). Asnjëra prej tyre, përveç Krushës së Vogël, Izbicës dhe Mejës, nuk ishte përfshirë në aktakuzat e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (Tribunali i Hagës) kundër Millosheviqit dhe të tjerëve dhe Milutinoviqit dhe të tjerëve, as nuk është hetuar apo gjykuar nga Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi (ZPKL). Në shumicën e rasteve, siç janë vrasjet masive në Mejë dhe Korenicë, autorët e krimeve, siç zbulon Serbeze Haxhiaj nga BIRN-i, njihen nga banorët lokalë dhe jetojnë të lirë në Serbi, Mal të Zi apo Slloveni; ata kurrë nuk janë ndjekur penalisht pavarësisht provave ekzistuese dhe dëshmive të dëshmitarëve të deponuara në Tribunalin e Hagës. Disa nga të mbijetuarit kanë pritur 20 vjet, madje disa edhe kanë vdekur, pa pasur mundësinë që të dëshmojnë në gjykatë, e që sipas Haxhiajt, kjo tregon se autorët e krimeve ka pak gjasa të përballen me drejtësinë ndonjëherë.

Kanë kaluar 25 vjet nga vrasja masive në Qirez dhe Likoshan dhe vrasja masive e familjes Jashari në Prekaz të Ulët, ndërkaq, dhe askush nuk është hetuar apo gjykuar për këto krime—e që të dyja përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar ndërkombëtar. UNMIK-u dhe EULEX-i asnjëherë nuk inicuan hetime, ndërkohë që këto raste nuk ishin përfshirë as në aktakuzën e Tribunalit të Hagës kundër Millosheviqit dhe të tjerëve dhe Milutinoviqit dhe të tjerëve, e lëre më të hetohen apo gjykohen nga institucionet e drejtësisë në Serbi. Dhe, ndërsa rasti i familjes Jashari është tashmë në duart e Prokurorisë Speciale të Kosovës, kërkesa e Hamdi Sejdiut për drejtësi (për katër vëllezërit e tij të torturuar dhe ekzekutuar ndërmjet 28 shkurtit dhe 1 marsit, 1998, në Qirez) është hedhur poshtë nga tri instancat gjyqësore nën arsyetimin se institucionet e Kosovës nuk kanë autoritet për të sjellë në gjykatë një shtet tjetër, në këtë rast Serbinë, për krime lufte.

Mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë kanë dështuar kolektivisht në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë. Serbia, nga ana e saj, ka bërë pak ose aspak përparim në trajtimin e mosndëshkeshmërisë dhe sjelljen para drejtësisë të të dyshuarve për krime të ndaluara me ligj ndërkombëtar. Llogaridhënia, e vërteta dhe drejtësia mbesin më shumë ideale sesa realitet në rajon, konkludon BIRN në librin, Pas Tribunalit të Hagës: Përgjegjësia, e Vërteta dhe Drejtësia në ish-Jugosllavi, botuar në vitin 2020. Bashkëpunimi rajonal ka qenë në nivelin më të ulët të mundshëm ndër vite. Ka pasur stagnim dhe rënie të theksuar në numrin e rasteve të reja të inicuara. Deri më tash nuk është ngritur asnjë aktakuzë mbi rastet e komplikuara dhe ato që inkrimonojnë autorët e profilit të lartë—me vetëm disa oficerë të rangut-të-mesëm-të-lartë-të akuzuar. Numri i aktakuzave, siç sugjeron Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi (FDHS), ka vazhduar të bie e krahas kësaj edhe numri i të akuzuarve dhe i viktimave të identifikuara (2019). Në raportin e fundit, Komisioni i BE-së e kritikon Serbinë për “rekord të dobët” dhe e qorton qeverinë për “mospërkushtim të vërtetë në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës”, veçanërisht të rasteve të komplikuara dhe të zyrtarëve të rangut të lartë, ndërsa i kërkon që t’u japë përparësi këtyre rasteve dhe të ofrojë një qasje të qartë ligjore për zgjidhjen e çështjes së përgjegjësisë komanduese.

Përderisa Serbia vazhdon praktikën e pandëshkueshmërisë, Kosova, nga ana tjetër, është detyruar ta themelojë Gjykatën Speciale, mekanizmi i katërt ndërkombëtar për drejtësi tranzicionale i ngritur për të hetuar dhe gjykuar krimet e luftës (dhe të pasluftës), dhe njëherësh gjykata e parë hibride “e drejtuar kryesisht, ndonëse nuk thuhet shprehimisht, kundër një grupi etnik të armatosur”, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). E ndërsa ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kreu i parë në detyrë i një shteti i paditur nga një gjykatë hibride, pret fillimin e gjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kriminelët e rangut të lartë në Serbi ecin lirshëm—pa u penguar nga drejtësia. E krijuar nën presionin ndërkombëtar për të hetuar dhe gjykuar krimet e pandëshkuara të UÇK-së, Gjykata Speciale shihet nga shqiptarët dhe serbët e Kosovës më shumë si një mekanizëm politik sesa një instrument legjitim i drejtësisë; një mekanizëm, i cili, ka shumë të ngjarë që të merret me të njëjtat krime dhe të njëjtit të akuzuar, që dëshmon, siç argumentojnë disa autorë, se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të ngrisë mekanizma të panumërt gjyqësorë vetëm e vetëm që të arrijë rezultatet e parashikuara—pavarësisht kostos—dhe në kurriz të popullit të Kosovës.

Të Dhënat Statistikore: Të Akuzuarit dhe të Dënuarit Shqiptarë dhe Serbë

“…Forcat e ushtrisë serbe e rrëmbyen një vajzë nga një qytet i afërt në Suharekë, e përdhunuan dhe i prenë fytin dhe e lanë të zhveshur në lëndinë derisa ajo vdiq. Barbaritë e këtij lloji kanë ekzistuar me mijëra vjet, por vetëm në këtë shekull ka ndodhur që një makineri ushtarake të kryejë krime të tilla në shërbim të qeverisë dhe shtetit të saj. Ky është gjenocid; pjesa tjetër është vetëm dhunë. Dhe, sa herë që lexoj histori të mizorive shqiptare që i ngatërrojnë të dyja këto, mendoj për atë vajzë në Suharekë dhe gjithçka që u desh për të sjellë vdekjen e saj.” Sebastian Junger, Jetërat; Një Tjetër Lloj i Vrasjeve, New York Times, 27 shkurt, 2000.

Komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë tranzicionale në Kosovë në veçanti janë perceptuar me të drejtë nga shqiptarët etnikë—dhe siç tregojnë edhe të dhënat—si të njëanshëm, të drejtuar kryesisht kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet e tyre për të zgjidhur krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë, duke demonstruar haptazi tendencën për të barazuar viktimën me kryerësin e krimit. Bazuar në të dhënat ekzistuese, numri i shqiptarëve/pjesëtarëve të UÇK-së të hetuar, gjykuar dhe dënuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i është dukshëm më i lartë në krahasim me numrin e serbëve/pjesëtarëve të forcave të armatosura serbe, duke marrë parasysh balancin e forcave dhe përmasat e krimeve të kryera nga forcat e Serbisë dhe të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në raport me ato të pjesëtarëve të UÇK-së. (Numri i të dënuarve shqiptarë dhe serbë nga Tribunali i Hagës është i barabartë: pesë persona nga secila palë nga gjithsej 14 të akuzuar.) Dhe, sigurisht që kohëzgjatja e dënimeve kundër të dënuarve shqiptarë është më e lartë sesa ajo ndaj atyre serbë.

Tribunali i Hagës i dënoi me ndërmjet 15 dhe 22 vjet burgim kriminelët serbë të luftës, vartësit e drejtpërdrejtë të Millosheviçit, përfshirë Shainoviq, Pavkoviq, Lukiq, Ojdaniq dhe Lazareviq, nën akuzën për krime sistematike të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan Salih Mustafajn, epror i lartë i UÇK-së, me 26 vjet burg nën akuzën për vrasjen e një të burgosuri dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve tjerë!!!

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), UNMIK-u dhe EULEX-i kanë ngritur gjithsej 48 aktakuza për krime lufte (në Kosovë) kundër 111 personave: 25 aktakuza kundër të pandehurve serbë, 19 kundër shqiptarëve, tri kundër malazezëve dhe një aktakuzë kundër të tjerëve. UNMIK-u ngriti 10 aktakuza, tri kundër tre serbëve, gjashtë kundër 19 shqiptarëve dhe një aktakuzë kundër një malazezi. Prokurorët e EULEX-it ngritën 22 aktakuza: 10 kundër 11 të akuzuarve serbë, 10 kundër 39 të akuzuarve shqiptarë dhe nga një aktakuzë kundër një malazezi dhe të tjerëve. UNMIK-u dhe EULEX-i paditën gjithsej 61 shqiptarë, 44 serbë, pesë malazezë dhe një që i përkiste komuniteteve tjera, dënuan 34 shqiptarë krahas katër serbëve dhe një malazezi (me vendime përfundimtare) dhe liruan 23 shqiptarë, 13 serbë dhe dy malazezë. Nga 28 të dyshuar/persona në arrati, ndërkaq, 24 i takojnë nacionalitetit serb.

Të dhënat janë të diskutueshme, megjithatë. UNMIK-u, siç raporton Amnesty International, arriti t’i përfundojë mbi 40 raste të krimeve të luftës në Kosovë, duke lënë tek pasardhësi i tij, EULEX, 1,187 raste të tjera. Nga ky numër, 21 raste ishin ngritur nga autoritetet shqiptare të drejtësisë kundër serbëve të Kosovës të arrestuar dhe ndaluar për krime lufte në vitin 1999. (Sipas FDHK-së, prokurorët vendorë kishin ngritur 13 aktakuza gjatë viteve 1999-2000 kundër 29 serbëve, një shqiptari dhe tre malazezëve). Nga mesi i vitit 2002, 19 nga këto raste u përfunduan: shumica e të pandehurve (serbë) u liruan nga gjykatësit ndërkombëtarë, ndërsa shumica e rasteve që u inicuan mëpastaj nga UNMIK-u ishin kryesisht raste gjyqësore që përfshinin shqiptarët etnikë kundër shqiptarëve tjerë etnikë. Në përgjithësi, misioni i OKB-së, siç thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Sanam Dolatshahi, ka hetuar dhe/ose gjykuar 18 raste të krimeve të luftës në Kosovë. Që nënkupton mesatarisht dy raste në vit.

EULEX-i, sipas zëdhënëses Ioanna Lachana, ka ngritur 22 padi, duke përfshirë dy në bashkëpunim me prokurorët vendas, dhe ka dënuar 38 nga gjithsej 41 të dënuar për krime lufte në Kosovë. Mesatarisht dy raste në vit. Me të mbaruar mandatin në qershor të vitit 2018, EULEX ia dorëzoi Prokurorit Special të Kosovës 434 dosje të rasteve të policisë mbi krimet e luftës, përfshirë dosje të rasteve të personave të pagjetur, të rasteve gjyqësore dhe mbi 1,400 dosje të rasteve nën hetime. Prokurorët e Kosovës, nga ana tjetër, kanë ngritur 16 aktakuza gjatë periudhës 1999-2018: 11 aktakuza kundër 29 serbëve, dhe nga një aktakuzë kundër një shqiptari, respektivisht tre malazezëve. Në dy vitet e fundit, janë zhvilluar 14 procese gjyqësore kundër 12 personave, ndërsa vitin e kaluar janë arrestuar edhe tre të dyshuar tjerë për krime lufte në Kosovë.

Gjithsej mekanizmat ndërkombëtarë, sipas monitorimit të FDHK-së, kanë ngritur 48 aktakuza për krime lufte në Kosovë dhe kanë lëshuar 23 aktgjykime të formës së prerë—një nga UNMIK-u dhe 22 nga EULEX-i. Deri më sot, ndërkaq, prokurorët dhe gjyqtarët vendorë e ndërkombëtarë kanë akuzuar 119 persona, kanë dënuar 45, kanë liruar 41, ndërsa procesi kundër gjashtë personave është në vazhdim e sipër. Siç ilustrojnë të dhënat e mësipërme, numri i shqiptarëve/pjesëtarëve të UÇK-së të akuzuar dhe të dënuar e tejkalon numrin e serbëve/pjesëtarëve të forcave të armatosura të Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë që kanë vepruar në emër të Shtetit, gjë që tregon se mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë kanë qenë të njëanshëm, të drejtuar kryesisht kundër shqiptarëve gjatë ekzaminimit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë.

Përderisa Dolatshahi nuk komenton rreth numrit të rasteve bazuar në përkatësinë etnike të të pandehurve dhe numrin e vogël të të pandehurve serbë krahas atyre shqiptarë të gjykuar dhe dënuar për krime lufte, Lachana ofron një sërë arsyesh: mandati i kufizuar i misionit—EULEX-i nuk ka pasur juridiksion që të operojë jashtë territorit të Kosovës duke pasur parasysh se shumë të dyshuar kishin ikur nga vendi pas përfundimit të luftës; mungesa e ligjit për gjykim në mungesë në kohën kur ishte vendosur misioni në Kosovë, e që e kishte penguar EULEX-in të merret me rastet e krimeve të luftës që pretendohet se janë kryer nga individë që ishin në arrati; dhe mosgatishmëria e institucioneve të Serbisë për të bashkëpunuar me misionin rreth ekstradimit të të pandehurve serbë që kanë lindur/jetuar në Kosovë.

Serbia: Kultura e Pandëshkueshmërisë Mbizotëron

Serbia, nga ana tjetër, ka bërë “përparim të pavërejtshëm në sjelljen para drejtësisë” të të dyshuarve për krime lufte. Zyrtarët e lartë shtetërorë vazhdojnë të kundërshtojnë publikisht vendimet e Tribunalit të Hagës dhe të ofrojnë mbështetje dhe hapësirë publike për kriminelët e dënuar të luftës. Ndonëse në vitin 2016, qeveria e miratoi Strategjinë Kombëtare për Hetimin e Krimeve të Luftës që synonte hetimin dhe gjykimin e rasteve të profilit të lartë, asnjë përparim domethënës nuk është bërë në këtë drejtim, konstaton FDH në Serbi në një raport të publikuar në vitin 2019. Aktakuzat kundër të dyshuarve të rangut të lartë ende mungojnë: deri më tash nuk është lëshuar asnjë aktakuzë kundër ish zyrtarëve të lartë shtetëror. Komisioni i BE-së, ndërkohë, e ka vlerësuar si “shumë të dobët” shkallën e zbatueshmërisë së Strategjisë Kombëtare 2016-2020 dhe ka kërkuar nga Serbia që t’i japë prioritet rasteve të komplikuara dhe atyre që përfshijnë ish zyrtarët e lartë shtetëror, si dhe të ofrojë një qasje të qartë ligjore për zgjidhjen e çështjes së përgjegjësisë komanduese.

Sipas të dhënave të publikuara, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi (ZPKL) ka ngritur 52 aktakuza kundër 212 personave, ka dënuar 54 sish, përfshirë një person në lidhje me krimet e luftës në Kosovë (rasti i Prizrenit) dhe ka liruar 49 të tjerë (Faqja elektronike e ZPKL-së, statistikave të së cilës i referohem, është në ripërpunim e sipër). Gjatë përiudhës katërvjeçare të zbatimit të Strategjisë Kombëtare 2016-2020, ZPKL, sipas Raportuesit Special për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, Fabian Salvioli, ngriti 34 aktakuza kundër 45 personave (shumica e lëndëve të transferuara nga Bosnje dhe Hercegovina-BH), ndërsa pas hyrjes në fuqi të Strategjisë Kombëtare për Krime Lufte 2021-2026, ZPKL lëshoi 17 aktakuza: shtatë në vitin 2021 kundër nëntë të pandehurve, nga të cilët katër raste ishin transferuar nga BH (dy prej tyre kriminelë të rangut të lartë) dhe 10 aktakuza në vitin 2022. Gjykata e Lartë shqiptoi pesë vendime në vitin 2021, ndërsa dënoi gjashtë të pandehur; Gjykata e Apelit nxorri gjashtë vendime të formës së prerë dhe dënoi gjithsej gjashtë të pandehur (Komisioni i BE-së, 2022). Në 52 aktakuzat kundër 238 personave, ZPKL shqiptoi dënime në 85 për qind të rasteve, 94 për qind e të akuzuarve, ndërkaq, janë serbë. Momentalisht në Serbi, 1,731 lëndë janë në fazën para-hetimore.

Ndryshe, ZPKL ka qenë subjekt i presionit dhe i ndërhyrjes së vazhdueshme politike—si dhe është kritikuar për joefikasitet dhe përparim të ngadalshëm në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës. Fakti që shumica dërrmuese e aktakuzave nuk kanë rezultuar nga vetë hetimi i ZPKL-së, por janë transferuar nga gjyqësori i BH-së, tregon, sipas FDHS-së, për joefikasitetin e kësaj zyre. “Nëse ZPKL vazhdon të punojë me këtë ritëm, gjatë periudhës së ardhshme 10-vjeçare do të zgjidhë vetëm një pjesë të parëndësishme të rasteve të krimeve të luftës,” konkludon FDHS (2019).

Në katër vjetët e zbatimit të Strategjisë Kombëtare 2016-2020, ZPKL, ndërkohë, nuk ka ngritur asnjë aktakuzë mbi krimet e luftës në Kosovë dhe nuk ka arritur të bëjë hetim adekuat dhe efektiv për rastin e Landovicës. ZPKL ka marrë 952 lëndë nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, nga të cilat 810 janë kundër autorëve të panjohur (FDHS, 2018). FDHS—që nga viti 2013—ka bërë nëntë ankesa rreth krimeve të kryera në Kosovë, por asnjë nga të dyshuarit nuk i ishte nënshtruar hetimit të ZPKL-së deri në fund të vitit 2018 (2019). Meqenëse ZPKL-ja nuk ka juridiksion de fakto mbi territorin e Kosovës, ajo nuk mund të hetojë krimet dhe të ndjekë penalisht autorët e supozuar që momentalisht jetojnë atje.

Në fakt, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi krimet e luftës, sipas FDHS-së, është ndërprerë në maj të vitit 2014, kur përgjegjësia për hetimin e krimeve të luftës u transferua nga EULEX-i tek prokurorët vendorë (2018). Të gjeturat e FDHK-së, siç raporton BIRN, dëshmojnë se Kosova dhe Serbia nuk kanë bashkëpunuar në lidhje me 14 rastet e krimeve të luftës të kryera në Kosovë—e të cilat janë trajtuar nga institucionet e drejtësisë në Serbi që nga paslufta. Kaq raste ishin ngritur edhe nga Tribunali i Hagës—një numër tejet i vogël krahasuar me shkallën e krimeve të kryera nga Millosheviqi në Kosovë: 13,535 persona ishin vrarë, 862,979 të tjerë ishin deportuar, 6,024 ishin raportuar si të zhdukur, dhe 20,000 femra supozohet se ishin abuzuar seksualisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e të Burgosurve Politikë, dega e Ferizajt ka mbajtur…