Drenica dhe Llapi nuk mendojnë për humbje

23 gusht 2019 | 10:41

Drenica dhe Llapi kanë paralajmëruar se humbja është e papranueshme nga përballja mes vete, e cila do të luhet sot (e premte) në kuadër të xhiros së dytë në IPKO Superligë. 

Llapi e fitoi ndeshjen e parë të këtij edicioni në Superligë ndaj Vushtrrisë me rezultat 4-1, kurse 4-1 është mposhtur Drenica nga Feronikeli. Kuqezinjtë e Skenderajt e presin sot (e premte) Llapin e Tahir Batatinës në ndeshjen e parë të xhiros së dytë në IPKO Superligë. Enis Zabergja ka thënë se skuadra nga Podujeva, pavarësisht prej faktit se luan si mysafire, beson se do të marrë pikë. “E rëndësishme për skuadrën tonë është që edhe në këtë ndeshje të marrim pikë. Jemi përgatitur mirë dhe atmosfera në klub është e shkëlqyeshme”, ka thënë Zabergja.

Ndërsa klubi i Drenicës, pasi dështoi të marrë pikë ndaj rivalëve të Feronikelit, tash synon t’i marrë pikët e para në këtë edicion dhe në këtë mënyrë t’u rikthehet rezultateve pozitive. Përparim Osmani i Drenicës e ka vlerësuar lart skuadrën e Llapit, por beson se shikuesit e Drenicës do të ndahen të kënaqur pas ndeshjes. “Ne e dimë se ndaj Llapit nuk do të jetë aspak lehtë, sepse ka një skuadër mjaft cilësore. Megjithatë, jemi përgatitur mirë që të paraqitemi sa më mirë dhe t’i shijojmë pikët e para në këtë edicion, po ashtu t’i kënaqim edhe shikuesit tanë”, ka thënë Osmani.

Të shtunën zhvillohen dy ndeshjet e tjera ku Ferizaj kërkon edhe fitoren e dytë ndaj Gjilanit, derisa kjo e fundit kërkon këndellje pas humbjes nga Trepça ’89. Ballkani i Ismet Munishit ka punë të vështirë ndaj kampionit aktual të elitës, Feronikelit. Dy ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen të dielën, kurse ndeshja në mes të Prishtinës dhe Dukagjinit të Klinës është shtyrë për 25 shtator, pasi Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur të ruhet fusha për ndeshjen kualifikuese të Kosovës ndaj Çekisë.

IPKO Superliga

Të premten takohen:
17:00 Drenica – Llapi

Të shtunën takohen:
17:00 Ferizaj – Gjilani
17:00 Ballkani – Feronikeli

Të dielën takohen:
Drita – Flamurtari
Vushtrria – Trepça ’89

LIGA E PARË

Të premten takohen:
17:00 Malisheva – KEK-u

Të shtunën takohen:
17:00 Ramiz Sadiku – Dardana

Të dielën takohen:
17:00 2 Korriku – Vitia
17:00 Onix – Vëllaznimi
17:00 Drenasi – Arbëria
17:00 Ulpiana – Istogu
17:00 Besa – Vllaznia
17:00 Trepça – Liria

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AKR-ja e Behgjet Pacollit ka arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor…