Drita beson fuqishëm në kualifikim

02 gusht 2018 | 10:58

Ardian Limani është optimist se rezultati i ndeshjes së parë 2-1 e favorizon Dritën për kualifikim në raundin tjetër në Ligën e Evropës.

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, është paraqitur mirë në ndeshjen e parë ndaj F91 Dudelange në Luksemburg, por në fund është dashur të pajtohet me humbje. Gjilanasit ishin duke fituar në pjesën e parë me golin e shënuar nga Xhevdet Shabani, por në pjesën e dytë nuk ishin të koncentruar sa duhet në mbrojtje dhe pësuan dy gola që në fund i sollën humbjen. Rezultati nga ndeshja e parë i jep shpresë të madhe skuadrës së Dritës që në ndeshjen kthyese të raundit të dytë në Ligën e Evropës të marrë rezultat të favorshëm dhe të kualifikohet tutje.

“Gjasat për kualifikim janë shumë të mëdha, pasi na duhet vetëm një gol, aq më tepër se luajmë si vendës. Atmosfera është shumë e mirë në skuadër dhe të gjithë jemi optimistë se mund të fitojmë”, ka thënë Ardian Limani, kapiten i Dritës.

Më pas mbrojtësi i Dritës tregoi se kundërshtari pikën më të dobët e ka në repartin e mbrojtjes dhe këtë gjë duhet ta shfrytëzojnë sulmuesit për ta eliminuar skuadrën e Dudelanges nga Liga e Evropës.

“Për ndeshjen kthyese na mungojnë Endrit Krasniqi dhe Viktor Kuka për shkak të kartonëve, por jemi optimistë se mund t’ia dalim. Kundërshtari ynë pikën më të dobët e ka mbrojtjen e ngadaltë, e cila do të përballet me sulmin tonë që është shumë i shpejtë dhe në këtë pikë jemi mjaft mirë të favorizuar”, ka deklaruar Limani, duke thënë se pret një përkrahje të madhe nga tifozët në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” nga ora 20:45. “Si gjithmonë, presim nga ‘Intelektualët’ të na japin përkrahjen e madhe siç dinë vetëm ata dhe të na shtyjnë drejt fitores”, ka shtuar ai.

Një mobilizim të madh për këtë ndeshje e kanë bërë edhe tifozët e Dritës, “Intelektualët”, të cilët kanë paralajmëruar se fillimisht do të takohen në qendër të Gjilanit në orën 15:00, më pas do të nisen drejt Mitrovicës me dhjetë autobus dhe qindra vetura për ta përkrahur skuadrën e zemrës.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur Rihanna shkëlqen në kopertinën e revistës “Vogue”…