Drita e fiton finalen e katërt ndaj Skënderajt

12 maj 2023 | 23:51

Në një super atmosferë, akti i katërt i serisë së finaleve të play-off të vajzave në volejboll e ka sjellë barazimin e kësaj serie.

KV Drita me rezultat 3:0 arriti të festojë në Pallatin e Sporteve “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

KV Skenderaj ishte kujdesur që në finalen e katërt të Play-OFF, të sillte një super-organizim dhe mbi 2000 shikues, të cilët i dhanë një pasqyrë të jashtëzakonshme kësaj finaleje.

Megjithatë në fushë, KV Skenderaj e nisi me shumë probleme, duke u kufizuar qysh në hapje në shifrat 4:0.

Pas kësaj erdhi reagimi i trajnerit Ylli Kadriu, duke e kërkuar shumë herët time-outin e parë, por pavarësisht kësaj, Drita vazhdoi me seri të mirë për ta kufizuar Skenderajn në 16 pikë gjatë setit të parë, të fituar 25:16.

Në setin e dytë u shfaq rivalitet më i madh me Dritën që gjithë kohën e pati epërsinë në rezultat.

Skenderaj arriti ta mbante presionin deri në 23 pikë, por pamjaftueshëm për ta rrezikuar fitoren e Dritës, e cila në këtë periudhë festoi 25:23.

Presioni i madh pas disavantazhit, si dhe dëshira që të rikthehen para publikut të vet, bëri që Skenderaj të ngecte edhe në setin e tretë, duke pësuar me shifrat 17:25.

Pavarësisht humbjes, “Shqiponjat e zeza” dhe publiku vendas, dha shembull në tribina, duke i duartrokitur mysafiret për fitoren.

Akti i pestë në serinë e finaleve te vajzat, do të vendosë për kampionin e ri të Kosovës, kur të dielën në “Bashkim Selishta-Petriti” të Gjilanit, pritet një tjetër spektakël i volejbollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kevin de Bruyne realizoi golin e barazimit në ndeshjen ndaj…