Drita sonte përballet me Legian

24 shtator 2020 | 13:40

Drita e Gjilanit me mision historik në Varshavë, aty ku do të përballet me Legian në raundin e tretë kualifikues të Europa League-s.

Skuadra kampione e Kosovës para një mundësie të jashtëzakonshme për të arritur atë që klubet e Kosovës e kanë ende një ëndërr: kualifikimin në “play-off” e pse jo edhe në grupe. Shorti nuk u tregua aspak bujar me “intelektualët” e Gjilanit, pasi Legia e Varshavës është një skuadër shumë e fortë, 14 herë kampione e Polonisë dhe vetëm pak vite më parë ishte në grupet e Championsit, përballë Real Madridit, megjithatë, “lufta” nuk mund të quhet e humbur pa derdhur edhe pikën e fundit të djersës në fushën e blertë.

Skuadrës së drejtuar nga Ardian Nuhiu i duhet një mrekulli, nga ato që ndodhin rrallë, por ndoshta ky është momenti që futbolli kosovar në rang klubesh të ndriçojë në Evropë, ashtu siç po ndriçojnë dardanët e Challandes.

Drita mbërriti në rundin e tretë të Europa League-s pasi eliminoi Silekesin e Maqedonisë së Veriut, një sukses morali edhe për përfaqësuesen e Kosovës, që pikërisht përballë Maqedonisë së Veriut do të luajë shansin historik për t’u kualifikuar në Evropian. Duhet kujtuar se u nxor me pa të drejtë nga Championsi, për një rast koronavirusi, pa mundur të zbresë në fushë ndaj Linfieldit.

Drita e ka përgatitur me shumë përgjegjësi këtë sfidë në kompleksin “tropikal” në Durrës, e izoluar dhe e motivuar në maksimum për këtë përballje me historinë. Sytë dhe zemrat e tifozëve shqiptarë do të jenë me “Intelektualët”, për të përjetuar çdo emocion që do të dhurojnë kampionët e Kosovës sonte në orën 20:30.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dy javë që prodhuesit e qumështit, fermerët kanë vështirësi…