Duhet të ketë rënie të normave të interesit në institucionet mikrofinanciare

29 nëntor 2018 | 10:54

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare gjatë këtij viti ka shënuar rritje në të gjithë indikatorët e tij.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se te ky sektor normat e interesit vazhdojnë të mbesin të larta, duke bërë thirrje që ato të kenë rënie.
Duke folur rreth mundësisë së krijimit të bankës së diasporës, Mehmeti ka thënë se BQK-ja mirëpritur një iniciativë të tillë.

Ai ka bërë me dije se janë në proces të ndryshimit të dy ligjeve esenciale të sektorit financiar: Ligjit për banka dhe ndryshimit të Ligjit të autopërgjegjësisë.

“Këto dy ligje do t’u japin dimension të ri zhvillimeve në sektorin bankar, por edhe në sektorin e sigurimeve”, ka thënë Mehmeti.

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, si është momentalisht gjendja e sektorit financiar? Çfarë shume të depozitave kemi në raport me kreditë?
Mehmeti: Sektori financiar është duke pasur rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm në asete dhe në treguesit e tjerë financiarë. Sektori bankar, si sektori më i madh në kuadër të sistemit financiar, vazhdon të performojë mirë në kredi dhe në depozita. Deri në muajin shtator të këtij viti vlera e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar të vendit ka arritur në 3.2 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 5.4 përqindësh. Kjo rritje e qëndrueshme e depozitave ka mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të kredive, të cilat në shtator 2018 arritën vlerën prej 2.7 miliardë eurosh e cila paraqet rritje vjetore prej 11.4 përqindësh. Gjithashtu, sektori i sigurimeve ka filluar konsolidimin e tij, vlera e primeve të shkruara bruto në shtator 2018 ishte 69 milionë euro, duke shënuar rritje vjetor prej 4.8 përqindësh. Vlera e dëmeve të paguara bruto në shtator 2018 është 31.5 milionë euro, me një rritje vjetore prej 8.2 përqindësh. Edhe treguesit e sektorit mikrofinanciar kanë shënuar rritje, ku vlera e aseteve të këtij sektori në shtator të këtij viti është 236.2 milionë, me një rritje prej 28.6 përqindësh, ndërsa kreditë shënuan vlerën prej 173.7 milionë eurosh, apo rritje vjetore prej 28.6 përqindësh.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar sot vendimin e…