Durmishi dhe Bulliqi: Segmenti i magjistrales Prishtinë-Podujevë përfundon këtë vit

07 tetor 2021 | 11:46

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një konferencë për media ka thënë se kanë bërë disa ndryshime në projektin e rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë.

Ai ka thënë se kjo është bërë për arsye profesionale dhe me qëllimin që të kryhet brenda një kohe më të shkurtë.

“Pas një analize që i kemi bërë projektit me stafin profesional të ministrisë, e kemi parë se në këtë rrugë kanë qenë të parapara disa nënkalime për automjete, por që nuk kanë qenë as të shpronësuara e as të kontraktuara. Prandaj, ne si ministri e kemi formuar një komision profesional i cili e ka analizuar krejt projektin dhe kontratën dhe kanë ardhur në përfundim për disa ndryshime që duhet të bëhen për të qenë projekti më profesional dhe për të përfunduar më shpejt. Nënkalimet që kanë qenë të parapara për automjete janë hequr nga projekti dhe janë zëvendësuar me rrethrrotullime dhe është shtuar një tjetër në një pozitë tjetër. Arsyeja për shkak se parashihet edhe autostrada Besi-Merdare, kjo rrugë nuk do ta këtë fluks të madh të automjeteve”, ka thënë Durmishi.

Edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se kjo rrugë do të përfundojë më shpejt, pasi sipas tij është njëra prej rrugëve që më së shumti përdoret.

“Punimet janë zvarritur në krejt këtë periudhë kohore dhe nga ky takim i sotëm, por edhe nga angazhimet bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës kemi një përshpejtim të punimeve dhe ta përmbyllim këtë segment gjatë këtij viti dhe sigurisht që pjesën tjetër do të vazhdojnë punimet me një intensitet më të lartë. Ka qenë një prej rrugëve më të ngarkuara dhe kërkohet një intensifikim i punëve për ta mbyllur më shpejt këtë rrugë”, ka thënë Bulliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valdrin Sahiti është një nga stilistët më të njohur shqiptar.…