Dy baza ushtarake në Spanjë do të strehojnë refugjatë afganë

22 gusht 2021 | 13:49

Shtetet e Bashkuara dhe Spanja janë pajtuar që të shfrytëzojnë bazat ushtarake në Spanjë, për të dërguar atje afganët që kanë punuar për Qeverinë amerikane.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez kanë arritur këtë pajtueshmëri përgjatë një bisede telefonike më 21 gisht, ka njoftuar Qeveria spanjolle më 22 gusht.

Sipas marrëveshjes, bazat – Moron de la Frontera, afër Seviljes dhe Rota afër Kadizit – do të shfrytëzohen për refugjatët nga Afganistani, derisa të rregullohet dokumentacioni për udhëtim në ndonjë shtet tjetër.

Sanchez ka thënë përmes një postimi në Twitter më 21 gusht se ka zhvilluar bisedë kuptimplotë me presidentin Biden.

“Kemi përmendur disa çështje me interes të përbashkët, sidomos situatën në Afganistan si dhe bashkëpunimin në mes Qeverive tona për evakuim të njerëzve nga ai shtet”, ka thënë Sanchez.

Një aeroplan me 11 refugjatë afganë dhe familjet e tyre ka arritur në bazën ushtarake jashtë Madridit më 21 gusht.

Në të kanë qenë 36 persona që kanë punuar për administratën amerikane në Afganistan.

Këto baza veçse janë duke u shfrytëzuar për të strehuar refugjatët afganë që kanë punuar për Bashkimin Evropian dhe familjet e tyre, të cilët më pas do të barten në shtetet e bllokut evropian.

Situata në Afganistan është përshkallëzuar, pas pushtimit të talibanëve dhe rrëzimit të Qeverisë së përkrahur nga Perëndimi më 15 gusht.

Skenat kaotike jashtë Aeroportit të Kabulit janë parë tash e disa ditë, pasi përveç njerëzve që kanë tentuar të ikin, edhe qeveritë kanë nisur procedurat e evakuimit të qytetarëve të tyre dhe kolegëve afganë./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Nuk meritojnë votën e qytetarit për pushtetin…