Dy kandidatë për president të Malit të Zi kërcënohen me vdekje

10 mars 2023 | 16:37

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe bashkëshortja e tij, Llidija, kanë marrë të premten kërcënime me vdekje përmes rrjetit social, Twitter.

Polica malazeze ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se është duke u marrë me këtë rast, ndërsa nga Prokuroria Themelore e Shtetit dhanë urdhër që të hetohet se kush e ka bërë kërcënimin nga llogaria në “Twitter”.

Kërcënimet, që e lidhin fatin e Gjukanoviqit me atë të diktatorit italian, Benito Mussolini janë dërguar nga një llogari me emrin Boris Jankoviq.

Postimi është shoqëruar me një fotografi të ekzekutimit të Mussolinit.

Gjukanoviq është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.

Të mërkurën, nga e njëjta llogari në “Twitter” janë dërguar kërcënime me vdekje edhe ndaj deputetes Draginja Vuksanoviq Stankoviq, e cila po ashtu garon në zgjedhjet presidenciale.

Vuksanoviq Stankoviq i ka raportuar i kërcënimet në polici, kanë konfirmuar autoritetet e rendit për “Radion Evropa e Lirë”.

“Kërcënimet cilësohen si vepër penale e rrezikimit të sigurisë dhe prokuroria përgjegjëse është e njoftuar për çdo gjë”, ka thënë Policia e Malit të Zi.

Gjatë vitit të kaluar, Vuksanoviq Stankoviq, ka marrë vazhdimisht kërcënime, prandaj, nga mesi i vitit 2022, është nën mbrojtje 24-orëshe të policisë.

Vuksanoviq Stankoviq, ka thënë se kërcënimet që ajo merr, janë të motivuara politikisht dhe se nuk do ta ndalojnë atë nga aktivitetet politike, përfshirë fushatën presidenciale.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dënuar kërcënimet ndaj Gjukanoviqit dhe Vuksanoviq Stankoviqit, duke thënë se ato duhet të merren seriozisht.

Ai ka thënë se nuk ka arsye për panik, por i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që të hetojnë çdo kërcënim.

Në zgjedhjet e 19 marsit në Mal të Zi, për president do të garojnë shtatë kandidatë.

Presidenti aktual, Gjukanoviqi, e ka marrë mandatin në vitin 2018.

Ai ka shërbyer si president edhe në periudhën 1997-2003.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
12.03.2023 Punime në projekte investive Gjakovë 1. Nga TS 35/10…