DY LIBRA QË SHPERFAQIN PORTRETIN E NJË IDEALISTI

28 janar 2020 | 12:59

Izet Abdyli-

Librat ,,Burg pas burgu” dhe ,Shenja e përkatësisë’ të autorit Gani Sylaj, botoi ,,Buzuku” 2019, Prishtinë

Sapo përfundova së lexuari dy librat e sapo botuar të autorit tashmë të ndjerë Gani Sylaj. Përshtypja e parë që të krijohet  nga ky lexim është se të dy librat kanë të përbashkët tematikën, narratorin, ngjarjet e një kohe të pakohë, situatat e absurdit të fundshekullit njëzetë që ka krijuar një sistem totalitar, me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve që kishte goditur pamëshirshëm njerëz idealist që punonin e vepronin për kombin e vetë. Edhe protoganisti i rrëfimit në këto dy libra kishte përjetuar këtë zezonë duke kaluar në kalvarin e vuajtjeve, por asnjëherë i përkulur, përherë optimist se një ditë drita e lirisë do të agoi në këto troje.

Unë e kisha njohur shpirtin atdhetar të Ganiut si bashkëveprimtar derisa punonim nga vitet 90-ta në kryesinë e Degës së LDK-së në Gllogoc(Drenas) por përmes këtyre librave unë njoha përmasën e vërtetë të një njeriu idealist i gatshëm deri në sakrificë për lirinë e vendit të vetë. Madje në këta dy libra, përmes rrëfimeve të Ganiut unë njoha edhe shumë bashkëvuajtës e bashkëveprimtarë të tij ngase modestia e tij bënë që ai sado që herë herë rrëfimin e ka në vetën e parë ai më shumë rrëfen për bëmat dhe sakrificat e bashkëveprimtarëve të tij. Aty shihet modestia e tij, humanizmi i tij, vlera e tij si njëri  që përherë dinte të çmon të tjerët.

Askund në këta dy libra nuk gjejmë krekosje për sakrificën e tij përkundrazi ai përshkruan në detaje e me një dashuri të veçantë edhe për njerëzit e thjeshtë e bujar që ka takuar gjatë sfidave të jetës. Por nuk i lenë asgjë mangut kur përshkruan edhe tabllot  e një regjimi shtypës  dhe argatët e tij duke i demaskuar deri në skajshmëri. Përshkrimi i situatave, ngjarjeve, personazheve  është reale ngase edhe personazhet janë real. Ata janë heronj të kësaj toke të këtij nënqielli, janë njerëz me të cilët kanë ndarë fatin vetë autori i librit. Gjuha e përdorur në këta dy libra është e stisur me  një fjalor të zakonshëm, ka një stil që dëshmon për nivelin e lartë intelektual dhe kulturën e shkrimit.

Ai me një pasion të veçantë shkruan për vendlindjen e tij, njerëzit e afërm, nxënësit, kolegët e punës, bashkfshatarët e tij. Si një artist që ka pasion artin ai me mjeshtri ka skalitur portretet e njerëzve duke i përshkruar në detaje tiparet e tyre. Akëcili  që lexon këta dy libra do të ketë mundësi të njihet me përmasën e vuajtjeve dhe sakrificave të disa brezave që u dergjen burgjeve të Jugosllavisë, për arsye të aktivitetit të tyre patriotik, bindjeve të tyre politike. Ganiu duke qenë një njëri që në vazhdimësi lexonte  por edhe  që shquhej për mbamendjen e tij në shtjellimin e ngjarjeve përveç që sjell vërtetësinë e tyre ai e ilustron edhe me mendime thënie të filozofëve, shkrimtarëve, intelektualëve etj.

Pasioni për leximin e ndoqi deri në fund të jetës së tij, madje ai herë pas here vinte te unë në Bibliotekë dhe më kërkonte libra të cilët me korrektësi i kthente në kohën e premtuar dhe tash po e kuptojë që një pjesë e tyre i ka shërbyer për plotësimin  e shënimeve për këta dy libra, meqë librat që kërkonte shumicën i kishte lexuar gjatë kohës së burgut. Duke lexuar këta dy libra unë kam mësuar edhe shumëçka për personalitetin që e kishim aq afër por që do të më mbetej peng po të mos i dija. Familja dhe botuesi kanë bërë një punë shumë me vlerë që rezusit i kanë ofruar këta dy libra duke përmbushur një obligim ndaj këtij veprimtari të çështjes kombëtare.

Prishtinë                                                                 Izet Abdyli

28 janar 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarëve të Kosovës, e sidomos të rinjve, po u vjen…