E ARDHMJA FATLUME E BALLKANIT ËSHTË ÇMONTIMI E JO ORGANIZIMI I TIJ

03 korrik 2022 | 11:16

“Ballkani i Hapur” mund t’i shërbejë çështjes serbe, por jo edhe çështjes shqiptare. Ndërsa, po ta pranonte Serbia Kosovën si shtet, do të mund të akomodohej disi edhe çështja shqiptare brenda asaj inicitave.

Milazim KRASNIQI

Ta organizosh me ndonjë sukses Ballkanin e sotëm, duke i vënë emra të ndryshëm, (Pakti i Stabilitetit,1999, Procesi i Berlinit, 2014, Minishengeni Ballkanik, 2019 përkatësisht, Ballkani i Hapur, (mund të kualifikohet pjesërisht në këtë kuadër edhe Marrëveshja e Uashingtonit, 2020) gjithnjë pa e njohur historinë e tij, mund të duket punë argëtuese, por në të vërtetë është mision i pamundur. Pagëzimet e organizimeve edhe shpallen, festat për to bëhen me pompozitete, por kur të fillojnë të zbatohen konkretisht projektet, ato nisin e deformohen, kalbëzohen, kompromentohen dhe shkatërrohen. Pse?

Ballkani si viktimë e ideologjive ekspansioniste dhe praktikave të kolonializmit

Shtetet e Ballkanit janë shtete kliente (në faza të ndryshme në raste të ndryshme edhe shtete kukulla), që në krye të herës nuk janë formuar si shtet-kombe, po janë të vizatuara për interesat egoiste e militariste të Fuqive të Mëdha. Rolin si shtete kukulla a kliente, nuk ua kanë suspenduar as kur ndonjë fuqi ka rënë dhe është zëvendësuar nga ndonjë tjetër. Patroni është zëvendësuar, por varësia ka mbetur. Fjala vjen, shtete si Mali i Zi, Bullgaria e Serbia, janë formuar për t’u shërbyer interesave ruse në Ballkan. (Bllokimi i hapësirës ajrore për ministirn rus Llavrov nga Bullgaria e nga Mali i Zi në qershor 2022, paraqet një moment kur këto shtete kalojnë në sferën atlantike, si shtete partnere të SHBA.) Greqia është formuar si projekt britanik e rus, për ta përdorë si pykë për çmontimin e Shtetit Osman në Mesdhe, me Qipron si trofe britanik. Shqipëria është formuar si projekt austriak, për të mos lënë shtetet satelite të Rusisë të dilnin më Detin Adriatik. Në kohën më të vonë, në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë bërë shtete si projekte ameriko-atlantike. Përderi sa Kroacia e Sllovenia janë projekte gjermano-atlantike, Bosnja e Hercegovina dejtoniane duket si projekt ruso-amerikan. (Ka edhe variacione, por këtu po ndiqet “atësia” në vijat më të trasha.) Mbetet fakti që asnjëri nga shtetet e sotme ballkanike nuk është formuar pa sponsorizim, pa mbikëqyrje. Ky nuk është mallkim nga arsenali i mitologjive antike pellazge, helene a ilire. Ky realitet është si pasojë e ideologjive ekspansioniste e praktikave të kolonializmit.

Trashëgimia postosmane si problem i pazgjidhshëm i Ballkanit të sotëm

Meqë këto shtete janë formuar nga sponsorizimi i Fuqive të Mëdha dhe disa prej tyre në mënyrë krejtësisht të panatyrshme (Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova) ato vazhdojnë të jenë nën presionin e Fuqive të Mëdha, të cilat kërkojnë që në ato shtete dhe në rajon të realizojnë interesat e veta strategjike. Në kondita të atilla, shtetet e sotme të të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor, edhe po të duan të arrijnë pajtim, paqe e bashkëpunim miqësor, e kanë të pamundur, sepse nxiten për konflikte nga Fuqitë e Mëdha. Fuqive të Mëdha u konvenojnë konfliktet ndërmjet shteteve të sotme ballkanike, për ta arsyetuar prezencën dhe ndëryrjen që bëjnë vazhdimisht. Pra, edhe kur shtetet e mëdha dhe organizatat ku ato militojnë bëhen organizatore të projekteve për Ballkanin, brenda atyre projekteve vazhdojnë rivalitetet e tyre për ndikim e protagonizëm, gjë që i dëmton ato projekte. Fjala vjen, iniciativa “Pakti i Stabilitetit” i 30 korrikut 1999 në Sarajevë, i cili në përfundim të luftërave të përgjakshme në ish federatën jugosllave u lancua me pompë e triumfalizëm, pas disa rezultateve në sferën humanitare, shkoi drejt rrëgjimit dhe kalbëzimit. Bashkimi Evropian nuk e gjeti formulën të sheshonte kundërthëniet brenda vetes të neutralizonte ndikimet nga jashtë e të sillte prosperitet e drejtësi brenda vetë Ballkanit. Pra, edhë në atë rast si në çdo rast tjetër të mëvomshëm, historia e panatyrshme dhe e vështirë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e pamundëson zbatimin e suksesshëm të projekteve të përbashkëta, sepse shtete sponsore ose organizatat ku ato militojnë, nuk lënë të fashiten konfliktet.
Në të vërtetë, edhe vetë emri i rajonit, mbartë në vete një kuptim të thellë për konfliktin, ngatërresën, klientelizmin, vasalitetin. Sipas sipas studiuesit amerikan, Mark Mazoverit, emri Ballkan është i vonë si emërtim për tërë gadishullin, sepse në fillim ai ishte emërtim vetëm për një vargmali. Hapësirat e sotme ballkanike një kohë të gjatë emërtoheshin si Rumeli dhe Turqia Europiane, e pakta deri në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Pikërisht diskontinuiteti me Shtetin Osman solli ndarje, konflikte, gjenocide, ashtu që tash historia postosmane nuk mund të mbahet si themeli mbi të cilin mund të kërkohet ndonjë shtresë e përbashkët e identitetit ballkanik dhe as e interesave të përbashkëta në procesin e integrimeve europiane. Periudha osmane po, por ajo injorohet tërësisht. Thënë thjesht, historia postosmane e rajonit, e ka ngarkuar me konotacione negative edhe vetë emrin Ballkan dhe si e atillë minon gjithçka. Pra, të vetmen shtresë disi të përbashkët këto shtete e këto kombe e kanë pasur brenda Shtetit Osman, por atë shtresë e kanë shkatërruar qëllimisht, duke mbetur pa një trashëgimi, e cila sot do të mund t’u ndihmonte shumë. A mund të ringjallet ajo shtresë e një përbashkësie kulturore, ekonomike e politike, është pyetje e cila nuk mund të marrë përgjigje, në mungesë të vullnetit, që të kërkohet ndihmesë edhe nga ajo trashëgimi e përbashkët brenda Shtetit Osman. Në rrethanat kur fuqitë e sotme të mëdha dhe organizatat e tyre politike, ekonomike e ushtarake, nuk lënë këto shtete të aftësohen për politika sovraniste, nuk ka gjasa për një reflektim për vlerat e asaj trashëgimie dhe shfrytëzimin e saj për realitetet e reja të bashkëpunimit e jetës në paqe.

“Ballkani i Hapur” si kornizë për akomodimin e çëshjes nacionale serbe

Atëherë si i bëhet, në rrethanat e klientelizmit, vasalitetit dhe të mungesës së kujtesës? Pikërisht iniciativa “Minishengeni ballkanik” a “Ballkani i Hapur”, është ilustrim i një përpjekjeje të dëshpëruar për dy gjëra që kanë të bëjnë me këto pyetje. E para, si të dilet disi nga tutela e Fuqive të Mëdha dhe e dyta, si të harrohet krejtësisht e kaluara që ka ndodhë në periudhën postmosmane, veçmas ndërmjet serbëve e shqiptarëve? Në këtë sfond, Ballkani i Hapur është një reagim i dëshpëruar ndaj dyerve të mbyllura të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, i ngjizur me njëfarë ndërmendjeje të periudhës osmane, kur popujt ballkanikë kanë pasur periudha të gjata mirëkuptimi e jetese në paqe. Por, është vetëm një ndërmendje halucinante, në luftë me realitetin, pa koherencë, pa mbështjete në logjikën e fakteve. Mungesa e koherencës ndërmjet emërtimeve “Minishengeni ballkanik” dhe “Ballkani i Hapur” paraqet problem interesant, që e bën të jetë si u tha, një ndërmendje halucinante. Kështu, përderi sa emërtimi “Minishengeni ballkanik” e mbante një lidhje më të qartë me idenë e integrimit, (pra të bëhej lëvizja e lirë në Ballkan me modelin e Shengenit), në emërtimin që e zëvendësoi “Ballkani i Hapur” ndihet një distancim nga ideja fillestare e imititimit të Bashkimit Evropian, për lëvizjen e lirë. Është një tentativë fëmijërore për ta ribërë për ta një formacion të kundërvënë ndaj Bashkimit Evropian. Por, jo mbi trashëgiminë osmane. Mbi asnjë trashëgimi dhe mbi asnjë logjikë gjeopolitike e gjeokulturore. Bile në emërtimin e ri ka afri semantike më shumë me idenë e hershme serbomadhe e pansllaviste “Ballkani ballkansave” e cila u shërbente interesave ruse dhe shteteve kliente të Rusisë në Ballkan, Serbisë në rend të parë. Në fakt, semantikisht ka një kundërthënie edhe në vetë sintagmën “Ballkani i Hapur”: ai është i mbyllur nga jashtë, (nga Bashkimi Evropian), ndërsa po synon të realizojë hapjen brenda, pa pasur fuqinë e duhur dhe as vullnetin e duhur për të pranuiar realitetet brenda vetes. Thënë thjesht, deri sa emërtimi “Minishegeni ballkanik” aspironte imitimin e Bashkimit Evropian, emëtimi “Ballkani i Hapur” është refuzim ndaj integrimit evropian, në favor të integrimit brendaballkanik i cili është i pamundur, në rrethanat kur nuk pranohet realiteti, ekzistimi i një shteti si Republika e Kosovës. Atëherë shtrohet pyetja se çka po synohet të arrihet me këtë “hapje nga brenda?” Ndonëse motivet e vërteta nuk janë shpall, ato mund të deshifrohen, duke njohur historinë e decenieve të fundit. E para, me iniciativën “Ballkani i Hapur” po synohet që disi të akomodohen çështja serbe dhe çështja shqiptare, të cilat nuk i arritën objektivat e tyre, as pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Në fakt kjo ka të bëjë në rend të parë me çështjen serbe. Serbia tentoi ta realizonte Serbinë e Madhe me tri luftëra gjenocidale (kundër Kroacisë, kundër Bosnjes dhe kundër Kosovës.) Për më tepër në vitin 2006 u shkëput me anë e një referendumi edhe Mali i Zi nga ajo që quhej “Jugosllavia e Zhablakut.” Në këtë mënyrë, Serbia ishte humbësja e madhe nga shpërbërja e ish Jugosllavisë. Vajtimet për dështimin e çështjes nacionale serbe vazhdojnë edhe sot me të njëjtën egërsi propagandsitike në Serbi, veçmas kunsër Kosovës dhe kundër Bosnes, por pa shpresë se mund të rikthehet ajo që është humbur në luftë. Si element i përpjekjeve për të kompensuar humbjet e rënda, është shpikur korniza ballkanike, në të cilën do të mund të akomodoheshin disi të gjithë serbët brenda një kornize ballkanike, pasi nuk arritën të akomodesheshin brenda nje shteti kombëtar serb, sipas parullës “Të gjithë serbët në një shtet.” Tash është ideja “Të gjithë serbët në Ballkanin e Hapur.” E lidhur me sloganin e dikurshmën serbomadh e pansllavist,”Ballkani ballkanasve” kjo iniciativë u duket serbëve si mehlem për varrë, në kujtesën e tyre të rënduar nga traumat e disfatave.
Ndërsa, në rastin e shqiptarëve, ndonëse ky element mund të ishte i kalkuluar, ai nuk ka qenë motiv i qeverisë shqiptare të Tiranës. Vetë fakti që nuk është harmonizuar qëndrimi me Prishtinën, dëshmon se veprimi i Tiranës është i njëanshëm e nuk e ka preokupim parësor akomodimin e çështjes shqiptare. Në këtë kontekst, mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, e bën të pamundur çfarëdo akomodimi të çështjes shqiptare, me Kosovën si shtet. Prandaj, “Ballkani i Hapur” mund t’i shërbejë çështjes serbe, por jo edhe çështjes shqiptare. Ndërsa, po ta pranonte Serbia Kosovën si shtet, do të mund të akomodohej disi edhe çështja shqiptare brenda asaj inicitave. Kjo duhet të jetë kërkesa e vazhdueshme: pranimi i Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, në pako me anëtarësimin në Ballkanin e Hapur.

Si të shmanget historia postosmane e Ballkanit nga procesi i integrimit evropian

Akterët ndërkombëtar kanë pasur e kanë kalkulime të tjera, madje edhe kur deklarojnë përkrahje. Fjala vjen Rusia nuk e ka preokupim realizimin e çështjes nacionale serbe, po shfrytëzimin e saj si pretekst për ta rritë ndikimin rus në rajon. Kjo është arsyeja pse Llavrovi deklaroi: “e qartë që ata që i tërheqin penjtë në Bruksel këtë nuk e kanë dashtë, nuk kanë dashur që ne të shprehim përkrahjen Beogradit, ndër të tjera edhe për projektin Ballkani i Hapur. Tash të gjithëve u është e ditur se Brukseli, NATO dhe Bashkimi Evropian duan ta shndërrojnë Ballkanin më një projekt të vetin të quajtur Ballkani i Mbyllur.” Llavrovi e ka ndier se agresioni i Rusisë në Ukrainë po e nxjerë Rusinë nga loja e madhe e influencave destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, prandaj akuzon me dëshpërim të madh Perëndimin se po e shndërron Ballkanin në një projekt të vetin. Në këto rrethana, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO tashmë synojnë ta marrin nën kontroll edhe iniciativnë “Ballkani i Hapur”, që ta afrojnë disi Serbinë me orbitën e NATO-s. Deklaratat e Eskobarit, qëndrimi i Kristofer Hillit në takimin e Ohrit, prezenca prej mbikëqyrësi e Aleks Sorosit në takime, janë shenja të kësaj përpjekje amerikane. Ndërsa Bashkimi Evropian përkatësisht Gjermania, po përpiqet ta neutralizojë “Ballkanin e Hapur”, me rikthimin te “Procesi i Berlinit” edhe pse “Ballkani i Hapur” ka filluar të kalojë nga ndikimi rus në ndikimin amerikan.”
Konkludimi im është si vijon: përderisa Fuqitë e Mëdha synojnë të ruajnë pozitat e tyre si sponsor, si kontrollor, si nxitës të konfikteve, si “gazdallarë”, nuk ka mundësi të funksionojnë iniciativa puro rajonale. Thjesht, nuk i lënë të funksionojnë, sepse i vënë në shërbim të interesave të veta. Serbia është rasti më eklatant në këtë mes: ajo është shëndërruar në shtet vasal të Rusisë, një Serbi tipike putiniane. Vuçiqi ka deklaruar se asnjë vendim nuk e merr pa u konsuktuar e Putinin! Nga ajo pozitë e vasalit të Putinit, ai me siguri edhe atë iniciativën e Novi Sadit, fillimisht e ka diskutuar dhe akorduar me Putinin. (Sa e si do ta largojnë Vuçiqin e Serbinë nga Putini ngjarjet në Ukrainë, ende nuk dihet.)
E dyta, pa një reflektim të thellë të kombeve ballkanike, veçmas të serbëve që kanë bërë krime gjenocidale në Kosovë e në Bosnje, nuk ka hapësirë për pajtim e bashkëpunim brenda një kornize vetëm rajonale. Për ndryshimin e kësaj gjendjeje, pranimi i Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia është parakusht. Por, Serbia nuk e ka në plan njohjen e Kosovës. Në betimin si president i Serbisë Vuçiqi ka përsëritutr qëndrimin e tij të prerë se Kosovën e sheh brenda Serbisë: “Betohem se gjithë energjinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të saj…” (danas, 31 maj 2022.)
Si mund të jetë Kosova e barabartë në iniciativën “Ballkani i Hapur”, kur Serbia e konsideron territor të shtetit serb? Duke e pasur para sysh këtë gjendje në Ballkan, Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra e ta shmang historinë postosmane të Ballkanit nga procesi i integrimit dhe anëtarësimit. Njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian mbetet e parakusht për çfarëdo suksesi. Pra, më së miri është që Ballkani të çmontohet përfundimisht dhe të integrohet i tëri në Bashkimin Evropian, pa emrin e vet konfiktuoz, pa ngarkesën e të kaluarës së hidhur. Realisht, këtë detyrë historia ia ka ngarkuar Bashkimit Europian. Por, kjo detyrë ende është larg që të kryhet me sukses prej tij. Deri atëherë, do të eksperimentohet me organizime të pasuksesshme.

P. S. Ata që e kanë ndonjë kurreshtje për Ballkanin, do të duhej që të lexonin-studionin edhe këta autorë: Mark Mazover Ballkani dhe Selaniku qytet i fantazmave, Maria Todorova, Ballkani imagjinar, Justin Mc Carthy, Vdekje dhe dëbim, Peter Sugar, Europa Juglindore nën sundimin osman (1354-1804), Peter Bartl, Muslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912), Branimir Anzulloviq, Serbia hyjnore, Ivan Qolloviq, Vdekja në Fushën e Kosovës, Robert Mantrani, Perandoria Osmane, Historia e perandorisë osmane, Millan Suflaj, Serbët dhe shqiptarët,Nyraj Bozbora, Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Ballkani i Hapur” mund t’i shërbejë çështjes serbe, por jo…