E shkarkova, se Daka shkeli integritetin e KQZ-së

27 tetor 2021 | 08:14

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me plot të drejtë e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së.

Osmani u pyet edhe për raportin e fundit të BE-së për rastin e Dakës që tha se vendimi i saj “nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, njofton Klan Kosova.

Por, për këtë Osmani tha se vetë raporti i BE-së thotë që pati ulje të besimit të qytetarëve në KQZ për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Mjafton të lexohet ligji që presidentja shkarkon secilin anëtar të KQZ-së i cili shkel integritetin e institucionit. E ka shkelur absolutisht dhe pa asnjë dyshim të vetëm. Gjatë veprimtarisë së saj në zgjedhjet e fundit për shkak të shndërrimit të KQZ-së në një arenë të betejave politike dhe partiake, për shkak të njëanshmërisë, për shkak të ndikimit të paligjshëm në vendimet e PZAP-së e shumëçka tjetër, për shkak të mostrajtimit të barabartë të qytetarëve të Kosovës, pra duke e trajtuar diasporën si qytetarë të kategorisë së dytë që nuk ua pranonte dokumentacionin e shumë vendime të tilla që kanë rezultuar, sipas vetë raportit të BE-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, në ulje të besimit të qytetarëve në KQZ”, tha Osmani në Kanal 10.

Osmani tha se ata që thonë se është dashur dikush që ta sjellë propozimin nuk e kanë lexuar ligjin, nuk e kanë lexuar Kushtetutën.

“Udhëheqësi i KQZ-së emërohet nga presidentja pa propozim të askujt. Daka ka mbajtur anëshmëri politike që absolutisht e ka të ndaluar me ligj. Ajo duhej të ishte totalisht e pavarur, prandaj edhe presidentja e zgjedh nga radhët e gjykatave, nga ajo Supreme ose e Apelit. Dhe vetë fakti që udhëheqësi aktual i KQZ-së s’ka asnjë vërejtje në raporte të ndryshme po e bën një punë të shkëlqyeshme”.

Ndërkaq, për mundësinë e dërgimit të vendimit të Osmanit në gjykatë nga ana e Dakës, ajo tha se kjo është e drejtë e secilit.

Por, të kundërtën Daka e tha në Rubikon sonte duke theksuar se presidentja Osmani pa arsye ligjore e ka shkarkuar nga detyra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar edhe numërimi…