E turpshme, Haskuka e quan rrugaçe asamblisten e PDK-së (Video)

13 tetor 2021 | 17:20

Kuvendi Komunal i Prizrenit të mërkurën ka diskutuar për buxhetin e kësaj komune për vitin 2021.

Gjatë debatit për buxhetin, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka fyer asamblisten e PDK-së, Sherife Balaj, duke e quajtur rrugaçe.

“Rrugaçeve të cilët shpifin dhe gënjejnë nuk e kam ndërmend me iu përgjigj”, ka thënë Haskuka.

Ky reagim i Haskukës ka ardhur pasi asamblistja e PDK-së ia ka numëruar dështimet dhe premtimet të cilat nuk i ka realizuar.

Ndaj deklaratës së Haskukës ka reaguar edhe njëri nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili ka kërkuar nga Haskuka që ta pastrojë fjalorin.

Po ashtu edhe Dega e PDK-së në Prizren ka reaguar ndaj deklaratës së Haskukës. Kjo parti e ka cilësuar si të papranueshme gjuhën përçmuese e fyese të përdorur nga Mytaher Haskuka ndaj Sherife Balaj.

“Shprehja e përdorur e Haskukës në sallën plenare ‘rrugaçe’ është fyese në rend të parë ndaj një kolegeje të Kuvendit Komunal, por mbi të gjitha e përdorur ndaj një kandidate femër e cila edhe në bazë të shumë monitorimeve të organizatave jo qeveritare është vlerësuar si kuvendarja më aktive.  Ne e dënojmë fuqishëm si subjekt politik këtë veprim sepse më së paku kjo duhet të jetë gjuha parlamentare e një kryetari i cili u lëshua në fyerja pas fjalimit të Balajt që po kritikonte komunën për anashkalimin nga investimet e rajonit të Hasit.  Arroganca, fyerjet dhe akuzat e një kryetari në ikje që është udhëhequr për katër vite nga një grup i ngushtë i njerëzve, flasin më shumë për karakterin e tij dhe mbi të gjitha frikën nga humbja që po e pret këto ditë.   Ne jemi duke konsultuar edhe me ekspertët ligjorë për të ushtruar padi për fyerje dhe dëmtim të personalitetit publik të kuvendares tonë, Sherife Balaj.  Ftojmë edhe partitë e tjera politike, aktivistet gra e shoqërinë civile që ta dënojnë këtë gjuhë fyese të përdorur në sallën e Kuvendit Komunal”, është thënë në reagimin e Degës së PDK-së në Prizren.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj…