E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet

23 qershor 2019 | 12:22

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për vendin.

Ajo beson se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë do të jetë i suksesshëm dhe vendi do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të reja.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kusari-Lila ka thënë se krejt çfarë po bën kjo qeveri është një ndarje e pushtetit në mes të partive të koalicionit qeverisës.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje aktualisht për daljen nga situata aktuale dhe kthimi në binarë të proceseve në Kosovë. Ka humbur komplet orientimi i vendit për çfarëdo procesi zhvillimor. Krejt çka bëhet sot është një ndarje e pushtetit në mes të partive në koalicionin qeverisës në formën më të vrazhdët të mundshme, derisa shumë pak diskutohet për tema të cilat janë me peshë për qytetarët dhe të cilat do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka treguar se vera e vonë apo vjeshta e hershme është koha më e përshtatshme për zgjedhje të reja. “Mendoj se koha më e mirë për zgjedhje të parakohshme do të ishte vjeshta e hershme apo vera e vonë sepse, pas shpërbërjes së Kuvendit, nënkuptohet se 30 deri në 45 ditë duhet të shkojë vendi në zgjedhje. Nëse mocioni i mosbesimit të qeverisë kalon gjatë muajit të ardhshëm, i bie që në Kosovë të ketë zgjedhje në verën e vonë apo vjeshtën e hershme”, është shprehur ajo, duke shtuar se gjatë muajit të ardhshëm mocioni i mosbesimit do të përkrahet edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës.

“Besoj se mocionin do ta mbështesin edhe deputetët e Nismës dhe ata të PDK-së. Po ashtu, arsye të mjaftueshme për ta mbështetur këtë mocion kanë edhe deputetët e pakicave joserbe, sepse nuk është se në këtë mandat ka pasur avancim të pozitës së pakicave në Kosovë”, ka thënë Kusar-Lila.

E para e Alternativës ka treguar se brenda pak javësh do të dihet se me kë ky subjekt politik do të bëjë koalicion parazgjedhor. Sipas Kusari-Lilës, qeveria e ardhshme duhet të përbëhet nga subjektet opozitare.

“Epoka e re”: Znj. Kusari-Lila, përsëri gjatë kësaj jave, në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës i ka ndërprerë punimet e një seance. Çfarë po ndodh me këtë legjislaturë?
Kusari-Lila: Mbarëvajtja e punës së Kuvendit është për keqardhje. Ani pse sa i përket numrit të ligjeve që kemi miratuar dikush mund të thotë se kemi bërë si duhet. Besoj se kualiteti apo përmbajtja e seancave lë shumë për të dëshiruar. Në vazhdimësi, në muajit e fundit ka pasur kërkesa për seanca të jashtëzakonshme, përderisa pozita nuk ka arritur propozimet e veta t’i kalojë për shkak të mungesës së deputetëve të pozitës. Ndërsa ekziston një pakënaqësi e madhe në nivel vendi në raport me agjendën e përgjithshme të shtetit. Vërehet se kjo qeveri nuk i ka fokus proceset zhvillimore dhe ekziston një huti e përgjithshme. Krejt ajo që mund të themi, si për Kuvendin ashtu edhe për qeverinë, është se kur do të shkojmë në zgjedhje të kemi një ndryshim të strukturës legjislative dhe qeverisëse.

“Epoka e re”: Kur prisni që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
Kusari-Lila: Mendoj se koha më e mirë për zgjedhje të parakohshme do të ishte vjeshta e hershme apo vera e vonë, sepse pas shpërbërjes së Kuvendit nënkuptohet se 30 deri në 45 ditë duhet të shkojë vendi në zgjedhje. Nëse mocioni i mosbesimit të qeverisë kalon gjatë muajit të ardhshëm, i bie që në Kosovë të ketë zgjedhje në verën e vonë apo vjeshtën e hershme. Mendoj se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje aktualisht për daljen nga situata aktuale dhe kthimi në binarë të proceseve në Kosovë. Ka humbur komplet orientimi i vendit për çfarëdo procesi zhvillimor. Krejt çka bëhet sot është një ndarje e pushtetit në mes të partive në koalicionin qeverisës në formën më të vrazhdët të mundshme, derisa shumë pak diskutohet për tema të cilat janë me peshë për qytetarët dhe të cilat do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Epoka e re”: Subjektet opozitare që një kohë kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Sa besoni se mund të ketë sukses kjo iniciativë kur dihet se opozitës i duhen edhe disa vota të pozitës për ta rrëzuar qeverinë?
Kusari-Lila: Besoj se deputetët e pozitës menjëherë pas plotësimit të dyvjeçarit të mandatit të plotë të deputetit nuk do të kenë hezitim për ta përkrahur këtë mocion. Në një mënyrë apo në tjetër, duhet të ketë ndryshime në Kosovë. Prandaj, unë nuk kam asnjë dyshim se ka deputetë të përgjegjshëm të pozitës që ia duan të mirën vendit dhe të cilët i shohin zgjedhjet si rrugë të vetme për të dalë vendi nga kriza aktuale. Pres që gjatë muajit korrik të kemi deputetë të pozitës të cilit publikisht do të kërkojnë ndryshime në qeverisje dhe rrjedhimisht ta mbështesin mocionin e mosbesimit. Personalisht mocionin e kam nënshkruar qysh në fillim dhe tashmë jemi në pritje të asaj se kur do të mund ta mbërrijmë numrin 61.

“Epoka e re”: Kush prej deputetëve të pozitës besoni se do të mund ta mbështesë mocionin. Të PDK-së, Nismës apo të minoriteteve?
Kusari-Lila: Besoj se mocionin do ta mbështesin edhe deputetët e Nismës dhe ata të PDK-së. Po ashtu, arsye të mjaftueshme për ta mbështetur këtë mocion kanë edhe deputetët e pakicave joserbe, sepse nuk është se në këtë mandat ka pasur avancim të pozitës së pakicave në Kosovë. Pra, gjendja e pakënaqësisë me këtë qeverisje është në tërë spektrin shoqëror.

“Epoka e re”: Mirëpo shumëkush është skeptik se as zgjedhjet nuk po sjellin ndonjë ndryshim. Çka ju bën të besoni se kësaj radhe mund të ndodhë ndryshimi?
Kusari-Lila: Është e vërtetë që kemi pasur zgjedhje të shpeshta, por asnjëherë nuk kemi pasur degradim të qeverisjes siç e kemi sot. Së dyti, kjo qeveri ka vendosur standard të ri të ulët në raport me emërimet politike, në raport me skandalet, me përgjegjësinë publike dhe fjalën e dhënë. Kështu që, nuk ka shanse që një qeveri tjetër t’ua kalojë skandaleve të kësaj qeverie aktuale. Gjithsesi se duhet punuar për ndryshim. Besoj shumë se qytetarët e republikës e kanë të qartë tashmë se sa është kapaciteti i secilës parti. Besoj në një proces ku ka marrëveshje të mirëfilltë dhe transparencë mes forcave politike me një program të qartë mund të bëhet ndryshimi. Nuk do të ndodhë ndryshmi me shkop magjik në Kosovë, as me qeverisjen e ardhshme por, domosdoshmërisht, duhet të ndalet degradimi dhe të fillojnë proceset të ecin përpara.

“Epoka e re”: Në rast se zgjedhjet e parakohshme mbahen së shpejti, Alternativa ka menduar se me kë mund të bëjë koalicion parazgjedhor?
Kusari-Lila: Alternativa është në një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha subjektet opozitare. Kemi pasur bashkërendim edhe me LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Ndërsa kemi pasur edhe organizime të aktiviteteve të përbashkëta me LV-në, të cilën e kemi mbështetur nëpër disa aktivitete që ka zhvilluar nëpër disa komuna. Mendoj se brenda pak javësh do të kemi një përcaktim të qartë rreth partnerit tonë të mundshëm në koalicionin parazgjedhor. Besoj se do të jemi në koalicion parazgjedhor, sepse ajo çfarë kanë treguar proceset e deritanishme pas zgjedhjeve, pra vendimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë domosdoshmëri përafrimi i programeve të partive dhe bashkërendimi i programeve qeverisëse. Prandaj, do të ishte mirë edhe për ndryshimet që pas zgjedhjeve të kemi një konsultim të spektrit opozitar që nga ky formacion të bëhet qeveria e ardhshme.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhudisti Akil Gjakova nuk ka mundur të vazhdojë rrugën drejt…