Edhe 4 ditë nga 17 Shkurti, Qeveria pa plan e pa buxhet për shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë

12 shkurt 2020 | 20:50

Qeveria e Kosovës ende nuk ka planifikuar se si do të shënohet 17 Shkurti, 12-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Viteve të kaluara, planifikimet për shënimin e ditës së Pavarësisë zakonisht kishin filluar rreth 2 ose 3 javë më herët, por këtë vit, kur kanë mbetur edhe 4 ditë deri në këtë ditë qeveria tek sot ka propozuar grup punues për organizimin e kësaj dite.

Problem për këtë mund të jetë edhe mungesa e buxhetit, duke e marrë parasysh se Kosova i ka shpenzuar fondet rezervë të shtetit.

Sot, në mbledhjen e qeverisë është kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të shtyhen ndarjet buxhetore për vitin 2020 edhe për një muaj që nënkupton se do të ketë mungesë të mjeteve financiare.

Përveç kësaj, Kurti sot në mbledhje ka propozuar që të formohet një grup punues në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme për shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë.

“Të hënën duhet të shënojmë 12-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me këtë rast është mirë të kemi një grup punues që do t’i bëjë finalizimin e përgatitjeve tashmë të zakonshme dhe tradicionale në shtetin tonë, dhe, me këtë rast propozoj që ta kemi një grup punues ku besoj që ai duhet të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, Haki Abazi dhe në kuadër të këtij grupi punues nëse nuk keni ndonjë vërejtje ose sugjerim në anën tjetër të jenë ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi si dhe të jetë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe të jetë ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexehpi”, ka thënë Kurti.

Pavarësisht kësaj, lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigjie nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës në lidhje me shënimin e 12 vjetorit të pavarësisë por këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e redaksisë.

As nga Ministria e Financave nuk kanë dhënë asnjë informacion lidhur me organizimin dhe ndarjen e mjeteve buxhetore për shënimin e kësaj dite.

Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro nga fondi rezervë për shënimin e ditës së Pavarësisë, ndërsa 3 ditë para 17 Shkurtit, ishte publikuar agjenda e ditës. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës – pas deponimit…