Edhe Llapi në Turqi

21 janar 2022 | 11:30

Shumica e klubeve të Superligës së Kosovës në futboll janë duke u përgatitur në Turqi për sezonin pranveror. Këto klube kanë planifikuar të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore në mënyrë që të jenë sa më të përgatitura për vazhdimin e kampionatit. Sot (e premte) në Turqi shkon edhe skuadra e Llapit, e cila do të zhvillojë përgatitje 13-ditore.

Shumica e skuadrave të BKT Superligës së Kosovës në futboll janë duke i mbushur “bateritë” në Turqi për sezonin pranveror. Skuadra e Ballkanit, që është pretendente për titull, ka njoftuar se është duke u stërvitur nga dy herë në ditë dhe se stafi teknik është duke i ngarkuar maksimalisht futbollistët. “Gjendja e futbollistëve është shumë e mirë dhe kushtet janë optimale për fazën përgatitore”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Skuadra e dytë në tabelë, Drita, që synon të luftojë për titull, e ka zhvilluar ndeshjen miqësore ndaj Floridsdorfer AC, ku edhe ka shënuar fitore me rezultat 2-0. Ky klub do t’i zhvillojë gjithsej katër ndeshje miqësore. Skuadra tjetër nga qyteti i Gjilanit, Gjilani, që është lider i elitës, ka bërë publike se do t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore.

Skuadra e Ismet Munishit sot (e premte) përballet me Yverdon-Sport FC. Kundërshtarë të tjerë të kësaj skuadre janë edhe FC Chayka Peschanokopskoye, FC Shakhter Karagandy dhe Gaziantep F.K.. Ndërkohë skuadra e Llapit në orët e para të ditës së premte është nisur drejt Antalisë. Sipas njoftimit të këtij klubi, skuadra llapjane do të vendoset në hotelin luksoz “Aska Lara Resort & Spa”. “KF Llapi niset drejt Antalisë për zhvillimin e fazës përgatitore prej 13-ditësh para fillimit të kampionatit dhe ndeshjeve të Kupës. Ekipi do të akomodohet në hotelin luksoz ‘Aska Lara Resort & Spa’ për periudhën e qëndrimit nga data 21 janar deri më 3 shkurt. Përveç stërvitjeve intensive nga dy herë në ditë, ekipi do t’i luajë edhe pesë ndeshje kontrolluese për ta parë gjendjen reale para shumë sfidave me rëndësi që na presin në edicionin pranveror”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Edhe skuadra e Prishtinës është vendosur në Antalia të Turqisë ku po stërvitet nga dy herë në ditë. Në Turqi janë duke e zhvilluar fazën përgatitore edhe Dukagjini i Klinës dhe Malisheva. Skuadrat e tjera, Feronikeli, Drenica dhe Ulpiana, nuk kanë bërë asnjë njoftim se do t’i vazhdojnë përgatitjet jashtë vendit.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka…