Edhe një vit pa kuptimin e luftës për liri dhe bashkim kombëtar – bacë Adem Demaçin!

25 korrik 15:30

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Koha nuk shëron plagë, i mirëmban ato: Të gjithë jemi vdekatarë të thjeshtë apo kalimtarë, jo të rastit, të kësaj bote. E kemi një ditë kur shënohet dita e lindjes dhe një datë kur shënohet largimi nga kjo botë drejtë një të panjohure të pasqaruar, së paku deri më tani. Janë dy pika që, te popujt e me vetëdije të lartë vlerësohen, përmbajtja apo vepra e vulosë jetëgjatësinë kurse te popujt me një vetëdije më të ulët jatëgjatësia matet se sa vite ka jetuar dhe, në bazë të kësaj edhe i caktohet vendi në shoqëri apo edhe në histori. Në këtë kontekst e përmendi shpesh babagjyshin (nga ana e dajve), Hajdar Menxhiqi që ka jetuar plotë 107 vjet dhe për këtë edhe mbahet në mend. Kjo është vepra e tij, jetëgjatësia fizike! Baca Adem Demaçi, ka një jetëgjatësi mesatare fizike, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare mirëpo, në aspektin e mbamendjes historike, si krijues i veprës së pavdekshme dhe të përjetshme të kuptimit të edukimit, luftës dhe sakrificës për liri dhe bashkim kombëtar, jetëgjatësia e tij nuk matet me afate kohore, qofshin ato në baza ditore,  javore, mujore, vjetore apo shekullore sepse, si e pavdekshme që është, bëhet e përjetshme. Ndërkaq, kujtimi për Bacën Adem Demaçi, për ata që e duan lirinë, si domosdoshmëri e jo si interes, është i përditshëm, i përjavshëm, i përvitshëm dhe i përjetshëm! Më duhet ta them se ka të tillë që politikisht janë ngritur mbi themelet e sakrificës së Bacës Adem Demaçi, që mësimet e Bacës i kanë keq-përdorur për t’u ngjitur majave të pushtetit dhe te Baca shkojnë vetëm pasi e vizitojnë një varr tjetër që nënkupton se gjatë kthimit, marrin thua në Vendin ku Përjetësisht prehet Baca Adem Demaçi si pjesë e universit të përgjithshëm dhe si pjesë e tokës shqiptare, e Kosovës dhe e Shqipërisë. Duke bërë përpjekje ta nderojnë Bacën, përfundimisht e çnderojnë veten, të çnderuar në çdo pikëpamje, edhe para kësaj vizite! Ata që e respektojnë Veprën e Përjetshme të Bacës Adem Demaçi nuk kanë pushtet politik dhe institucional por kanë pushtet dhe ndershmëri morale! Ata ishin streha e Bacës Adem në kohën kur të tjerët që e deshën dhe e duan pushtetin ia vënin diellin mbi kokë, edhe në vendet ku kishte hije absolute. Njeriu, në kuptimin e plotë të fjalës, te varri shkon për ta nderuar kujtimin, kuptimin dhe veprën e atij që ka ndërruar jetë kurse te familja shkonë për ta ruajtur atë kuptim dhe kujtim, jo për ta ngushëlluar. Personalitetet që kanë krijuar dhe kanë lënë në trashëgimi vepra të përjetshme nuk qahen por festohet dhe nderohet vepra e tyre. Te shqiptarët, sidomos në Kosovë, si rast sui generis bëhet e kundërta, vlerësohet dhe përjetësohet ndryshku kombëtar kurse harrohet apo bëhet përpjekje për t’u harruar biluri kombëtar! Si popull jemi mbrapa me shekuj ndaj popujve që sot e kanë arritur shkallën më të lartë të qytetërimit. Në respektimin apo vlerësimin e vlerave të mirëfillta njerëzore, morale, kombëtare, shtetërore, politike, kulturore, artistike etj., mund të krahasohemi me kohën kur kanë jetuar Da Vinçi, Galileu,  Botiçelli, Van Gogu, Mocarti, Spinoza, Teslla, Betoveni, Shuberti dhe shumë vlera universale botërore të tjera dhe të Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, Fan Nolit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit,  Konicës, Lasgush Poradecit, Azem Bejtës dhe Shotë Galicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, Tahir dhe Nebih Mehës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit dhe të Pavdekshmit dhe të Papërsëritshmit, Komandantit Legjendar, Adem Jashari, me familjen e sakrifikuar, deri në vetëflijim duke i pasur në krahë Shkëlzen dhe Luan Haradinajn dhe të gjithë dëshmorët e kombit. Të gjitha vlerat e mëdha botërore kanë ndërruar jetë si të pavlerësuar, madje edhe të shpërfillur dhe të sfilitur në mjerim material për t’u vlerësuar shumë më vonë, pasi përjetësisht e vulosën historinë njerëzore dhe botërore, si vlera universale dhe të papërsëritshme. Te shqiptarët kjo shpërfillje ishte dhe është shumë më e theksuar. Për më keq, shumicën e vlerave njerëzore, kombëtare dhe politike, për shkaqe kryesisht të pushtetit i vranë vet shqiptarët kurse vlerat shkencore, kulturore, letrare dhe të tjera u luftuan dhe u shpërfillën nga analfabetët politikë apo intelektualët, në shërbim të këtyre analfabetëve. Mediokriteti, si vlerë e disa politikanëve aktualë dhe dhe një pjese e politikës së kaluar, ishte kriter në bazë të së cilit vlerësoheshin personalitetet e shquara shqiptare, në të kaluarën dhe që vlerësohet sot vlerat që e bënë Kosovën ashtu si është sot dhe jo ashtu siç ëndërruan, deshën, punuan dhe u sakrifikuan sepse pikërisht mediokërit e penguan këtë.  Lirisht mund ta them se në historinë e shqiptarëve, ta themi,  nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri më sot, nuk ka shqiptarë të jetë shpërfillur më shumë se Baca Adem Demaçi nga mediokritetet politike dhe jo vetëm politike. Mbështetur në përvojat e popujve shumë më të qytetëruar se që janë shqiptarët, vlerësimi i personaliteteve që e kanë noterizuar historinë njerëzore, botërore, në rrafshin e përgjithshëm sikur edhe të asaj shtetërore dhe kombëtare, në rrafshin e ngushtë, bëhet pas kalimit të një distance kohore, kur të krijohet një vetëdije e re, e pangarkuar nga interesat politike dhe materiale, kur arsyeja do të jetë përcaktuese për vlerësim e jo mediokriteti. Kjo kohë, pashmangshëm do të troketë edhe në derën dhe vetëdijen e shqiptarëve sikur që ka ndodhur edhe te popujt tjerë!

Raport telegrafik për Bacën nga ata që jetuan me TE dhe jetojnë me ato kujtime: Bacë, sot, nëse e ke një të kaluar kombëtare, nuk je aspak i mirëseardhur për një pjesë të pushtetit, madje, ta marrin si rrethanë rënduese sikur që edhe të përndjekin. Pasardhësitë politikë dhe biologjikë të ish jugosllavëve që flisnin shqip sot kanë zënë pozitat kyçe, brenda Kosovës dhe në diplomaci, si ambasadorë apo konsuj, madje jetojnë më mirë se Senatori, kali i Kaligules! Edhe ata bashkëluftëtarë tanë të dikurshëm  (një pjesë) janë paluar në skutat e pushtetit, si oportunistë dhe përndjekës të patriotëve të vërtetë. Luftë brenda llojit sepse na njohin mirë. Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kanë riformuar me Shtabin e Përgjithshëm, me seli në Qendrën e Paraburgimit të një Gjykate Speciale Raciste në Hagë. Aty janë, si pengje të një vullneti dhe vendimi politik ndërkombëtar e që e duartrokasin, me loçkë e me zemër një pjesë e pushtetit aktual, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Pjetër Shala, me përpjekje që po në Burgun e Gjykatës Speciale të vendosen të gjitha Zonat Operative të luftës së fundit të UÇK-së.

Baca Adem, familjen e ke mirë, Shqiptari po na respekton si shokë të Babës, jemi shumë të kënaqur. Abetarja është në Londër, nuk e kam takuar më por është e familjes Demaçi. Nipat, Dielli dhe Feniksi i ke mirë, po ecin drejtë ardhmërisë, në rrugën tënde ndërsa mbesa, Latra është e mrekullueshme në rrugën e nxënies së dijes, vetëm me forcat e saja. E tash, Arbëria e Madhërishme që ishte Engjulli Mbrojtës Yti në kohën kur më së shumti kishte nevojë, nuk ka ndryshuar fare. E tillë është edhe sot. Në mungesë të vullnetit institucional, së paku për mirëmbajtje të higjienës së mjedisit ku prehesh  në Përjetësi, ajo e pastron gurin që të mbulon, një ditë para ditës së Përvjetorit. Paramendoje!

Shokët e idealit që, shumë herë të bënë nervoz por të cilët asnjëherë nuk t’u ndanë, Doktori Haki Gashi, Nuhi Ahmeti – Llapqini, Elmi Reçica, Avdullah Dërguti – Dul Teraku, Idriz Hysenaj, Besim Baraliu – Baraleci, Xhavit Haliti – Zeka, Tahir Hani – Zhidovi dhe Basri Ibrahimi kryesisht janë mirë, kanë disa probleme me shëndet dhe me pushtet por aty janë. Së paku të përmendin, ndjejnë nevojë për qortimet Tuaja, ndjenë nevojë për praninë Tuaj, për Hijen Tënde, qoftë edhe si Kujtim. Prandaj, për çdo përvjetorë, ky Grup, jashtë çdo protokolli të pushtetit, është aty, me një buqetë – kurorë të luleve të freskëta siç është edhe Kujtimi për Ty. Sikur të ishte me neve edhe Doktor Hafiri, Xhavit Haziri, Fehmi Lladrovci – Zharava, Shahivar Makolli – Qali dhe idealistë të tjerë ….! Këto takime me Ty, Baca Adem, në vendin ku prehesh përjetësisht nuk mund të bëhen pa Rinin, djalin e Llapqinit.

Aty dikund jam edhe unë, Behxheti apo Qupina, që më thërrasin këta shokë të idealit kurdo që bëhet ndonjë manifestim për Ty, Baca Adem. Baca Adem, ushtarët e Tuaj të Përjetshëm, Shkëmbi dhe Blini janë mirë, janë rritë dhe edukuar me Frymën Tënde dhe, në disa raste kur polemizojë me ta më thonë: “nuk është ashtu sepse kështu thoshte Baca Adem …”. Jam i dorëzuar para tyre. Motra jote Fexhrie Shala  e që i ka rënë fati i keq të jetë gruaja ime, ditë më parë ka vendosur edhe një stentë, si dhuratë e trajtimit të Gazmend Maliqit, Sahit Ismajlit, Zokit, Bokit, Miradijes, Lules, Masarit, Selamit, Ukës etj. në Burgun e Mitrovices në vitin 1989.

Për së gjalli thoje se shqiptarët, pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë asnjëherë nuk kanë jetuar më mirë dhe se, duke e ruajtur substancën kombëtare, nuk rrezikohen më të zhbëhen si komb! Duke besuar mësimive Tuaja se asnjë proces nuk kthehet mbrapa, duhet të shpresojmë se pashmangshëm do të kemi një ardhmëri më të mirë ndonëse po kalojmë në kohë të vështira. Është rikthyer një kohë e çuditshme, të jesh përkrahës i Adem Demaçit, ta marrin si rrethanë rënduese dhe mundësi për inkriminim, të jesh përkrahës apo trashëgimi biologjike dhe politike e Ali Shukrisë, Kolë Shirokës, Mehmet Maliqit dhe Rrahman Morinës  e keni një përparësi për punësim, përparim dhe ngritje në karrierë, institucionale, politike dhe diplomatike! Kjo ishte Kosova e ditëve të kaluara, kjo është, pjesërisht Kosova e ditëve tona dhe, pa asnjë dyshim kjo nuk do të jetë Kosova e ardhmërisë!

Baca Adem, nesër do të jemi aty ku, edhe nëse vetëm për një çast ndjehemi të vlefshëm, në aspektin kombëtar, njerëzor dhe politikë ndonëse na brenë ndërgjegja se nuk kemi bërë sa duhet për Ty, ndoshta këto ishin mundësitë por, edhe në qortimin tënd, jo dënimin sepse kjo kurrë nuk ka qenë në natyrën tënde, ndjehemi të lehtësuar sepse na lë rrugën hapur edhe për takimet tjera, deri në kohën kur Zoti do të na bashkojë.

Krenarë që patëm fatin të jetojmë në Kohën Tënde dhe që bëmë përpjekje, qoftë edhe modeste të të përcjellim në Rrugëtimin Tënd të Gjatë të Luftës për Liri dhe Bashkim Kombëtar, i cili ende nuk është realizuar në tërësi por që, nga ëndrra, tash u krijua si një mundësi! E realizueshme dhe e pashmangshme!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Filmi i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka, “Dance In…