Filmi i regjisorit nga Shkupi, më i miri në festivalin e Sarajevës

25 korrik 2022 | 15:21

Filmi i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka, “Dance In This Chaos” (Luaj në këtë kaos), është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër OFF Generation” në edicionin e 14-t të Youth Film Festival 2022 që është mbajtur në Sarajevë (19-23 korrik). Në këtë festival sivjet kanë konkurruar mbi 200 filma, ndërkaq për programin final janë përzgjedhur vetëm 14 syresh.

Regjisor dhe skenarit i filmit është Murat Zherka, drejtor i fotografisë Genc Halimi, muzikën e ka punuar Albin Sopa, kurse filmi është realizuar nga produksioni “TAKAT Studio”.

Në rolet kryesore paraqiten Sina Rakip, Stefanija Naçevska, Aleks Petrovski, Fisnik Zeqiri etj. Filmi është mbështetur nga Democracy Lab, ISD Youth Can dhe është realizuar në vitin 2021. Filmi në fjalë ishte pjesë e kampanjës “Let’s Bring The Colors Back”.

“Dance In This Chaos” premierën e ka pasur më 31 tetor të vitit të kaluar në “Kino Milenium” në Shkup, kurse më vonë është shfaqur edhe në “Kinemanë Cineplexx”.

“Dance in this Chaos” është film bardh e zi, i realizuar sipas teknikës one-shot, që konsiderohet një nga teknikat më të vështira për realizimin e një filmi.

Më 15 korrik ky film është shfaqur edhe në Korçë në kuadër të Festivalit KOSH Film Fest. Suksesi në Sarajevë këtij filmi i hap rrugën për pjesëmarrje edhe në festivale të tjera. Në muajin tjetër filmi do të paraqitet edhe në Festivalin Drim Short që mbahet në Strugë dhe në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Lubjanë – FEKK (15-20 gusht).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri shqiptar Altin Zogaj është pritur në takim nga ambasadori…