Edhe Wolfgang Petrichi e di se ndërhyrja e NATO-s nuk ishte ilegale!

27 mars 12:34

Bardhyl Mahmuti

Siç informuan mediat në Serbi, madje edhe televizioni shtetëror serb, ish ndërmjetësuesi i BE-së në bisedimet në Rambuje Wolfgang Petrich në debatin e organizuar nga Lëvizja serbo-austriake për solidaritet në Vjenë i cilësoi “bombardimete NATO-s si ilegale, sepse, sipas tij, kanë ndodhur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

Nëse një pohim i tillë është i vërtetë atëherë mund të themi se WolfgangPetrich nuk sjell asgjë origjinale rreth cilësimeve që i janë bërë ngjarjes më të rëndësishme të NATO-s që nga koha e themelimit të saj, por një përsëritje tanimë e bajatshme.

Po rikujtoj faktet se që nga dita e parë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër forcave të armatosura të Serbisë regjimi i Sllobodan Millosheviqit mbronte qëndrimin se gjoja “agresion i NATO-s kundër Jugosllavisë ishte në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara” (Fjalimi i Sllobodan Millosheviqit i datës 25 mars 1999 i përsëritur edhe në seancat gjyqësore gjatë procesit kundër tij në Hagë në muajin shkurt, mars, prill dhe qershor të vitit 2002). Institucionet shtetërore të Serbisë vazhdojnë të mbajnë qëndrimin identik me të Sllobadan Millosheviqit edhe sot e kësaj dite.

Të njëjtat qëndrime kanë pasur edhe një numër i konsiderueshëm komunistësh, socialistësh, social-demokratësh, të së djathtës të vjetër e të re, neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë për arsye të verbimit të tyre ideologjik me “antiamerikanizëm”.

Në bazë të pohimeve të mediave serbe Wolfgang Petrich nuk e fsheh qëndrimin e tij ndaj “antiamerikanizmit”, të cilin e emëron si “militarizëm amerikan”, por shprehet “i tronditur nga qëndrimi i Francës, sepse Franca ka qenë aleat shekullor i serbëve”!

Kjo qasje ka për qëllim që të zhvendosë vëmendjen nga thelbi i çështjes dhe në vend që të fokusohemi te politika e gjenocidit serb të cilës i dha fund NATO-ja, fajtorët kërkohen atje ku realisht nuk janë.

Si do që të jetë e vërteta për deklaratën e Wolfgang Petrichit, është e rëndësishme të theksohet fakti se debatet rreth legalitetit apo ilegalitetit të këtyre sulmeve nuk e kanë humbur aktualitetin edhe 20 vjet pas këtyre ngjarjeve.

Ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë nxori në shesh divergjencat e vazhdueshme në interpretimin e të drejtës ndërkombëtare lidhur me çështjen nëse duhet të respektohet parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti edhe në rastet kur shteti nuk respekton të drejtat e qytetarëve të vet. Si duhet të veprohet në raste të tilla? Nëse kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut a është e ligjshme ndërhyrja ushtarake në një shtet sovran?

Që në fillim e shoh të arsyeshme të theksoj se të drejtat e njeriut janë baza e të drejtës ndërkombëtare. Sovraniteti i shtetit dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të tij janë “parime” për të siguruar mirëqenien dhe realizimin e të drejtave të njeriut. Në rastet kur një shtet bën shkelje të rëndë lidhur me respektimin e kësaj të “drejte”, “parimet e sovranitetit dhe mosndërhyrjes” dalin në rend të dytë.

Përkundër faktit se ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër forcave të Milosheviqit shpesh kualifikohet si “ndërhyrje morale për të shmangur rrezikun imediat të katastrofës humanitare në Kosovë” dhe për të “parandaluar realizimin e projektit për spastrimin etnik” të saj, nuk duhet të harrohet se legjitimiteti i kësaj ndërhyrjeje mbështetet mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare.

Po ndalem në disa fakte që nxjerrin në shesh se në cilat akte ndërkombëtare mbështet kjo ndërhyrje ushtarake.

Së pari po përmend se faktin se politika e dhunës që ushtronte regjimi i Beogradit në Kosovë kishte marrë përmasa dramatike. Si përgjigje ndaj kësaj dhunë, në shtator të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit të OKB-së alarmonte të gjitha shtetet për rrezikun potencial të një katastrofe humanitare. Edhe pse shifrat ishin shumë më të vogla se ato që publikonin organizatat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, rezoluta 1199  përmend se për shkak të dhunës së forcave të armatosura serbe 230 mijë njerëz ishin zhvendosur dhe se rreth 50 mijë shqiptarë të Kosovës kishin mbetur të pa strehë.

Të drejtat e shqiptarëve ishin dhunuar në mënyrën më flagrante nga ana e shtetit Jtë Jugosllavisë së mbetur. Këtu nuk bëhet fjalë për një perceptim subjektiv të këtij realiteti, por, për një konkluzion që figuron në rezolutat 1160, 1199, 1203 dhe 1207 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është instanca e vetme kompetente për të përcaktuar situatat të cilat mund të vlerësohen si “rrezik për paqen dhe sigurinë dhe të rekomandojë masat për tejkalimin e tyre”.

Në rastin e Kosovës, krahas rrezikut të një katastrofe humanitare, ushtrimi i dhunës së forcave të armatosura jugosllave u cilësua nga Këshilli i Sigurimit si rrezik për paqen dhe sigurinë rajonale. Pikërisht për këtë arsye, rezolutat 1160, 1199, 1203 dhe 1207 të vitit 1998 u miratuan në përputhje me Kapitullin e VII-të të Kartës së OKB-së .

Duke u mbështetur në kapitullin që i kushtohet paqes dhe sigurinë ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit rekomandoi që të ndërpritej çdo formë dhune në Kosovë, të respektohej armëpushimi, të lehtësohej kthimi i refugjatëve në shtëpitë e veta dhe të fillonte dialogu i mirëfilltë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për çështjen e Kosovës. Në këto rezoluta theksohet gatishmëria e Grupit të Kontaktit për të lehtësuar dialogun. Përpos kësaj gatishmërie për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje nëpërmjet dialogut, nuk duhet të harrohet se Karta e Kombeve të Bashkuara autorizon Këshillin e Sigurimit të ndërmarrë masa tjera nëse anëtarët e tij konstatojnë se masat e parashikuara nuk japin rezultatet e pritura. Në nenin 42 të kësaj Karte saktësohet: “Për ruajtjen apo rivendosjen e paqes botërore dhe të sigurisë ndërkombëtare mund të përdoren forcat e armatosura tokësore, ajrore dhe ujore”.

Në përputhje me këtë nen të Kapitullit të VII, përmes pikës 19 të rezolutës 1160 dhe të pikës 16 të rezolutës 1199, Këshilli i Sigurimit i OKB-së tërhoqi vërejtjen se “në mungesë të përparimit thelbësor drejt rregullimit të situatës në Kosovë do të shqyrtohet mundësia e marrjes së masave shtesë për të ruajtur apo rivendosur paqen dhe stabilitetin në regjion.”

Edhe pse nuk jepeshin modalitetet e “masave shtesë”, Kapitulli i VII i Kartës qartësonte se kjo nënkuptonte përdorimin e “forcave të armatosura tokësore, ajrore dhe ujore”.

Më 30 janar 1999 Këshilli i NATO-s kishte dalë te përfundimi i njëjtë me atë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “kriza në Kosovë mbetet një rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon”. Në vendimet e Këshillit të NATO-s theksohej se në rast të sabotimit të gjetjes së një zgjidhjeje paqësore për konfliktin, pala që nuk do të respektojë angazhimet ndërkombëtare do t’i bartë pasojat. Në përputhje me zhvillimin eventual të situatës, Këshilli i NATO-s i dha kompetencat e plota “Sekretarit të Përgjithshëm që të autorizojë goditjet ajrore kundër caqeve në territorin e Jugosllavisë, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve nga pala e Beogradit, ndërsa, në rast të mosrespektimit të kushteve nga pala shqiptare e Kosovës, NATO-ja do të ndërmarrë masa adekuate kundër tyre”.

Jugosllavia e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi nuk respektonte asnjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe rrezikonte drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Ajo shkeli në mënyrë më flagrante të drejtat e njeriut  dhe aplikoi gjenocidin kundër shqiptarëve.

Sa i përket legalitetittë ndërhyrjes së NATO-s kundër Jugosllavisë në përmbyllje të këtij shkrimi po i referohem dramaturgu, eseistit dhe politikani çek Vaclav Havel.

Në intervistën e titulluar“Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar” të publikuar në gazetat “Republika” dhe “Le monde” të 29 prillit 1999 Vaclav Havelli thotë:

“Kam marrë shumë letra nga aktorë serbë që kanë vënë në skenë pjesët e mia teatrale dhe që më vlerësojnë shumë.Më pyesin se ç’të keqe kanë bërë ata që të bombardohen në këtë mënyrë? Natyrisht mua nuk më kanë bërë asgjë të keqe. Por, regjimi i tyre i përdor ushtarët për të masakruar qytetarët e vendit të vet, për të masakruar një grup shumë të madh të bashkëvendësve të tyre (…) Milosheviqi i ka duart e përgjakura dhe nuk mund të vazhdojë të jetë bashkëbisedues për gjetjen e një zgjidhjeje politike (…)

Në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor e që i tejkalon kufijtë e shteteve, të regjioneve (…) atë që ky regjim po u bën shqiptarëve është njëlloj sikur të ma bënte mua.  Mendoj se në ndërhyrjen e NATO-s ka një gjë që askush nuk mund ta kundërshtojë: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht hu­ma­nitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë më lart se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën të ligjshme sulmin kundër Federatës Jugo­sllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara” – përfundon qëndrimin e vet Vaclav Haveli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazmend Oketa, një nga emrat më të njohur të Partisë…