Edi Rama pritet të marrë pjesë në forumin ekonomik të Davosit

13 janar 2023 | 13:03

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të niset për në Davos javën e ardhme, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik që do të mbahet atje në 16 deri më 20 janar 2023.

Mësohet se, i pranishëm në këtë takim do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa pritet edhe konfirmimi i pjesëmarrjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton “A2 CNN”.

“Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, do të jetë tema e forumit, ku do të marrin pjesë më shumë se 2700 liderë nga 130 vende. Takimi vjen ndërsa krizat e shumta thellojnë ndarjet dhe copëtojnë peizazhin gjeopolitik.

Udhëheqësit duhet të adresojnë nevojat e menjëhershme duke hedhur gjithashtu bazat për një botë më të qëndrueshme dhe më elastike deri në fund të dekadës. Çështjet që pritet të diskutohen janë krizat ekonomike, energjetike dhe ushqimore.

Programi i takimit të 53-të vjetor fokusohet në zgjidhjet dhe bashkëpunimin publik-privat për të trajtuar sfidat më urgjente të botës.

Në takim do të jenë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri holandez Mark Rutte, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, si dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës duke qenë përfaqësuese…