Edi Rama reagon ndaj propaganduesit kundër Shqipërisë, pasi BE-ja e sanksionoi për përhapje të propagandës ruse

16 nëntor 2026 | 21:27

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj një personi të sanksionuar nga Bashkimi Evropian për përfshirje në propagandën ruse, duke e lidhur qëndrimin e tij kundër Shqipërisë me përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Në një postim të publikuar të hënën në platformën X, Rama ka përdorur gjuhë të drejtpërdrejtë dhe ironike ndaj personit në fjalë.

“Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia”, ka shkruar Rama.

Më pas, kryeministri shqiptar ka ngritur pyetjen se përse ky person kishte qëndrim kundër Shqipërisë, duke ironizuar se arsyeja lidhet me përparimin e shpejtë të vendit drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Reagimi vjen në ditën kur Këshilli i Bashkimit Evropian njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj 30 individëve dhe dy subjekteve, për përfshirje në manipulimin e informacionit, ndërhyrje të huaja dhe aktivitete kibernetike të lidhura me Rusinë.

Në mesin e të sanksionuarve është edhe Chay Bowes, gazetari irlandez që ka punuar për televizionin rus RT.

Sipas Këshillit të BE-së, Bowes ka marrë pjesë në shpërndarjen e narrativave që justifikojnë dhe mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Bowes kishte komentuar edhe zhvillimet politike në Shqipëri. Më 20 tetor, ai i kishte lidhur protestat në Shqipëri, Francë dhe Itali me mbështetjen financiare që qeveritë evropiane i japin Ukrainës.

Këto deklarime ishin dokumentuar në një analizë të organizatës kërkimore European Kremlin FIMI, e cila shqyrtoi mënyrën se si rrjetet pro-Kremlinit shfrytëzuan protestat në disa vende evropiane.

Ky i fundit i ka kundërshtuar akuzat e BE-së, duke i cilësuar sanksionet si përpjekje për t’ia heshtur zërin dhe duke paralajmëruar kundërshtimin e vendimit në gjykatë.

Sanksionet e miratuara nga BE-ja përfshijnë ngrirjen e pasurive, kufizime udhëtimi dhe ndalimin që qytetarët apo kompanitë evropiane t’u vënë mjete financiare në dispozicion personave të sanksionuar.

Postimi i Ramës është bërë në mbrëmjen e 16 nëntorit, ditën kur ai mori pjesë në Forumin e Dytë të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës…