Edukimi etik dhe fjalimi publik  

03 tetor 2022 | 13:50

Hasan Mujaj

Mendimi i filozofit amerikan i Shkollës pragmatike të Çikagos – Xh. Pirsi, ndër të tjera, shkroi:  “Në politikë e në diplomaci me njëqind fjalë nuk mund të thuhet çka thuhet me një fjalë.”

Edukimi etik duhet të jetë pjesë përbërëse dhe tejet e rëndësishme e personalitetit të individit. Ai është i hershëm. Shumë i hershëm. Që nga retorika antike. Dhe në vijimësi gjatë historisë. Mori shtrirje të gjerë zhvillimi. U shtri në të gjitha fushat e veprimtarisë. U fut edhe në programet shkollore të kohës. Mësohet edhe sot në shkollat e shteteve të zhvilluara dhe me arsim kualitativ. Mendimi i Hegelit përkitazi me rëndësinë e arsimit është me vlerë të përhershme: “Arsimi është arti për ta bërë njeriun etik.”

Edukimi etik duhet të fillojë nga familjarët, nga çerdhet parashkollore, të kultivohet gjatë tërë shkollimit dhe të zbatohet në praktikën e komunikimit e të sjelljes. Si rrjedhojë e mungesës së këtij edukimi, kohën e fundit, gati përditë, sa vjen e shtohet numri i mashtrimeve dhe i dhunimeve të vajzave të mitura për të mos thënë se ky lloj krimi po bëhet dukuri!  Krahas këtij edukimi, duhet të zhvillohet edhe edukimi estetik. Sepse, etika ka lidhje aq të ngushta me simotrën e saj- estetikën, saqë, në shumë fushëza, ajo që thuhet për njërën, vlen edhe për tjetrën. Prandaj, edhe edukimi estetik duhet të jetë përbërës i fjalimit publik, sidomos në pikëpamjen e zgjedhjes dhe të ndërtimit të njësive gjuhësore që shpërfaqin të bukurën dhe kështu artësojnë tekstin e shprehjes. Me të drejtë e kishte thënë edhe Sami Frashëri: “ Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që e flet.”

Si qëndrojnë zyrtarët tanë të institucioneve më të larta të shtetit në këtë dritë ? Duhet të thuhet e vërteta: me ndonjë përjashtim, pjesa dërrmuese, dobët, tejet dobët! Kjo dëshmohet nga paraqitjet e tyre me fjalimet zyrtare, nga të cilat shihet se nuk kanë njohuri elementare të shkencave të sipërpërmendura. Prandaj,  s’është habi që stili i tyre, edhe në foltoret publike, është vulgar, eristik, shumë i varfër nga aspekti i pasurisë leksikore dhe, si i tillë, edhe shumë larg mundësive për ta kapur të bukurën në tekstin e fjalimit publik. Ai (stili i tyre) jo vetëm që nuk ka tregues etikë dhe estetikë, porse vlon nga gufimi i emërtimeve fyese, agresive madje nuk mungojnë as sharjet më banale, që nuk i duron dot ky tekst ndaj kolegëve e kolegeve të veprimtarisë së përbashkët. Fjalimet e kësaj natyre janë të pranishme, sidomos në Kuvendin e Kosovës! Kështu shprehen ata deputetë dhe ato deputete, që nuk kanë argumente për atë që flasin, thjesht që nuk dinë të diskutojnë dhe gabimisht e shpërdorimisht kanë hyrë në politikë, por dinë të shajnë nga foltorja e Parlamentit! Aksiomë! Me stil të këtillë diskutojnë vetëm filistinët, rabulistët, gërnjarët, folësit mediokër etj. të kësaj kategorie. Ndesh këtyre veprimeve duhet të reagojnë madje me masa ndëshkuese jo vetëm kritikët, por edhe institucionet përkatëse.

Edukimi nga këto dije zgjon kërshërinë për ta krijuar dhe kultivuar të bukurën sepse ajo gazmon e galdon kudo: në arte të ndryshme, në fjalimet publike, në prozodinë dhe në diksionin e njësive gjuhësore sipas kritereve fonetike të drejtshqiptimit të tingujve të të folurit. “ Estetika e pasuron njeriun “– shkruante shkrimtari i shquar gjerman Fridrih Shiler.

Gjuha e politikës

Me analizën e gjuhës politike merren disa disiplina e nëndisiplina shkencore, të cilat përfshihen brenda emërtimit të ri ( të ri për politikën shqiptare ) të quajtur politolinguistikë. Ka shumë kohë që ky term ka hyrë në studimet e filozofisë politike të disa shteteve të zhvilluara europiane si p. sh. në studimet gjermane. Vrojtimi shkencor i njësive gjuhësore madje edhe i një lekseme është një nga përbërësit parësorë të hershëm të hulumtimeve të fjalimeve politike e publike.

Në retorikën antike janë ndjekur me përkushtim të veçantë mjetet e shprehjes të teksteve të gjuhës politike si dhe arti i tyre në fjalimet publike. Asokohe, gjuha e fjalimeve publike ishte temë e rëndësishme e kundrimit shkencor; retorika pozitive, në qytetet ( shtetet ) më të zhvilluara, kishte tërhequr vëmendjen e dijetarëve zulmëmëdhenj për gjurmimet risimtare. Retorika është shkencë ndërdisiplinare: shtrihet edhe në letërsi, gjuhësi, filozofi, semiotikë etj. Ajo, edhe sot, është pjesë e shkencës së letërsisë, por definohet edhe si nëndisiplinë linguistike. (A. Burkhardt, Das Parlament und seine Sprache, Tybingen, 2003, 128). Për ta shpënë përpara lartësimin e kësaj dijeje, në kuadër të filozofisë, lindi edhe një fushëz e re e quajtur kritikë e gjuhës, të cilën, filozofi i gjuhës Ludvig Vitgenshtajn e kualifikoi: “ E tërë filozofia është kritikë e gjuhës. “ ( Alle Philosophie ist Sprachkritik.” ( Aty, 131 )

Kritika e gjuhës hulumton, ndër të tjera, edhe gjuhën e politikës, komunikimin politik, etikën dhe estetikën e fjalimit publik etj. Atyre zyrtarëve, fjalimet e të cilëve nuk i plotësonin kriteret gjuhësore, sidomos nga stili, u merrej e drejta e paraqitjeve me fjalime në foltoret publike!  

Po të ndiqej ky kriter sot p. sh. në Kuvendin e Kosovës, do të ishte vështirë, shumë vështirë të gjenden katër- pesë deputete ose deputetë, një ministre ose një ministër, një kryetar komune ose asnjë etj. që do ta plotësonin kriterin e dikurshëm retorik e stilistik të kritikës gjuhësore. E vërtetë e padiskutueshme. Ka njerëz që mund ta kenë mendimin me vlerë logjike e të pjekur, porse, nga deficiti i madh i dijeve gjuhësore, nuk mund ta gjuhëzojnë atë (mendimin) në shkallën e standardeve të kritikës. Sa për deiktikët që e artësojnë fjalimin publik zyrtar si p. sh. treguesit: etikë, estetikë, semiotikë, stilistikë etj., as që mund të imagjinohen.

Autori i veprës “ Parlamenti dhe gjuha e tij “ shkruan: “ Marrja me gjuhën e politikës është detyra më e rëndësishme e shkencës së gjuhës dhe e mësimit të gjuhës.” ( Die Beschαftigung mit der Sprache der Politik ist daher eine der wichtigsten Aufgabe fur Sprachwissenschaft und Sprachunterricht, 145 ). Përdorimi i gjuhës parlamentare duhet të shihet në dritën e ndërlidhjes së shkencave të gjuhës, sidomos të semantikës, sintaksës, pragmatikës etj. (Aty, 146) Akëcila – akëcili që provon të arsyetohet: “ nuk jam gjuhëtare – gjuhëtar! ” flet gjepura. Dërdëllisje. Kështu do të thoshin vetëm ato – ata që nuk dinë se ç’ është gjuha. Gjuha nuk është vetëm gramatikë. Jo. Ajo është veprim; ajo shtrihet edhe në disa disiplina shkencore  jogjuhësore si p. sh.: në sociologji, psikologji, etnografi etj., sidomos në filozofi dhe në bijat e saj: pragmatika, hermeneutika, estetika, etika etj.

Arma më efektive e politikës është fjala. Zgjedhja semantike e saj dhe vendosja në strukturimin e kontekstit, kërkon stil të përkorë. Mendimi i filozofit amerikan i Shkollës pragmatike të Çikagos – Xh. Pirsi, përkitazi me gjuhën e politikës, është shumë domethënës për t’i zgjedhur fjalët me kompetencë semantike; ai shkroi:  “Në politikë e në diplomaci me njëqind fjalë nuk mund të thuhet çka thuhet me një fjalë.” Nga ky citat mund të kuptohet se zgjedhjes  së njësive gjuhësore duhet t’ i kushtohet vëmendje e veçantë ashtu sikundër edhe ndërtimit të tyre në tekst.

Nga mungesa e kognicionit teorik, e cila krijon kufizim shprehjeje, shumë folës, në takimet zyrtare, kalojnë në gërnja dhe në stilin eristik, i cili është shprehi e atyre që kanë zbrazëti të mëdha të formimit kulturor dhe etik. Oratori që ka formim etik, ndjek tolerancën, zgjedhjen e fjalëve dhe të shprehjeve me të cilat nuk cenon personalitetin e të tjerëve. Zgjedhja e njësive të tekstit të diskutimit duhet të bëhet nga kompetenca gjuhësore që e ka oratori në ndërdije. Sa më e pasur të jetë ajo ( kompetenca ), aq më e thukët dhe aq më etike do të dalë performanca. Gjuha e ofron këtë mundësi, por janë aftësia dhe përgatitja teorike e folësit ato që këtë ofertë e kapin, e trupëzojnë dhe e stilizojnë sipas situatës, temës dhe vendit të parashtrimit.

Një studiues i huaj, për fjalimin publik, shkroi: “ Fjalimi përpilohet, përgatitet dhe ekspozohet përmes gjuhës. “ Andaj, në rastin tonë, e meta tejet e madhe e diskutimeve publike që ia humb vlerën fjalimit, qëndron te kultura shumë e ngushtë e folësit nga gjuha standarde shqipe.

Gjuha standarde të mbrohet me ligj

Që të ngrihet kultura e gjuhës standarde dhe të zbatohet në praktikë, duhet të hartohet dhe të miratohet në Kuvendin e Kosovës ligji që e mbron gjuhën standarde shqipe në të gjitha përdorimet zyrtare të saj. Vlera më e lartë e identifikimit kombëtar- gjuha standarde shqipe, për të cilën veprimtarët më të shquar madje vështirë të përsëdytshëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare mbollën e korrën arritje të reja të ndërtimit e të pasurimit të saj, duhet ta ketë ligjin e mbrojtjes nga ato dhe ata që bëjnë gabime të rënda në të shprehurit me gojë e të mos flasim për gabimet me shkrim që janë edhe më të rënda!

Ligjin për gjuhën standarde sot e kanë dhe e zbatojnë shtetet më të zhvilluara të Perëndimit. Pse të mos e ketë shteti i Kosovës ? Sa i kushtohet vëmendje e rëndësishme përdorimit të drejtë të gjuhës standarde në veprimtaritë publike nga institucionet më të larta të shtetit, mund të shihet edhe nga fjalimi i ish-kryetarit të ShBA-së Bil Klinton, mbajtur në mbledhjen zyrtare të Senatit të Universitetit të Prishtinës me ç’ rast u shpall doktor nderi i këtij Universiteti. Ai vuri në dukje se në ShBA shteti ndjek me përkushtim zbatimin e ligjit për gjuhën standarde në përdorimin zyrtar dhe rastet e shkeljes së këtij ligji sanksionohen ligjërisht: presidenti shtoi si shembull se “ në ShBA e kanë humbur licencën e punës dhe janë mbyllur disa medie vetëm për arsye të gabimeve gjuhësore në veprimtarinë e tyre.” Pra, ky është shembull tipik sesi duhet të mbrohet me ligj përdorimi i drejtë i gjuhës standarde. Këtë ligj duhet ta përgatisë e ta miratojë edhe Kuvendi i Kosovës!

Filozofi i gjuhës dhe esteti i shquar italian Benedeto Kroçe vlerësonte shumë lart rëndësinë e kulturës gjuhësore, në veçanti njohjen e përdorimin korrekt të gjuhës amtare dhe, ndër të tjera, shkroi: “ Quaj njeri atë që është zot i gjuhës amtare.” Implikatura e këtij citati është: si mund të quhen zyrtarët e lartë të shtetit, të cilët, siç është parë nga plotësimi i formularit të regjistrimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk dinë ta shkruajnë drejt ( pa gabime ) emrin e komunës, të vendlindjes etj.; del e nënkuptueshme: si do të shkruanin diç më shumë ?

Një kritik i politolinguistikës shkroi: “ Jeta e politikanit është: të flasë, të shkruajë, të lexojë,” (Das Parlament…, 117). Sipas këtij konstatimi, del e kuptueshme se shumë zyrtarë të lartë të shtetit kanë gabuar që kanë hyrë në politikë. Kjo dëshmohet përditë nga foltoret e institucioneve shtetërore! Kështu, në lider i një partie politike, në diskutim e sipër, këto ditë tha: “ … a jeni tu jetu …” etj. Kjo trajtë foljore (tu jetu) mund të përdoret vetëm në bisedat e lira private, por assesi në diskutimin zyrtar e publik sepse shkel rëndë kriterin e gjuhës standarde; për këtë shkelje oratori do të duhej të dënohej po të ishte ligji që mbron standardin. Folësi do të duhej ta thoshte formën e drejtë të mënyrës përcjellore: duke jetuar; në standardin e dikurshëm të gegërishtes do të thuhej: tue jetue, por jo tu jetu!

Stili i të shprehurit është tregues i edukimit etik dhe estetik. Ai pasqyron kulturën e oratorit. Fyerjet, përçarjet, qesënditë etj. janë shenja të akulturalitetit dhe deiktikë të deficitit të arsimimit të mirëfilltë. Kritikat, reagimet, mospajtimet etj. duhet të shprehen me fakte, të cilat i mposhtin grindjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi Nobel për Fiziologji dhe Mjekësi i është dhënë suedezit…