Gjenerali Hisen Berisha ruan traditën e të parëve, shënon Darkën e Lamës në Rashkoc

31 tetor 2026 | 00:12

Gjenerali Hisen Berisha ka shënuar Darkën e Lamës në truallin familjar, në Konakun e Ahmet Salihit, në Rashkoc, duke e vlerësuar këtë traditë si një dëshmi të lidhjes së shqiptarëve me tokën, familjen dhe vlerat e trashëguara ndër breza.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Berisha ka theksuar se Darka e Lamës është një traditë e lashtë shqiptare, e cila shënon përmbylljen e ciklit të të korrave dhe shpreh mirënjohjen për frytet e tokës dhe begatitë e jetës.

Sipas tij, kjo traditë është më shumë se një darkë familjare, pasi simbolizon falënderimin për mundin, punën dhe të mirat në familje, shtet dhe shoqëri.

Berisha ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe përcjelljes së tyre te brezat e rinj, duke veçuar mikpritjen, bujarinë, respektin për familjen dhe dashurinë për vendin.

Ai ka bërë edhe një krahasim mes Darkës së Lamës dhe Ditës së Falënderimeve (Thanksgiving Day), që festohet tradicionalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah mirënjohjen si vlerë të përbashkët njerëzore.

Në fund të mesazhit të tij, Berisha ka uruar që kjo traditë të sjellë begati, paqe, shëndet dhe dashuri mes njerëzve, duke e përmbyllur me urimin për familjen, Rashkocin, Republikën e Kosovës dhe gjithë shqiptarët.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Autoritetet e sigurisë në Berlin po përgatiten për një operacion…