EFEKTET POLITIKE TË VERIUT TË TRAZUAR

03 qershor 2023 | 21:24

Shkruan: Arben Fetoshi

Do të jetë shumë e vështirë të shpëtojmë nga pasojat politike të tensionimit në veri, të cilin Serbia e nxiti duke kalkuluar efektet që e favorizojnë në epilogun e procesit të Brukselit.

S’ka dyshim se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj politike e ligjore për sovranitet dhe luftim të bandave kriminale, por “u ndëshkua” për shkak të momentumit dhe moskoordinimit me partnerët sa i përket veprimeve për zbatimin e rezultatit zgjedhor.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre me mbështetjen e policisë, u shfrytëzua si pretekst nga Serbia që të nxiste reagim të dhunshëm, pikërisht në fazën kur ndërkombëtarët kërkonin zbatim pa vonesa të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

Ashpërsia e tyre me Kosovën, sidomos ajo e SHBA-ve, s’mund të lexohet ndryshe pos si “ngrehje veshi” ndaj subjektit të tyre (Kosova si projekt i Perëndimit) për prishjen e planit (roadmap) që ata kishin dizajnuar pas agresionit rus në Ukrainë, për konkludimin e procesit banalisht të stërzgjatur të dialogut.

Situata e krijuar na riktheu më me ashpërsi në pikën që ishim para tensioneve: zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të përsëriten, Asociacioni duhet të bëhet menjëherë.

Këto kushte ultimative s’po na i bën Serbia, por pikërisht ata që na ndihmuan në çlirim dhe sponsorizuan pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, tani jemi para dy opsioneve: e para, të dalim kundër këture faktorëve dhe të përgatitemi për luftë në mbrojtje të territorit, dhe e dyta, të zbrapsemi, siç edhe bëmë sërish, e të zbatojmë kërkesat e tyre.

Natyrisht se e para, në kontekstin aktual (pa mbështetjen e Perëndimit) do të ishte çmenduri me pasoja fatale, mirëpo edhe e dyta mund të jetë sfidë serioze e kërcënuese për rendin tonë kushtetues.
Meqenëse nuk jemi Gjermani, Francë apo edhe Kinë dhe të gjithë e dimë se ekzistenca e Republikës së Kosovës si projekt gjeopolitik varet në radhë të parë nga SHBA-të, duhet urgjentisht të këndellemi dhe ta tjerrim sa më holl sfidën para nesh.

Zgjedhjet duhet të rimbahen (demokracia nuk duron imponim të udhëheqësve pa legjitimitet qytetar), dhe pavarësisht se përbën sfidë, Asociacioni duhet të niset, duke u angazhuar maksimalisht me urtësi që ta mirëmbajmë edhe më tutje (nëse ende mundemi) qëndrimin e Perëndimit kundër kompetencave të tij ekzekutive.

“Armiqësimi” i shtetit me qytetarët serbë të Kosovës, të cilin Serbia do të përpiqet ta shfrytëzojë në Bruksel, është kundër kësaj mundësie.

Prandaj, qeveria duhet të ofrojë pa humbur kohë një draft minimalist, në mënyrë që Asociacioni të mund të avancohet në Bruksel vetëm si organizim politik i serbëve brenda rendit aktual kushtetues.

Sa më shumë vonesa kam dronë se do ta favorizojnë një autonomi politiko-territoriale në veri të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sa herë që ndodhin incidente në katër komunat e banuara…