EGËRSIA

08 maj 13:10

MICHAEL MCCLURE

 Michael McClure (1932) është poet, dramaturg dhe romancier i brezit bit. Poezia e McClureit kombinon spontanitetin, eksperimentimin tipografik, praktikën budiste dhe “gjuhën e trupit”.

McClure është autor i përmbledhjeve të shumta të poezisë, duke përfshirë Dark Brown (1961), The Book of Joanna (1973), Antechamber & Other Poems (1978), Rebel Lions (1991), Huge Dreams (1999), Mysteriosos and Other Poems (2010), Mephistos and Other Poems (2016) etj. Po ashtu, është autor i dramës së njohur He Beard (Mjekra). McClure shpesh ka lexuar dhe performuar poezitë e veta në përcjelljen e muzikës së kompozitorit Terry Riley dhe ka incizuar disa CD me Ray Manzarek (ish-anëtarin e grupit The Doors).

EGËRSIA

EGËRSIA E VËRTETË
PËRBËHET
NGA AKTET
që nuk janë
zbutur.
Shiko, hija e keqe
e seksit
që përsëritet
është dëshpërimi
i të burgosurve.
Krekosja adoleshente
e njerëzve të rritur
nuk është lëvizja e lirë,
por
çmenduria
e stresit.
Vrasjet e pafundme
dhe trupat
e ndotur
janë rrëmujë
e robotëve
dhe e kuçedrave shoqërore.

NE


SHOHIM
QARTË
JU
NJOFTOJMË
PËR KËTË!

Oh, noto
në botë;

Liria
mund të shpaloset.

TASH NDIEJ ERËN E GJYSHES SIME TEKSA AJO MË

shikon me syze të trasha.
Shoh flokët e saj kaçurrela me tufat gri
në dredhë të kaftë. Ka njëfarë spërkatje
nga tiganisja e proshutës dhe petullave hikërrori
në tigan në stufën e vjetër, të zezë.
Gjyshi im e vë mënjanë kafen,
ngrihet dhe bie për të vdekur në dysheme.
Ka një milion zemra që jetojnë
në çdo trokitje të momentit.
Çdo nxjerrje fryme është një derë.
Haydn murmurinë, ndërsa qukapiku pendëkuq
përbiroi sqepin nëpër gjethe
dhe biron në gurët e murit.

Ne flemë, e Dashura Qenie, në mëngjes
bile as në ëndërr nuk shohim si bie një ton bomba
në festa dasmash,
dasma në malet e largëta
të ndritshme.
Jo një ton bomba, por fishekzjarrët e ëndrrave
na zgjojnë.

FANTAZITË E VOGLA

ÇFARË ELEGANCE
TË JESH MARGARITAR I GJALLË
në një vorbull të grumbulluar
që rrotullohet nëpër
kohë dhe hapësirë.

duke hedhur
një rrjetë me lak si dantele
nga
trajektorja
ime,
e
kap
këtë vete
në pavdekësinë
momentale.
Unë jam Goethe,
Schiller,
ose një nuselale e bardhë
e bardhë
që vërvitet në borë.

FYTYRA E NJERIUT

Fytyra e njeriut, fytyra e njeriut është vizion
i mishit të vërtetë, i trëndafilit të kaftë dhe të kuq.
Unë e dua fytyrën e njeriut!
Edhe fytyrën edhe trurin edhe trupin që varet,
sepse ngandonjëherë trupi duket që trupi varet përfundi fytyrës,
është Dashnor i Universit përmes
syrit të saj të errësuar nazeli. (Dhe ngandonjëherë fytyra
dhe trupi bashkohen në një kafshë të përsosur)
Por fytyra e njeriut është xhevahir i mishit
dhe e dua fytyrën
po aq
sa
duart!
Ne jemi të përsosur.

DUKE LEXUAR PATERSONIN ME ZË TË LARTË

PO,
KJO ËSHTË
POEZI
E PASTËR

– si Blake duke bredhur fushave
ose gjarpërinjtë pranë liqeneve
ku ngremë lart mburojat
me emrat tanë.
Njeriu, qyteti, ujëvara,
janë të gjithë të njëjtë.
Ky libër i prillit është
pa turp
dhe ai vallëzon
dhe shkëlqen
në errësirën
e një të kaluare
që nuk është larg!

(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara