Panairi i Librit të Vjetër, aktiviteti më i rëndësishëm kulturor në shkallë vendi dhe kombi

07 maj 2026 | 22:22

Bedri Zyberaj

Fjalë rasti në hapjen e edicionit VI të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot po hapim edicionin VI të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur.

Që në krye të herës, kur ideatori i këtij panairi, Berat Dakaj, më pati treguar për idenë e këtij organizimi, me qe dukur interesante nisma e jetësimit të këtij aktiviteti kulturor.

Historia e këtij panairi fillon me edicionin I që qe hapur po në këtë vend më 25 shator të vitit 2020. Para rreth gjashtë vjetësh. Ishte viti i rëndë i pandemisë Covid 19 që pati mbërthyer mbarë njerëzimin. Si me qëllim, për ta sfiduar izolimin e asaj kohe, Berat Dakaj me bashkëpunëtorë, e me ndihmën materiale të Ministrisë së Kulturës, e patën organizuar dhe mbajtur edicionin e parë të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur. Aktivitete plotësuese të atij edicioni ishin edhe një ekspozitë e AShAK-së dhe e DPA-së me titull ,,Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar” dhe një orë letrare me moton ,,Pandemia na izoloi, poezia na bashkoi”, në të cilën aktori Bislim Muqaj pati deklamuar poezi të përzgjedhura të 12 autorëve bashkëkohorë shqiptarë.

Tani, kur ky Panair po arrin moshën e vet prej më shumë se gjysmë dekade, mund të themi se jo vetëm që ka formësuar fizionominë e vet të duhur por, për më tepër, është shndërruar në një aktivitet kulturor vjetor serioz për librin e vjetër, të rrallë dhe të përdorur dhe përtej tij.

Kur kanë kaluar kaq vite të organizimit dhe mbajtjes së këtij panairi e për mua ky është një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore, në shkallë vendi dhe kombi, për disa arsye.

E para, ky Panair është i vetmi i këtij lloji në mbarë hapësirën kulturore shqiptare.

E dyta, organizatori, përveç ekspozimit të librave të rrallë, të vjetër dhe të përdorur, çdo edicion të tij e pasuron me aktivitete shtesë, ekspozita të ndryshme, bashkëbisedime me krijues dhe studiues të ndryshëm të artit dhe kulturës shqiptare, promovime veprash të reja, orë letrare me poezi të autorëve të ndryshëm e punë të tjera të dobishme për kulturën dhe shoqërinë.

E treta, në këtë Panair lexuesit dhe të gjithë ata që kanë interesim për historikun e librit do të kenë mundësi të shohin libra të vjetër, të rrallë dhe të përdorur nga lexues të gjeneratave të shkuara të cilët tani nuk jetojnë më.

E katërta, sipas interesimit, lexuesit mund t’i blejnë librat e tillë dhe t’i pasurojnë bibliotekat private me vepra të tilla që tani më i përkasin historisë sonë.

E pesta, librat që mund të gjenden në këtë panair, njeriu e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, t’i gjejë e t’i shohë apo t’i blejë, ngaqë ata nuk gjenden në librari.

Ka shumë nga këta libra që janë në këto tavolina që nuk janë ribotuar asnjëherë. Edhe po të ribotoheshin, për mua personalisht libri i vjetër ka një vlerë të veçantë sepse kur marrë në dorë librat e tillë, qoftë edhe vetëm për t’i parë, më duket sikur nga ata ndiej jo vetëm autorin, por edhe praninë e atij numri lexuesish të atij libri në të shkuarën, të njohur apo anonimë, por që tani nuk jetojnë më.

Prania e lexuesit përmes ndonjë shënimi në margjinat e librave që ekspozohen në këtë Panair, apo nënvizimet e ndryshme që mund t’i ketë bërë lexuesi, për mua janë vlerë e shtuar e librit, pas asaj të autorit që e ka shkruar. Them vlerë e shtuar sepse, përveç përmbajtjes së librit që është fryt i punës së autorit, shënimet në margjina, nënvizimet apo edhe dedikimet nga autori apo nga lexuesi për lexuesin që janë bërë dikur e që mund të gjenden në këta libra të vjetër, janë shënjues dhe dëshmi e një receptimi e perceptimi të përmbajtjes së atij libri nga lexuesit e mëparshëm.

Përveç këtyre, kur bëhet fjalë për libra të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, që na ka rënë t’i shikojmë në edicionet e deritanishme të këtij Panairi, kushedi sa të tjerë lexues të panjohur i kanë pasur nëpër duar, i kanë shfletuar ose i kanë lexuar, por që nuk kanë lënë ndonjë gjurmë të dukshme. Këto elemente, për mua e bëjnë librin e vjetër të rrallë dhe të përdorur, të vlershëm, jo vetëm përtej librave të rinj që promovohen dhe ekspozohen, por edhe përtej botimeve e ribotimeve të tyre në kohën tonë.

Vizitorët e këtij panairi, nga edicioni në edicion, ku bëhet ekspozimi i  botimeve të rralla dhe koleksionuesve të tjerë të antikuarëve, kanë mundësinë të shohin dhe të shfletojnë botime të vjetra si në asnjë rast tjetër

Pa le në ndonjë rast të rrallë, kur ka ndonjë shënim, dedikim apo qoftë edhe vetëm autograf të autorit, siç e solli vitin e kaluar prof. Agim Vinca ,,Gomarin e Baba Tasit” të vitit 1923 dhe vëllimin me lirika (,,Mrizin e zanave” dhe ,,Vallja e Parisit”) të Atë Gjergj Fishtës, të botuar më 1924, me një autograf të tij.

Për më tepër, në edicionin V, vizitorët e këtij panairi kanë pasur mundësi të shikojnë tri botimet e para (1882, 1901, 1905) të Fjalorit Frëngjisht-Osmanisht (Kamûs-ı Fransevî) të Sami Frashërit. Vizitorët ndoshta nuk kishin mundësi t’i blinin por, të paktën, patën mundësi t’i shikojnë dhe t’i shfletojnë këto botime të këtij fjalori të Sami Frashërit, të botuara para 144, 125 dhe 100 vjetësh. Po sikur të mungonte ky Panair i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, këtyre vizitorëve një mundësi të tillë nuk do t’ua ofronin as dy bibliotekat tona kombëtare (Biblioteka Kombëtare e Kosovës ,,Pjetër Bogdani” në Prishtinë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në Tiranë) sepse nuk i kanë të gjitha në thesaret e veta.

Po e përfundoj këtë fjalë timen me konstatimin se Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur paraqet një ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën tonë kombëtare ngaqë, i tillë çfarë ka bërë gjatë këtyre viteve, ka qenë si asnjë aktivitet tjetër në funksion të afirmimit të kohezionit historik të librit në përgjithësi, dhe librit shqip, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, në veçanti.

Në fund dua ta përgëzoj organizatorin, juve pjesëmarrës dhe të gjithë ata që në një formë ose në një tjetër kanë kontribuar në organizimin dhe pasurimin e tij nga edicioni në edicion.

Gjithashtu, uroj që kjo traditë të ruhet dhe të pasurohet e të masivizohet edhe më shumë në të ardhmen!

Prishtinë, më 07.05.2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edicioni VI i Panarit të Librit të Vjetër, të Rrallë…