Egjiptianët votojnë për president
Egjiptianët kanë filluar të dielën të votojnë në zgjedhjet presidenciale, në të cilat presidenti i tanishëm, Abdel Fattah el-Sissi, nuk përballet me ndonjë sfidues të fortë, prandaj edhe pritet ta fitojë edhe një mandat tjetër, i cili do ta mbajë atë në pushtet deri më 2030.
Zgjedhjet kanë mbetur në hije të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës.
Vëmendja e pothuajse të gjithë egjiptianët është te lufta që po zhvillohet në kufijtë lindorë të vendit të tyre dhe te vuajtjet e civilëve palestinezë në enklavën bregdetare.
Votimi treditor, i cili nisi të dielën, po mbahet, po ashtu, në një kohë krize të madhe ekonomike në Egjipt, vendi me 105 milionë banorë, një e treta e të cilëve jetojnë në varfëri, sipas të dhënave zyrtare. Kriza buron nga keqmenaxhimi i ekonomisë, por edhe nga pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila e ka prekur ekonominë globale.
El-Sissi përballet me tre kundërshtarë: Farid Zahran, kryetar i Partisë Social Demokrate në opozitë, Abdel-Sanad Yamama, kryetar i Partisë Wafd, dhe Hazem Omar, kryetar i Partisë Republikane të Popullit.
Një kandidat i ri ambicion për president, Ahmed Altantawy, u tërhoq nga gara pasi dështoi t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme nga banorët për ta siguruar kandidaturën. Ai i fajësoi agjencitë e sigurisë për dështimin e tij, duke i akuzuar se i kanë frikësuar stafin e fushatës së tij dhe mbështetësit e tij.
Televizionet egjiptiane transmetuan pamje pranë qendrave të votimit, ku gra dhe fëmijë, kryesisht mbështetës të el-Sissit, valëvitnin flamuj egjiptianë.
Nëse asnjëri nga kandidatët nuk i fiton më shumë se 50 për qind të votave, atëherë do të mbahet një balotazh më 8-10 janar, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Egjiptit.
Më shumë se 67 milionë egjiptianë kanë të drejtë vote, dhe autoritetet shpresojnë se dalja në zgjedhje do të jetë e lartë.
Një oficer ushtarak, el-Sissi u zgjodh president për herë të parë në mes të vitit 2014, një vit pasi ai, si ministër i Mbrojtjes, e udhëhoqi ushtrinë për ta rrëzuar presidentin e zgjedhur islamist, por përçarës, gjatë protestave masive kundër sundimit të tij njëvjeçar.
El-Sissi u rizgjodh më 2018 për një mandat të dytë katërvjeçar. Ai e pati vetëm një kundërshtar, një politikan pak të njohur, i cili iu bashkua garën në çastet e fundit për ta shpëtuar qeverinë nga turpërimi i zgjedhjeve presidenciale me një kandidat, pasi disa kandidatë ishin detyruar të tërhiqeshin, apo ishin arrestuar.
Më 2019, ndryshimet kushtetuese, të miratuara në një referendum të përgjithshëm, ia shtuan edhe dy vjet në mandatin e dytë të el-Sissit, si dhe ia mundësuan atij të garojë për një mandat të tretë gjashtëvjeçar.
Nën udhëheqjen e tij, autoritetet e kanë bërë një luftë të madhe ndaj disidentëve. Mijëra kritikë të qeverisë janë heshtur apo burgosur, kryesisht islamistë, por edhe aktivistë të rëndësishëm laikë, përfshirë shumë prej atyre që ishin përgjegjës për kryengritjen e vitit 2011, e cila e rrëzoi autokratin Hosni Mubarak.