Ejupi: Josa ka kontratë tre vjeçare me Prishtinën

18 shtator 2018 | 14:32

Kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi ka reaguar pas raportimit te medieve se Mirel Josa është afër largimit nga skuadra kryeqytetase, dhe se vendin e tij pritet ta zë trajneri Gentian Mezani.

“Nuk e njoh dhe as që jam takuar me personin në fjalë që paskan aluduar portalet, Gentian Mezanin. Në fakt, tash pse unë njoh shumë njerëz të sportit dhe jam i rrethuar me ta nuk ka asnjë domethënie. Takohem me shumë kë me të cilët kam miqësi, por edhe me të tjerë që mund të jenë afër tyre dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Ne kemi kryetrajner, ai është Mirel Josa me të cilin kemi kontratë trevjeçare. Prishtina nuk është klub lagjesh që t’i ndërroj trajnerët çdo tre-katër javë apo për qefin e dikujt. Me Josen kemi projekt. Josa nuk ka ardhur të dëshmohet në Prishtinë. Ai është dëshmuar shumë më herët para nesh. Ai ka dëshmuar me sukseset në Shqipëri e sidomos me paraqitjet në Evropë. Ai ka ardhur që krejt atë bagazh të përvojës së tij të sjellë tek ne”, ka thënë Ejupi për faqen zyrtare te klubit “bardhekaltër”.

“Po ashtu i mirëkuptojmë brengat dhe njëkohësisht dëshirat e adhurueseve tanë e veçmas ‘Plisave’ për fitore me të cilët jemi në një rrugë dhe e duam suksesin së bashku, por ju lusim të na mirëkuptoni dhe të na besoni, të keni pak durim, sepse gjithçka do të vije në vendin e vetë, sepse jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë. Josa ka kontratë tre vjeçare me ne, sikurse ne që i besojmë, duam që edhe Ju të e mbështesni atë dhe klubin maksimalisht. Vetëm të bashkuar do t’ia dalim”, ka deklaruar Ejupi, i cili shkrimet për largimin e Mirel Josës i sheh si tendencë për të ndikuar në ndeshjen e nesërme që Prishtina e zhvillon ndaj Gjilanit.

“Këto shkrime i shoh si sulme për të na dekoncentruar para ndeshjes së nesërme me Gjilanin. Por nuk do t’ia arrijnë asnjë prej këtyre portaleve nga Kosova apo Shqipëria. Nuk do të bëjmë gabime të tilla siç ndoshta kemi vepruar viteve të fundit. Ftojmë që mos t’iu besoni thashethemeve dashakëqija e të qëllimshme, sidomos të disa të ashtuquajturave portale nga Kosova”, ka përfunduar Ejupi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim me kusht…