Eksperti amerikan: Çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinë të negociatave

13 gusht 2019 | 11:12

Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, Charles Kupchan, beson se çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë”, Kupchani ka thënë se shkëmbimin e territoreve do ta përkrahte për arsye pragmatike.

“Unë besoj se çështja e shkëmbimit të territoreve duhet të jetë në tavolinë të negociatave, sidomos nëse do të ofronte një mundësi për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse në një mënyrë do të përbënte problem për rajonin, pasi do të rikrijoheshin mundësi për vija kufitare në baza etnike, por të paktën është një mundësi për të tejkaluar këtë situatë bllokuese. Kjo do të kërkonte më pas mbështetjen e popullsisë në Kosovë dhe Serbi, tani shihet se nuk ka disponim për një gjë të tillë, sidomos në anën e Kosovës. Mirëpo mendoj se evropianët dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të tentojnë të shtyjnë përpara Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë bisedimet, sepse duhet të ketë normalizim dhe Kosova, që është de fakto e pavarur, duhet të bëhet de jure e pavarur për të pasur paqe afatgjatë në Ballkan”, ka thënë Kupchani.

Sipas tij muaj më parë disponimi për të negociuar mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq ka qenë ndryshe, mirëpo dialogu tani gjendet në rrugë qorre edhe për shkak të tarifës prej 100 për qind, që Qeveria e kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, Ramush Haradinaj u ka vënë importeve nga Serbia.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/kupchan-%C3%A7eshtja-e-shkembimit-t%C3%AB-territoreve-duhet-te-jete-ne-tavoline-te-negociatave/30106390.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjilanit sonte nis fazën e tretë të dezinsektimit…