Eksperti Ilir Kulla flet për për aktualitetin në Shqipëri, Rajon dhe Botë

23 shtator 2023 | 17:56

Eksperti i njohur i çështjeve kombëtare dhe ndërkombëtare Ilir Kulla, ishte i ftuar nga gazetari Fatos Salliu në emisionin ‘Infofocus’ që transmetohet në platformën mediatike Infoweb Media.

Kulla foli për çështjen e ‘nxehtë ‘Beleri’, aktualitetin politik, arrestimet nga SPAK dhe policia, turizmin, krimet kibernetike, marrëdhëniet Rama-Kurti dhe Kosovë-Serbi, situatën në Maqedoninë e Veriut, luftën Rusi-Ukrainë, zhvillimet ndërkombëtare etj.

Biseda e plotë e ekspertit Ilir Kulla përballë gazetarit Fatos Salliu:

1- Z. Kulla e nisim me zhvillimet e fundit në vend. Temë mjaft e diskutuar është çështja Beleri. Athina zyrtare, përfshirë edhe vetë kryeministrin Mitsotakis, kanë kërcënuar se Shqipëria po rrezikon integrimin. A është i drejtë ky qëndrim, apo autoritetet shqiptare duhet të ‘dorëzohen’ para këtij presioni?

Çështja ka tre pamje. Kur u arrestua unë kam thanë që ky është një gabim që do shkaktojë shumë sherre nga pas. Sepse u bë dy ditë para zgjedhjeve dhe unë jam i bindur se nëse Fredi Beleri nuk do arrestohej ato dy ditë Greqia nuk do mobilizohej kaq shumë dhe bashkia e Himarës do fitohej nga Partia Socialiste. Siç u fitua Këshilli Bashkiak. Dhe Fredi Beleri fitoi me një rezultat fare të ngushtë me gjithë mobilizimin që pati nga Greqia. Në ato ditë nuk u duk sikur Greqia u angazhua, por sot duket se pikërisht në ato ditë ka qenë prioritar angazhimi i saj. Në fakt Greqisë nuk i intereson Fredi Beleri, por i intereson Himara.

(Ndërhyrje)-Përse Himara kaq shumë?

Është një çështje politike e vjetër që nis me protokollin e Korfuzit. Është një çështje shumë e gjatë. Është çështje historie. Por ata e kanë Himarën në objektiv. Madje Kryeministri Mitsotakis, kur erdhi disa muaj përpara në vizitë tek ne shkoi në minoritet dhe erdhi në Himarë duke e konsideruar edhe Himarën minoritet gjë që ne nuk e konsiderojmë si të tillë sepse është një komunitet bilingual ku aty jetojnë shqiptarët prej shekujsh. Por kjo është një çështje tjetër, çështje historie. Pra është një çështje politike sepse u bë automatikisht dy ditë para zgjedhjeve. Pastaj kemi një çështje juridike. Çështja juridike është e tillë: Unë mendoj që policia me ish- drejtorin e operacionales, që tashmë gjendet edhe ai në burg për arsye të tjera, është nxituar për mënyrën se si e ka menaxhuar këtë çështje. Ia ka dërguar letrat prokurorisë së Vlorës sepse kështu thotë ligji. Prokuroria e Vlorës ka shpallur mos-kopetencë sepse kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë dhe është një çështje politike. Ka një gjykatë të posaçme për këtë punë. Gjykata e Posaçme ka Prokurorinë e Posaçme. Prokuroria e Posaçme thotë kjo punë u bë e nxehtë, mua do ma lini ‘pataten e nxehtë’, s’kam pse ta mbaj unë ‘pataten e nxehtë’ çoje në gjykatë le ta zgjidhë gjykata.

Nëse do ishte në kushte të tjera, pra nuk do ishte e nxehtë politikisht, unë them që në Himarë do ishin shpall zgjedhjet e parakohshme siç u shpallën në Kukës dhe tani do flisnim për zgjedhjet në Himarë. Fakti që është një çështje e nxehtë dhe në duart e drejtësisë, të bën të mendosh dy gjëra: Nga njëra anë Shqipëria zyrtare po toleron duke e ditur delikatesën e çështjes në mënyrë që të shmangë konfliktin e hapur. Nuk është punë Kryeministri. Ai është vetëm një segment. Se po të dojë edhe Presidenti shpall zgjedhjet. Dhe nga ana tjetër janë në sprovë organet e drejtësisë. Sepse kemi policinë që pretendon se ka bërë një gjë dhe janë në sprovë organet e drejtësisë. Dhe madje edhe vetë kryeministri grek duke e kuptuar mirë këtë çështje ka thënë ‘jo unë dua vetëm betimin’.

Por askush nuk e pengon Fredi Belerin të betohet deri sa të përfundojë faza e gjykimit deri në Apel. Është pak a shumë si rasti në Shkodër kur Voltana Ademi qëndroi edhe tre vite në detyrë.

Çështja është se në Greqi janë zgjedhjet evropiane në Pranverën që vjen. Dhe de-facto Greqia e do sot Belerin brenda që të ketë një çështje për të diskutuar. Pra të mos merret me çështjet e brendshme ekonomike etj, kanë halle të tjera prandaj edhe i fryjnë këtij zjarri. Mendoj se do zgjidhet në Gjykatë. Gjykatat kanë treguar deri më tani pjekurinë dhe aty do shihet nëse janë të ligjshme provat dhe gjithçka tjetër rreth tij. Unë e kam mik Fredi Belerin dhe nuk duhet ta diskutojmë si grek, por si shtetas shqiptar, sepse është i lindur dhe rritur në Shqipëri, është shtetas shqiptar por është edhe shtetas grek. Të pyes ty Fatos çfarë do ndodhte nëse Greqia e fuste atë në listat e kandidatëve dhe Fredi Beleri do bëhej eurodeputet? Do ta mbanim në burg ne?

(Ndërhyrje) Jo unë do bëj një kundër pyetje Ilir. Por nëse një shtetas shqiptar do ishte në të njëjtat rrethana në Greqi, a nuk do i lihej gjyqësorit të vepronte i pavarur? Si mund të ndërhyjë politika në këtë çështje?

Po sigurisht pra thashë që ka një aspekt politik dhe Greqia e ka gabim që ndërhyn, e ka shumë gabim sepse Greqia po vërteton të kundërtën, sepse këtu vijnë deputetë, gazetarë, kryetar bashkish të cilët bëjnë aktivitet të hapur politik dhe nuk u thotë kush gjë. Nuk ndodh e kundërta me Shqipërinë në Greqi. Por ky është aspekti politik. Por në aspektin juridik ne duhet ti japim Fredi Belerit atë që i ka dhënë Kushtetuta. I pafajshëm deri në dënimin përfundimtar dhe ka të drejtën që të betohet deri në përfundim të hetimeve.

(Ndërhyrje) Si e parashikon fundin e kësaj çështje?

Nuk e di. Unë e them që nuk ka më tifozllëk me drejtësinë e re. Janë shumë të ftohtë dhe fakti që atë po veprojnë kështu nënkupton se ju e krijuat ‘pataten e nxehtë’ si po shkojnë punët na e lini ne tani ta mbarojmë çështjen.

2-Z. Kulla si i komentoni ju zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. A ka shanse vendi që në këtë situatë ku ndodhet opozita të vijë në pushtet?

Që Shqipëria nuk ka opozitë ky nuk është një lajm i madh. Sot Partia Demokratike është ndarë në tre faktorë; Njëri që ka selinë, tjetri që ka vulën dhe tjetri që ka logon. Dhe kjo e bën jo serioze. Zgjedhjet e fundit ishin një dëshpërim i madh. Dhe njerëzit kur shikojnë që ti je i përçarë humbasin besimin. Por drama më e madhe nuk është kjo. Drama më e madhe është viti 2008 kur ne i shkatërruam partitë politike. E pe ti si i fliste Rama atyre si kryetar kooperative dhe ata nuk flisnin asnjëri. 200 veta aty. Ministrtat e morën vesh në sallë që po shkarkoheshin. Në PD është akoma më katastrofë.

(Ndërhyrje) Por çfarë sistemi është ky atëherë? Demokraci, neo-demokraci, neo-diktaturë, çfarë?

Ne jemi autokratë të vegjël që prishim rregullat e lojës. Ne kemi qenë djem të rinj kur milituam bashkë unë me Taulant Ballën në kohën Fatos Nanos, Ilir Metës. Përplaseshim kishte debate, kishte votë. Sot nuk ka asgjë. Këto përplasje atëherë prodhuan këto figura që janë sot në PS. Sot PD nuk ka asgjë. Ka Lulin, që bëri atë kongresin e vet si e bëri. Tani ka rënë prapë në qetësi si duket ia ka fut gjumit të presë zgjedhjet që vijnë. Ke Berishën që del çdo ditë në konferencë. Ke një 80-vjeçar shumë energjik që jep shpresa për 20 vitet e ardhshme (ironi). Të gjithë ata bashkëkohësit e tij ose kanë vdekur ose janë pension. Nëpër rajone e nëpër botë etj. Kemi Gaz Bardhin që 6 muaj është me një, 6 muaj me një tjetër. Merren me njëri tjetrin nuk merren me ekonominë, strukturën Kushtetuese të vendit.

Jemi në mandatin e tretë të PS. Vitin që vjen flasim për zgjedhjet e tjera. Njerëzit nuk jetojnë sa Shqiponja. Këta njerëz jo vetëm që nuk japin shpresë, por sjellin dëshpërim.

3-Cili është mendimi juaj për arrestimet nga SPAK, a po funksionon drejtësia? A po luftohet vërtet korrupsioni? Sipas jush priten arrestime të reja?

Besoj se drejtësia ka bërë vetëm nxehje deri tani.

Që do të thotë?

Që do të thotë se, nëse Gjykata Speciale do mbështetet ekonomikisht nga ndërkombëtarët, ne do shohim dhe dëgjojmë çudira.

Do ketë arrestime majtas e djathtas?

Unë nuk i shoh majtas e djathtas. Unë i shoh si papërgjegjshmëri të atyre që kanë ushtruar funksionet publike.

E zeza mbi të bardhë është ajo që të dënon. Ke faktin e Adriatik Llallës. Ai u dënua me një ligj që nga me gjobë, e propozoi në Parlament në vepër penale. Pra u dënua me ligjin që propozoi vetë. Njerëzit duhet të kuptojnë se një ditë atë që kanë abuzuar do ndëshkohen.

4- Si e komenton situatën kriminale në vend. Droga dhe trafiqet kanë qenë shqetësuese. Por ka pasur aksione dhe arrestime të shumta. Çfarë duhet të bëjë policia që të kthehet besimi në siguri dhe rend?

Arrestimet dhe përfshirja e policisë por edhe prokurorisë në krim, si në rastin e Shkodrës, do të shoh së çfarë do të ndodhë më pas. Që nënkupton atë që thotë sot Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ‘pastrim’. Dhe kur Ministri i Brendshëm thotë ‘pastrim’, unë e ti që jemi të pavarur do të thotë ‘qilizëm’.

5- Diçka për bumin turistik që po trumbetohet me të madhe. A janë të vërteta shifrat. A ekzistojnë kapacitetet dhe shërbimet. Çfarë duhet të bëjë shteti në këtë drejtim?

Shifrat janë reale. E kemi parë me sy me avionët, hotelet. Çështja është a jemi ne të aftë ta menaxhojmë. Ta jap me shifra. Ne kemi 50% të popullsisë në fshat që prodhon 20% të GDP kombëtare dhe për këtë ne nuk fusim asnjë lek si investim. Pjesën tjetër ne e kemi nga turizmi. Dhe prap ne nuk fusim asnjë gjë në investim për turizmin. Që ne të mbajmë këta dy sektorë të rëndësishëm, pra bujqësia që është sektori që konsumon atë që prodhohet nga fermerët, dhe turizmi sepse këto janë që na sjellin të ardhura. Pra çdo vit duhet të ketë investime në këta sektorë dhe jo propogandë. Ti dhe unë e mbajmë mend që Shqipëria ka pasur trena. Sot nuk ka. Pra problemi nuk është se sa njerëz erdhën, problemi është se sa do japim ne mbrapsht. Dhe e ka të drejtë Kryeministri kur tha se ‘ne do zhgënjehemi nëse nuk do investojmë në turizëm’. Opozita nuk është marrë fare me këtë çështje.

(Ndërhyrje) Ne vërtet kemi fituar nga Turizmi, por mjaft shqiptarë kanë ikur jashtë. Dhe statistikat tregojnë se lekët e tyre të eksportuara jashtë janë shumë, diferenca e fitimit është e vogël. Ku shkoi ai ‘turizmi patriotik’? Sepse shqiptarët p.sh nuk shkojnë dot në jug?

Kjo nuk ka lidhje. Është normale. Problemi është se turizmin nga 60-70 ditë duhet ta çojmë në 6 muaj. Siç e kanë Turqia apo Greqia. Mendoj që periudha 15 maj-15 shtator duhet të jetë e gjitha periudhë turistike.

6- Komenti juaj për zhvillimet e fundit në kampin e muxhahedinëve dhe sigurinë kibernetike.

Muxhahedinë do qëndrojnë se nuk kanë ku shkojnë. Thjesht problemi është se unë e kam thënë që në fillim. Me ardhjen e tyre ka përfituar Irani sepse ata që kishte opozitarë nuk i ka më në kufi por i ka 3000 km larg. Kanë përfituar edhe vetë sepse janë njerëz dhe kanë moshën e tyre.

Kanë përfituar SHBA sepse në kampin e tyre në Irak duhet të administronin sigurinë. Të gjithë kanë përfituar dhe Shqipëria nuk mund të hyjë në një luftë që nuk është e saja. Se nuk ka logjikë. Nëse duan të rrinë aty me statusin e refugjatit, le të rrinë. Ndryshe nuk mund të fusin Shqipërinë në konflikte.

(Ndërhyrje) A është e vërtetë që dyshohet se ata kanë inicuar sulmi kibernetike?

Nuk e them unë. Qeveria shqiptare dhe ajo iraniane thonë. Se ne kemi prishur edhe marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Që është e rrallë. Irani thotë sulmet kibernetike janë bërë nga Shqipëria për Iranin dhe ne themi që sulmet kibernetike për Shqipërinë janë bërë nga Irani. Pra dashje pa dashje ne na futën në një luftë. Dhe është normale që një shtet të thotë; unë ju kam strehuar por jo të na fusni në luftë.

7- Kalojmë në aspektin rajonal. Si i komenton raportet mes Ramës dhe Kurtit? Duket se ka tension dhe se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë më të mirat e dekadave të fundit.

Janë marrëdhëniet Rama-Kurti e jo marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Marrëdhëniet janë shumë herë më të mira. Tregtia, turizmi, kultura po shkojnë drejt integrimit. Brezave të rinj nuk po ua ndjen fare. Marrëdhëniet e tyre janë marrëdhëniet e dy njerëzve që dikur dashuria e madhe u kthye në sfidë personale. Janë karaktere të përbashkëta që shtyhen.

(Ndërhyrje) Mos ndoshta ngaqë duket sikur Rama është afruar me Vuçiç?

Aspak. Ti mendon se Rama merr vota në Kosovë apo Albini në Shqipëri? Kjo është një çështje mes vetë atyre dyve. Shqipëri-Kosovë kanë një destinim. Nuk e di se kur pas 10-20 apo 50 vjet bashkimi do vijë natyrshëm. Mosha e vajzës time apo djalit Ramës do ta quajnë shumë normale fundjavën në Prishtinë apo Tiranë.

8- Si zgjidhet situata në Veri të Kosovës?

Vatra nuk është e nxehtë. Është aty nga 1999. Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka vendos rend aty.

(Ndërhyrje) Po, por Beogradi ka reaguar ashpër? Nga ana tjetër edhe BE nuk po arrin rezultatin.

Beogradi nuk e njeh Kosovën. Çfarë pret nga Beogradi? Të jetë për BE-në shqiptarët as që do e kishin nisur luftën në ‘99, as do ishte krijuar UÇK, nuk do kishte ndodhur pavarësia. BE ka 10 vjet që e gënjen Kosovën për vizat. Albini ka të drejtë por metodologjia e cila duket agresive. Që ka të drejtë ka. BE duhet të jetë serioze pasi ka dhënë premtimin që para 10 vitesh nëse zgjidhet çështja e kufirit me Malin e Zi, Kosova përfitonte lëvizjen e lirë. Megjithëse Kosova i ka plotësuar kushtet. BE e përdor për arsye politike. Serbia është e vetmja fuqi ballkanike që është armatosur këto vite. Kërcënuese në Bosnje, në Mal të Zi, destabilizon jugun. Dhe këta e mbajnë me të mirë që të mos iki Rusinë.

(Ndërhyrje) Po por Beogradi po luan me mjaft porta. Mirë me Rusinë, mirë me BE-në, mirë me Kinën, mirë me Arabinë?

Beogradi ka të drejtë të bëjë ç’të dojë dhe bravo i qoftë për investimet. Por që të tjerët të paguajnë për Beogradin kjo nuk është normale. Është si me ne. Për sa vite mendon ti se do hysh në BE. Para 20 vitesh në Samitin e Selanikut do hynim për 10 vite. Dhe ja ku jemi. BE ka hallin e saj. BE ka bllokuar procesin e zgjerimit. Nuk ka Evropë. Dhe kjo po bën që një pjesë e Ballkanit po afrohet drejt Turqisë, një pjesë drejt Serbisë, një pjesë drejt Kinës, dhe një pjesë tjetër që nuk di ku është. Mjafton të shohim rastin e emigrantëve. Në Lampeduza p.sh ka më shumë emigrantë se sa banorë. Shkoi edhe Presidentja e BE. Një BE që nuk jep përgjigje të përbashkët. Serbia e ka të shkruajtur në Kushtetutë dhe Vuçiç e tha edhe në OKB. Ne nuk e njohim Kosovën. Nëpërmjet Asosacionit Serbia kërkon ndarjen e Kosovës. Ndërkombëtarët i thonë Kosovës: Shiko se ne të kemi çliruar. Si më keni çliruar për të më kthyer prap në Serbi? Se kështu i bie. Ndaj rri aty. Se ai na ikën me Rusinë. Kështu që unë e shoh që kur të mbarojë lufta Ukrainë-Rusi dhe kur të ulen fuqitë e mëdha që edhe ata kanë problemet e tyre që të ri-konceptojnë edhe njëherë kufinjtë dhe rregullat e lojës.

11- jeni shprehur kundër për mënyrën se si po veprohet me Dritan Goxhajn?

E kam shok, e dyta ia njoh familjen dhe arrestimi super-absurd.

Unë sfidoj që ti marrim gjithë ata gjyqtarë të gjykatës apo prokurorët e Tiranës se çfarë kanë bërë ata para 25 vitesh. Dhe për çfarë është ngritur kjo gjykatë para 25 vitesh. Para 25 vitesh kur Ashim Thaçi e të tjerë janë në burg me pretendimet se është bërë trafik organesh gjë që e ka rrëzuar Qeveria Shqiptare në KE përmes një rezolute.

(Ndërhyrje) Po por ata po mbeten në burg.

Dritan Goxhajn nuk ka bërë asgjë më tepër se çfarë kemi bërë unë dhe ja 40 veta përfshi Kryeministrin apo Ilir Meta dhe Sali Berisha. E vetmja gjë që ai ka përmendur emra dy dëshmitarë. Dhe të futësh në burg një njeri që nuk ka bërë kurrë krim. Këtë që po bëjnë këta në Shqipëri të kenë turp se do turpërojnë fëmijët e tyre nesër. Sepse kur ushtron detyrën si prokuror apo gjykatës në Shqipëri ti je betuar te Kushtetuta jote dhe në Kushtetutën tonë bashkimin kombëtar e ka futur në preambulën e tij. Brezat ikin, qeveritë ndryshojnë, turpi mbetet.

10- Si e komenton situatën në Maqedoninë e Veriut? A janë shqiptarët vërtet pjesë e drejtimit në këtë shtet.

Puna e Maqedonisë së Veriut. Ka përfunduar si “Maqedoni frutash’

Shqiptarët kanë marrë shtetin. Me marrëveshjen e Ohrit kanë futur strukturën e shtetit nën kontroll. Po të shohësh kryetarin e Parlamentit, dy zv. Kryeministra, Ministri i Jashtëm, kryetar bashkish etj. Pra shqiptarët morën shtetin, grekët i morën emrin dhe ia morën me dhunë e shantazh. Nuk u hapim rrugën për në BE etj. Serbët i duan kishën se nuk ia njohin kishën dhe bullgarët i duan identitetin. Çfarë u mbetet maqedonasve të shkretë?

(Ndërhyrje) Si shtet më duket se janë më të konsoliduar se ne?

Duhet ta shohim në të ardhmen këtë gjë dhe jo sot. 30 vite më përpara shqiptarët që kanë 30% të popullsisë nuk u jepej asnjë 1% e të drejtave. Shqipëria dhe Kosova nuk ia rrezikojnë pavarësinë Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët brenda Maqedonisë së Veriut nuk ia rrezikojnë shtetin. Ti e pe çfarë bënë kisha ruse dhe serbe në Malin e Zi. Gati e çanë shtetin. Për fat të keq kisha po përdoret si instrument politik në Malin e Zi, Kosovë, Bosnje, dhe Maqedoninë e Veriut. Bullgarët duhet të tregohen më tolerantë. Maqedonasit kanë të drejtën e tyre. Dikur ka qenë republika më e varfër e Jugosllavisë. Duhet të mbyllet ky debat. Sjelljet e Greqisë dhe Bullgarisë janë tërësisht anti-evropiane dhe pastaj ti fajësojnë këta për nacionalizëm.

11- Në aspektin ndërkombëtar, si e parashikon vazhdimin e luftës Rusi-Ukrainë. A do ketë ndonjëherë fund?

Sigurisht çdo gjë që ka një fillim e ka një fund. Unë dëgjova Zelensky-n. Ai përmendi 5 shtyllat e sigurisë ndërkombëtare. Më vjen mirë se i kam thënë që në fillim. Janë ekonomia, demografia, energjia, armët e shkatërrimit në masë, fatkeqësitë natyrore. Kjo luftë po e çon botën në kaos. Ka çarë G20, ka forcuar Breksin, ka krijuar kushtet që mjaft vende të mos kërkojnë më dollarin. Rusia ka marrë nga Ukraina një territor sa Italia pa ishujt e saj.

12- Turqia ka qenë një vend mjaft i spikatur dhe madje shpesh faktor në arenën ndërkombëtare. Kujt i atribuohet ky rol?

Sepse Turqia ka filluar shpërbërjen në Krime në vitin me 1876 me luftën ruso-turke. Dhe turqit, që janë shkatërruar njëherë, i kanë në kufij detarë Rusinë dhe Ukrainën. Nuk duan të kenë një luftë në kufi. Ka qenë fuqia e parë që ka furnizuar me dronë Ukrainën. Por ka mbajtur ekuilibra ekonomikë me Rusinë.

13- Të ashtëqujturat vendet në zhvillim tashmë po sfidojnë fuqitë e mëdha. Si i parashikon ekuilibrat ndërkombëtarë?

Edhe në Afrikë kur kam qenë para disa muajsh thuhej se ka përfunduar epoka e kolonive dhe neokolonive. Ne do asistojmë në vitet e ardhshme dhe do konstatojmë në Afrikë ndryshime pa kthim. Një element mjaft i rëndësishëm është edhe demografia. Afrika ka popullsi të re. Ngjarjet në Libi dy digat për shembull në Derna, vranë më shumë se sa luftërat. Dhe ngjarjet në Marok.

Jetojmë në një epokë interesante.

Faleminderit për intervistën.

Faleminderit dhe suksese ju!

Infoweb Media, 23/09/2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fluturim i British Airways nga Londra për në Nice…