Eksplodimi në Zhur ndodhi gjatë bastisjes nga policia

28 janar 2020 | 23:25

Policia e Kosovës ka konfirmuar se shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit, e që doli të jetë fatale për një polic, ka ndodhur gjatë kohës kur aty po kryhej bastisja në një rast për parandalim dhe zbulim të narkotikëve.

Në një deklaratë për “TV Prizrenin”, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka thënë se akoma s’dihen detajet e mjetit eksplodues.

“Ka qenë Njësiti i Specializuar i njësisë anti-drogë gjatë realizimit të një bastisjeje në një shtëpi në fshatin Zhur, për fat të keq gjatë bastisjes ka pas një eksplodim. Për momentin nuk dihen detajet e mjetit eksplodues. Për fat të keq, ka humbur jetën një koleg i yni, një polic profesionist dhe dy të tjerë janë lënduar. Me këtë rast, një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta. Të lënduarit aktualisht janë në Spitalin e Prizrenit”, ka thënë ai teksa ka shtuar se sipas informatave aktuale, gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëkundjet e tërmetit të orës 21:15 minuta janë ndjerë edhe…