Ekspozita e kujtimeve të fëmijërisë

26 shtator 22:59

Shkruan: Rrahman Paçarizi – 

Malësorja (e Nazmi Rrahmanit), Pinoku (Carlo Colodi), Debatik (Selman Vaqari), Të munduarit (Hasan Petrela) Ese mbi letërsinë (Sabri Hamiti)… Veprat letrare që i kam lexu shumë herë – nuk gaboj nëse them dhjetëra herë – i gjeta në ekspozitën e organizuar nga Berat Dakajj dhe Shtëpia Botuese Armagedon, ku unë e sprovova veten me një prozë më të gjatë.

Jo se nuk kam mundë me i gjetë këto vepra që lidhen fort me fëmijërinë time, por këtë herë i gjeta botimet që i kam pasë në bibliotekën shumë të pasur të babës tim, të djegur deri në faqen e fundit.

Me t’i parë ato libra, m’u duk sikur m’u kthye biblioteka e fëmijërisë, m’u kthyen librat e renditura sipas qejfit tim, vitrina ngjyrë bordo të shkëlqyeshme, sikur m’u kthyen edhe fotografitë e djegura, dorëshkrimet e babës, studimet e tij kurrë të botuara që e kisha andërr me i botu ndonjëherë, pa lejen e tij…


Teksa e shikoja ekspozitën e shihja një fëmijë që rendiste librat në rafte, herë sipas rendit alfabetik, herë sipas pëlqimit tim, herë sipas trashësisë së librit, herë sipas asaj se sa herë i kisha lexu, herë sipas ngjyrave. E shihja një fëmijë që mbante shënim për të gjitha librat e lexuara, duke u krekosur në shkollë me numrin e romaneve të lexuara… Pastaj e shihja veten para shtëpisë së djegur… duke u ngjitë shkallëve deri në katin e dytë në dhomën e vogël (ashtu i thoshim dhomës së mbushur me libra ku ishte vetëm një kanape) të mbushur tashmë me hi librash të djegur, ku asnjë faqe s’kishte shpëtu dhe asnjë fotografi në sirtarët e poshtëm të vitrinës. Si me ta fshi kujtesën me një komandë të gabuar dhe pastaj me u përpjekë me shpëtu ndonjë ”file”, libër jo se jo, po ndonjë fotografi që  nena e kish marrë me vete duke ikur maleve e pastaj në Fier…  Kur e pata lexu romanin “Talianka” të Agron Gashit, e pata veçu pjesën kur hyjnë në një shtëpi pas luftës dhe gjejnë një dhomë librash. Ajo pjesë ishte ekstratematike dhe jashtë motivit kryesor të romanit, por mua më pati bërë për vete mënyra e përshkrimit të dhomës me libra.

Tash, më duket se më shumë më ka bërë për vete njëjtësimi me dhomën e librave, mënyra e rrëfimit për renditjen e librave, inventari që Agroni i bën bibliotekës së kushedi se kujt…

Mikut tim, Albin Mehmetit, që e ndihmonte Beratin për ekspozitën, i thashë të m’i ndante disa libra – ato që i përmenda dhe disa libra të gjuhësisë, botimet të vjetra, të Çabejtë, të Rrotës e të Cimohovskit, por edhe studimin e Rexhep Ismajlit për poezinë e sotme arbëreshe.

Një të premte vjeshte s’e kisha menduar të ma kthente kujtesën e fshirë të librave që brezave të rinj mund t’u duket patetike. Faleminderit Berat!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka…